Feeds:
Posts
Comments

Archive for July, 2007

WIKI WIKI

Tema e monumenteve që i ngrenë vetes shqiptarët në Internet, të cilën e preku Parrulla, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin etik të mënyrës si e shohim ne veten si komunitet. Në raste të caktuara, informacioni i gënjeshtërt ose shtrembëruar që afishohet online mund të çojë dhe ndoshta ka çuar në dizinformim total të kureshtarëve, ose të gjithë atyre që nuk e shohin me syrin e nevojshëm kritik informacionin që marrin nga Interneti.

Rreziku vjen duke u shtuar me përhapjen e Internetit në trevat e shqiptarëve në Ballkan, ku shkollat gjithnjë e më tepër do t’i nxitin nxënësit e studentët t’i zëvendësojnë bibliotekat, librat e revistat shkencore me materiale të gatshme për përdorim gratis online.

(more…)

Read Full Post »

ISLAMIZIM?

Lexoj tani se sekretari privat i Papës Benedikt XVI, Monsignor Georg Gaenswein, në një intervistë botuar sot në Sueddeutsche Magazine, paska thënë, ndër të tjera se

“Përpjekjet për islamizim të Perëndimit nuk mund të mohohen. Rreziku që i kanoset identitetit të Evropës nuk duhet shpërfillur në emër të një respekti të keqkuptuar…”

(Nuk kam pasur kohë e këllqe të lexoj intervistën në origjinalin gjermanisht, por e mora vesh prej këtij burimi; gjithashtu edhe këtu).

(more…)

Read Full Post »

Rando Devole, në “Tema”, dt. 25 korrik 2007

 

SHQIPTARËT PËRBALLË INTERNETIT

 

Për arsye objektive interneti hyri vonë në jetën e shqiptarëve, shumë prej të cilëve nuk ia njohin fillesat e aq më pak evoluimin e vrullshëm të fundviteve ’90. Nga ana tjetër, të përhumbur siç jemi në rutinën e së përditshmes, ka raste që disa gjëra i pranojmë ashtu siç janë, në kufijtë e së natyrshmes, si të dhëna përgjithmonë, pa pyetur se ç’përfaqësojnë e përse i përdorim. Në këtë pikë teknologjia vetëm sa na e rrit apatinë, falë edhe ndërfaqeve me të cilat na del ballas: të thjeshta, elementare, intuitive.

(more…)

Read Full Post »

KINSE PLURALIZËM

GH ka absolutisht të drejtë, në esenë e vet, kur thotë që:

Në këtë moment nuk mund të thuhet dot më se cila do të jetë perspektiva politike e shoqërisë shqiptare por javët e fundit treguan edhe më shumë se institucionet politike, qoftë në kuptimin kushtetues, qoftë në atë partiak e kanë humbur karakterin e tyre fillestar dhe janë duke shpalosur gjithnjë e më publikisht karakterien e tyre klanor. Erozioni displinor brënda një partie politike dhe pozicionimi klanor brenda saj është një zhvillim i ri i erozionit disiplinor ideologjik të partive vetë, të cilat më herët akoma braktisën hapur pozicionet e caktuara ideologjike, të cilat edhe pse nuk i kishin patur kurrë, ua kishin marrë të paktën hua semantikës së programeve partiake e titullimit të partive politike.

Në të vërtetë, edhe unë prej kohësh kam arritur në përfundimin se emrat me të cilët e quajnë veten partitë politike kryesore në Shqipëri nuk janë veçse etiketa të rastit, huazuar nga emra lart-tingëllues partish politike të vendeve perëndimore me të cilat nuk ndajmë asgjë, për sa i përket historisë së ideve dhe të lëvizjeve politike.

(more…)

Read Full Post »

KOPSHTI I FQINJËVE

Rando Devole, në “Tema”, dt. 24 korrik 2007

Kur u zgjodh presidenti aktual i Italisë, Giorgio Napolitano, pak më shumë se një vit më parë, togfjalëshi që u përdor më shumë gjatë procesit të zgjedhjes ishte “metoda Ciampi”. Në atë kohë ky togfjalësh nënkuptohej vetvetiu, sepse presidenti italian Carlo Azeglio Ciampi ishte ende në detyrë, si rrjedhojë zgjedhja e fundit dhe metoda e ndjekur ishte akoma e freskët. Jo vetëm se koha bën të vetën, por edhe sepse ndokujt nga publiku shqiptar mund t’i ketë shpëtuar, duhet kujtuar se Ciampi u propozua si president i Republikës Italiane nga mazhoranca e asaj kohe. Opozita e atëhershme, e kryesuar nga Berluskoni, pas një sërë diskutimesh të brendshme e pranoi kandidaturën dhe vendosi ta votonte në Parlament.

(more…)

Read Full Post »

NJË HAP PRAPA DREJT VETES

Mënyra se si u zgjodh Bamir Topi President i Republikës tregoi edhe një herë, se disa procese politike të periudhës së tranzicionit që synonin demokratizimin e shoqërisë shqiptare, të cilat prej vitesh perceptohen si të mirëqena janë ende iluzione. Në këtë moment nuk mund të thuhet dot më se cila do të jetë përspektiva politike e shoqërisë shqiptare por javët e fundit treguan edhe më shumë, se institucionet politike, qoftë në kuptimin kushtetues, qoftë në atë partiak e kanë humbur karakterin e tyre fillestar dhe janë duke shpalosur gjithnjë e më publikisht karakterien e tyre klanor. Erozioni displinor brënda një partie politike dhe pozicionimi klanor brënda saj është një zhvillim i ri i erozionit disiplinor ideologjik të partive vetë, të cilat më herët akoma braktisën hapur pozicionet e caktuara ideologjike, të cilat edhe pse nuk i kishin patur kurrë, ua kishin marrë të paktën hua semantikës së programeve partiake e titullimit të partive politike. E parë nga një përspektivë e rreptë moraliste gjithcka nuk meriton të quhet gjë jo më pak se “shthurje” dhe jo më shumë se “kaos politik”, por çështja e klasifikimit moral të dinamikës së skenës politike shqiptare për shumëkënd nuk është më primare.

(more…)

Read Full Post »

PIKTURA PËR TË VERBËR

Përpiqem të ndjek në mediat ecurinë e Festivalit Ndërkombëtar Teatror të Butrintit. Trupa teatrore të huaja venë e vijnë, japin shfaqje eksperimentale të bazuara në drama të rënda klasike; por shfaqjet jo rrallë dështojnë, publiku largohet, kritika ngatërrohet.

(more…)

Read Full Post »

ZHUBRAT E PALËVE

Ardian Vehbiu, në “Shekulli”, dt. 22 korrik 2007

Tani që shkruaj Republika shqiptare e ka më në fund presidentin e vet; edhe pse motit politik do t’i duhen javë të kthjellohet nga dyshimet, akuzat, kundërakuzat, insinuatat, hipotezat, thashethemet, kërcënimet, mallkimet, thirrjet, ofshamat dhe indinjata e përgjithshme që zakonisht i shoqëron ciklone të tilla.

(more…)

Read Full Post »

Po e nis me një anekdotë të vjetër.

Një fabrikant këpucësh dërgon dy përfaqësues tregtarë në një vend të humbur të Afrikës, për të hulumtuar tregun lokal. Pas një jave i mbërrin telegrami nga njëri përfaqësues:
“Këtu nuk ka asnjë potencial për tregti këpucësh. Të gjithë ecin zbathur.”
Dhe s’kalojnë as dy minuta, kur mbërrin edhe telegrami tjetër:
“Këtu ka potencial të shkëlqyer për tregti këpucësh. Të gjithë ecin zbathur.”

Kjo anekdotë m’u kujtua sot, kur lexoja një pasazh nga eseisti anglez Theodore Darlymple, i cili ka punuar për një kohë të gjatë si mjek psikiatër në burgjet britanike.

(more…)

Read Full Post »

FALCITATE

 

Eppur niente si muove.
- Galileo Galilei, pasi vështroi qiellin për herë të parë me teleskop.

Sfidat e jetës i kam pritur gjithnjë ballëlart.
- Zinedine Zidane

Pikësëpari, duhen rregulluar çatitë, se po na bien tjegullat kokës.
- Pirroja i Epirit, në mbledhjen e bashkisë së Argosit

Kur të vdes, rrëzomani statujën.
- Enver Hoxha

Ich bin ein Hamburger.
- J. F. Kennedy, menjëherë sapo e qëlluan në Dallas.

Ich bin, du bist, er ist/ sie… whatever the heck she ist.
- G.W. Bush, para vizitës së parë në Gjermani.

S’pyet Kanuni për Lek, as Leku për Kanun.
- Lek Dukagjini (apokrife)

Vasil Laçi ishte nga minoriteti grek.
- Nga një letër private e Sali Berishës, drejtuar Silvio Berlusconit.

Kur vjetërohen veteranët, u vjen radha veterinerëve.
- Bamir Topi

Prej kohësh kam dashur të shkruaj një këngë për Mujin dhe Halilin.
- Elton John, intervistuar nga “Mapo”

(more…)

Read Full Post »

Po ta kthenim uniformën në trajtë verbale do të merrte pamjen e një deklarate. Herë e detyruar, herë vullnetare, herë e pësuar, herë solemne. Por gjithnjë e hapur, deklaruese e shpesh deklamuese. Pra uniformës duhet t’i pranojmë një farë “sinqeriteti”. Nuk është e rastit që polici me uniformë na ngjall më shumë besim se ai që punon i veshur civil. Janë të dobishëm të dy, por i pari përmbush edhe nevojën tonë për simbolikën e autoritetit shtetar, i dyti futet në dritëhije ku konturet e besimit zbehen detyrimisht, sepse zbehet edhe vetë deklarata që “firmoset“ midis qytetarit dhe shtetit.

(more…)

Read Full Post »

IVANI I PARË SHQIPTAR

Shoh në “Shekullin” e sotëm se Ardian Klosi ka intervistuar historianin zviceran Oliver Jens Schmitt – autor i studimit “Arbëria Venedike” botuar para pak muajsh edhe në shqip – për një monografi që ky i fundit është duke përfunduar, në lidhje me mesjetën arbërore dhe figurën e Skënderbeut.

Shkruan Klosi në hyrje të intervistës:

Përveç trajtimit origjinal të një figure të madhe në një mjedis të caktuar politik-kulturor, kjo vepër shquan nga pasurimi i bibliografisë së deritanishme skënderbejane me një numër dokumentesh të reja, të cilat profesori 34-vjeçar i Vjenës i ka nxjerrë nga disa arkiva qytetesh europiane, sidomos nga Biblioteka Kombëtare e Francës. Njëri prej tyre, një letër e vitit 1454 e shkruar prej diplomatësh milanezë, vërteton se motivi kryesor i braktisjes së kampit turk prej Skënderbeut ishte gjakmarrja: pas vrasjes së t’et, Ivanit (apo Juanit) prej Muratit II, Gjergj Kastrioti vë njerëz që vrasin të vëllanë e Mehmetit II.

[theksimi është imi, Xh.]

Natyrisht, nuk them dot gjë për kërkimet e historianit zviceran, por habitem pak se një letër arkivash milaneze qenka e mjaftueshme për t’i trivializuar deri në këtë shkallë motivet që e shtynë Skënderbeun të kthehej në Krujë e të niste luftën kundër osmanëve.

Gjithashtu nuk më rezulton që historiografia e sotme e Skënderbeut, në Shqipëri dhe gjetiu, të ketë pranuar gjëkundi se Gjon Kastriotin, të jatin e Skënderbeut, e paskan vrarë osmanët e Muratit II ose të tjerë armiq – edhe pse mund të jem i gabuar, meqë fati i Gjon Kastriotit asnjëherë nuk më ka interesuar drejtpërdrejt. Megjithatë, po të kish qarkulluar ndonjë hipotezë e tillë, do ta kishte përmendur të paktën Kristo Frashëri, në monografinë e vet të fundit për Skënderbeun; por ky vetëm sa thotë se data e vdekjes së Gjon Kastriotit nuk dihet me saktësi…

E pastaj, sikur ta kishin vrarë të ziun Gjon me urdhër të Muratit II, nuk do ta kishin përmendur këtë të gjithë ata që kanë shkruar për Kastriotët në atë kohë (nga Muzaka te Barleti e te historianët bizantinë e turq), por do të kish mbetur puna te këta bojarët nga Milanoja e largët që ta përhapnin lajmin?

Mirëpo gjëra edhe më të pabesuara kanë ndodhur, prandaj nuk shprehem dot prerë.

Më në fund, nuk kuptoj se ç’po e shtyn Klosin ta quajë Gjon Kastriotin me emrin Ivan, i cili është një version sllav i emrit shqiptar Gjon. Nëse historianët dhe krejt kultura shqiptare kanë përdorur deri më sot emrin Gjon, ose nëse është vendosur një traditë krejtësisht e përligjur në përdorim, adoptimi i formës sllavishte Ivan do të kërkonte shpjegime të mëtejshme. Tek e fundit, në vend të Ivan mund të përdoreshin edhe forma si Giovanni, John, Johann, Ion, Iannis, Juanis, Jovan e kështu me radhë; sepse emrat në dokumentet e saj kohe përktheheshin rëndom në gjuhën me të cilën hartohej dokumenti.

Thotë pastaj Oliver Jens Schmitt:

Mendoj se zbulimi më i rëndësishëm, në pikëpamje burimore, është motivi i vërtetë i veprimit të Skënderbeut, që ishte gjakmarrja. Kemi në duar tani një dokument të ri nga arkivat e Milanos, i cili tregon se sulltan Murati II ka pasë vrarë të atin e Skënderbeut, Ivanin, dhe se Skënderbeu ishte pjesë e një përbetimi që çoi në vrasjen e vëllait të madh të Mehmetit II, Alaedin Ali Çelebiut, e pra ky motiv, gjakmarrja si shtysë personale e Skënderbeut, është një e re. Një interpretim i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me kryengritjen e Skënderbeut, e cila në fazën e saj të parë nuk duhet vlerësuar si kombëtare, por si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, vërtet me një shumicë arbërish, por gjithashtu me pjesëmarrje të sllavëve jugorë e të vllehëve, të cilët ngritën krye si të krishterë ortodoksë kundër Perandorisë osmane, në një kohë kur kjo perandori po kalonte, në vitin 1443, një periudhë dobësimi politik.

[përsëri theksimi është imi, Xh.]

Edhe ky interpretim, se kryengritja e Skënderbeut duhet vlerësuar si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, jo si kryengritje e fiseve shqiptare kundër osmanëve, më duket disi i guximshëm; po të kemi parasysh se Skënderbeu kujdesej të identifikohej si princ shqiptar në dokumentet e kancelarisë së vet; e nga ana tjetër, vetë historiani zviceran, në po këtë intervistë, e quan themelimin e një mbretërie katolike nga ana e Skënderbeut si ide të rëndësishme politike të këtij udhëheqësi të shqiptarëve. Megjithatë, për këtë duhet lexuar monografia që, pas gjase, do të përkthehet së shpejti nga Ardian Klosi vetë.

Read Full Post »

Uniformat zakonisht të sjellin në mendje institucionet totale: pizhamet me vija të spitalit e të çmendinës sidomos varur për t’u tharë në oborrin e tymosur të lavanderisë; rrobet e burgut – me vija si në filmat bardhezi të Chaplin-it, ose bojë portokalli të ndezur, si në Amerikën e sotme, që ua respekton të drejtat ngjyrave.

Institucionalizimi jo më kot zë fill me urdhrin formal, sado të mirësjellshëm, për t’u zhveshur; sepse zhveshja është edhe akt simbolik i dorëzimit të individualitetit. Kush më zhvesh, më ka në ngarkim.

Përkundrazi: veshja kopileshja.

Uniforma dëshmon përkatësi profesionale – polici, ushtari, futbollisti, balerina, valeti i parkimit, portieri, kamerieri, stjuardesa, trombonisti i bandës qytetëse, croupier-i, fatorinoja, marinari, prifti, dentisti, zbutësi i luanëve, postieri, zjarrfikësi…

Në Shqipërinë totalitare, uniforma lajmëronte disiplinë autoritare që larg, ose prononcim gazmor të masës së organizuar: punonjëse, shkollore.

Ishte edhe versioni proletar-industrial i kostumit popullor ose tradita e veshur në kominoshe traktoristi; sepse si në një rast edhe në tjetrin variacionet vetëm sa ia përforconin rreptësinë kodit. Jo më kot udhëheqja mahnitej pas vashave të virgjëra me xhubleta e jeleqe të qëndisura, mishërim i ritualit, ose i qëndrueshmërisë së çka ekzistonte.

Kush i ka jetuar vitet 1960, do t’i mbajë mend jo vetëm kostumet unisex prej doku të udhëheqjes revolucionare kineze, por edhe kombinezonet prej najloni elastik të personazheve në filmat fantastiko-shkencorë të RAI-t, ose heronjve të së ardhmes.

Të tjerë do të mbajnë mend zboret; ose shndërrimin që u bënte marrëdhënieve me mjedisin rroba e ashpër e ushtrisë, të cilën ta jepte shteti dhe duhet t’ia ktheje shtetit përsëri, në përfundim të detyrës.

Disa vajzave u shkonte veçanërisht; të tjera u bënin, sidomos pantallonave, ngushtimet përkatëse, për t’i veshur pastaj “me lugë këpucësh”, siç tallej një miku im nga Shkodra.

Ndonjëherë mund t’i gëzoheshe edhe anonimitetit që të jepte veshja ushtarake, ose lehtësimit të papritur nga barra e të qenit individ. Mund të bëje budallallëqe, pastaj të riktheheshe në identitetin tënd dhe t’ia faturoje përgjegjësinë dehjes së organizimit.

Kush nuk u ngjesh me rripin prej meshini kundërmues, këpucët dy-tonëshe prej palumbari, kapotën prej batanijeje kapanoni, gjimnastiorkën me komça pickuese e nuk e shprehu pastaj përbuzjen, me Shvejkun, për “civilët morracakë”?

Ishin vite kur edhe qytetaria përjetohej si një lloj uniforme, të cilën ta kishin dhënë në dorëzim për të ta provuar e konfirmuar nënshtrimin…

Pastaj më në fund erdhi dita kur e kapërceva detin dhe u gjenda në Romë; qytet të cilin deri atëherë e pata shijuar si skenografi televizive e filmike. (more…)

Read Full Post »

Një pyetje e rastit prej një kolegu blogtar më bëri të mendoj për disa vështirësi strukturore që ka shqipja e librave, ose formale, për t’i shprehur konceptet abstrakte me rrugë e mjete leksikore.

Kush shpenzon sado pak kohë duke shfletuar një fjalor të shqipes, do ta vërë re menjëherë se shumë folje në –oj (të cilat përbëjnë rreth 90% të të gjitha foljeve shqip) krijojnë rreth vetes, pothuajse vetvetiu, një familje fjalësh të prejardhura, sipas modelit të mëposhtëm:

Kërkoj – folja bazë

Kërkohem – trajta pësore/vetvetore e foljes

Kërkim – emri foljor abstrakt i veprimit

Kërkues – mbiemri prejfoljor i vepruesit

Kërkuese – forma femërore e këtij mbiemri

Jokërkues – mbiemri që tregon një tipar të kundërt me kërkues

I kërkuar – mbiemri prejpjesor me kuptim pasiv/pësor

I kërkueshëm – mbiemri që tregon mundësi për të pësuar veprimin

Kërkimor – mbiemri lidhor, që tregon marrëdhënie me emrin e veprimit ose veprimtarisë përkatëse

Kërkesë – emër foljor abstrakt që shpreh zakonisht veprimin si akt pikësor ose rezultatin e veprimit

Moskërkim – mungesa e veprimit të shprehur nga kërkim

Kërkimtar – emër vepruesi që e shpreh konceptin në një plan më abstrakt se kërkues

Kërkimtari – emër abstrakt që shenjon veprimtarinë përkatëse, në një plan më abstrakt se kërkim

Kërkueshmëri – emër abstrakt që shpreh mundësinë e veprimit, i ndërtuar mbi temën e mbiemrit i kërkueshëm

Shkruesit e shqipes, në një farë mënyre, stërviten që t’i krijojnë fjalë të tilla njëlloj siç do të krijonin format gramatikore të një fjale të eptueshme, për shembull të një foljeje:

kërkoj, kërkon, kërkon, kërkojmë, kërkoni, kërkojnë

Me të drejtë është vënë re se ky gramatikalizim i fjalëformimit, artificial në vetvete dhe krejt tipik për shqipen e njësuar sidomos burokratike ose librore, shpie në të ashtuquajturin esperantizim të gjuhës.

(more…)

Read Full Post »

Older Posts »

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,043 other followers

%d bloggers like this: