WIKI WIKI
July 29, 2007 by Xha Xhai
Tema e monumenteve që i ngrenë vetes shqiptarët në Internet, të cilën e preku Parrulla, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin etik të mënyrës si e shohim ne veten si komunitet. Në raste të caktuara, informacioni i gënjeshtërt ose shtrembëruar që afishohet online mund të çojë dhe ndoshta ka çuar në dizinformim total të kureshtarëve, ose të gjithë atyre që nuk e shohin me syrin e nevojshëm kritik informacionin që marrin nga Interneti.
Rreziku vjen duke u shtuar me përhapjen e Internetit në trevat e shqiptarëve në Ballkan, ku shkollat gjithnjë e më tepër do t’i nxitin nxënësit e studentët t’i zëvendësojnë bibliotekat, librat e revistat shkencore me materiale të gatshme për përdorim gratis online.
Këtu dua vetëm të tërheq vëmëndjen për gjendjen e mjerueshme të faqeve shqip të enciklopedisë Wikipedia, e cila me të shpejtë po shndërrohet në instrumentin kryesor të referencës për të gjithë përdoruesit e informacionit në botën virtuale. Për nga natyra e vet, Wikipedia është e hapur ndaj përdoruesve dhe i përjashton hierarkitë akademike ose orvatjet për kontroll dhe manipulim të informacionit; mirëpo kjo presupozon edhe një shkallë të vetëdijes qytetare e cila ne, shqiptarëve, po na mungon.
Tema e Wikipedias në shqip është e gjerë e nuk mund të ezaurohet me një trajtim si ky i tanishmi; nga ana tjetër, mjafton një kupë verë për të marrë vesh se ç’ka në fuçi. Prandaj, i ngacmuar edhe nga disa fakte skandaloze që përmendi Parrulla në komentin e vet, shkova t’u hedh një sy xhevahireve të fundit të shqiptarisë të lëshuar zinxhirësh.
Që në fillim vërej se Wikipedia shqip kërkon kandidatura për burokrat, duke specifikuar:
Të nderuar editues dhe pjesmarrës më aktivë e më pak aktivë të Wikipedia-s në gjuhën shqipe meqë zgjedhja e Burokratit të ardhshëm është shumë e rëndësishme dhe jetësore për Wikipedia-n paraqisni medimet tuaja rreth kushteve të cilat duhet të plotësojë një burokrat për të marr pozitën e një Burokrati.
Meqë kandidaturat për burokrat nuk më interesojnë, shkoj të shfletoj disa nga kategoritë në faqen hyrëse të shqipes.
Më tërheq vëmendjen kategoria e shoqërisë civile, ku lexoj:
Shoqëria civile është shume aktive kohet e fundit ne Shqiperi. Shoqeria civile shqiptare synon shkatrrimin e korrupsionit dhe permirsimin e nivelit te jeteses te popullsise se shqiperise.
Jua lë lexuesve të gjykojnë se çfarë idiotizmi përmblidhet në këto pak rreshta; por dua vetëm të shtoj se autori, përveçse nuk e ka idenë se për çfarë po flet, nuk di as të shkruajë shqipen, çka është mangësi serioze për këdo që vihet të hartojë faqe të enciklopedisë Wiki në shqipe. E vetmja gjë që mund t’i admirohet këtij enciklopedisti është guximi i çartur.
Kaloj pastaj te Antropologjia, për të lexuar:
Antropologjia apo mësimet mbi njeriun, mbi zhvillimin e vetive trupore dhe shpirtërorë të tij, bëhen në disa fusha si p.sh Atropologjia biologjike ara së gjithashë merret me shoqëritë fisnore, këndëvështrimi gjeografikë i llojeve të njeriut të sotëshëm, (Rasat e njeriut) si dhe zhvilliet individuale të njerut së bashku me zhvillimet trupore të njeriut. Me studimeve si të qenies njerëzore, pozicionimit të tij si i veçantë në kosmos, sjellja e tij ndaj rrethit dhe natyra e dyfisht krijuese dhe trupore bëhen nga fusha e Anatomisë filozofike.
Unë nuk mund ta di se çfarë kërpudhash meksikane ka tymosur autori, teksa e hartonte zërin e mësipërm të enciklopedisë; por ia qaj hallin studentit të shkretë shqiptar, që nesër do të përpiqet të mësojë diçka nga ky fragment monumental i erudicionit shqiptar, për të arritur në përfundimin se kot u ka hyrë studimeve, dhe se do të kish bërë mirë t’i përkushtohej bagëtisë së imët ose opingarisë profesioniste.
Kaloj pastaj te një listë shkrimtarësh shqiptarë, ku gjej ndër të tjera artikuj për këta udhërrëfyes të mendjeve e të zemrave të shqiptarëve anembanë botës: Abdulaziz Islami, Arben Orhani, Çerçiz Topulli, Dushko Vetmo, Eliott-Hasan Moglica, Fadil Bekteshi, Fejzi Bojku, Fejzullah Fejzullahu, Flori Bruqi, Iljaz Prokshi, Jeton Kelmendi, Kristaq Turtulli, Mirko Gashi, Ndue Ukaj, Qerim Arifi, Ragip Sylaj, Stavri Pone, Vahit Nasufi, Veli Karahoda, Zejnullah Halili…
Më duket vetja sikur kam hyrë në një univers paralel, e për më tepër pa leje.
Bëhem edhe unë pastaj guximtar si autorët e Wiki-t, dhe hap një nyje, të parën ku më shkon mouse-i, dhe pikërisht të autorit Shpendi Sollaku Noé, ku lexoj me një frymë këtë karakterizim nga “personaliteti i njohur italian” Stelvio Mestrovich:
Shpendi sollaku Noé është një shkrimtar i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në underground, ku ka studiuar libra të ndaluara nga regjimi, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I paisur me një përgatitje solide kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, karaktert i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjenzë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filosofike o qoftë politiko-sociale, Shpendi Sollaku Noé është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane.
Më tepër nuk thua dot as për Milan Kunderën, edhe të duash. Përkundrazi, faqja që i kushtohet shkrimtarit tjetër Dritero Agolli, edhe ai poet nga nevoja, duket e kopjuar shpejt e lehtë nga ndonjë manual i lashtë i letërsisë së realizmit socialist për shkollat e mesme bujqësore me korrespondencë:
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritero Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritero Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll. Poemë malore. Hapat e mia në asfalt etj.). Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën “Baballarët” theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritero Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).
Më kot kërkoj, në këtë listë, të dhëna për autorë shqiptarë që i kanë dhënë tonin kulturës gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit: Pëllumb Kulla, Aurel Plasari, Fatos Lubonja, Zef Pllumi, Pjetër Arbnori, Kiço Blushi… ose edhe ndonjë më të vjetër e të mirënjohur, si Gavril Dara (i riu), Jani Vreto, Ndoc Nikaj, Foqion Postoli, Lasgush Poradeci, Anton Harapi, Vincenc Prenushi, Ali Asllani, Arshi Pipa e kështu me radhë deri te Sterjo Spasse, Shefqet Musaraj, Kapllan Resuli, Fadil Paçrami, Kol Jakova, Anton Pashku, Elena Kadare, Ruzhdi Pulaha, Naum Prifti (me gjithë 11.100 referencat në Google) Miço Kallamata, Gjergj Zheji, Ali Abdihoxha… Shkronja Q ka Qerim Arifin, por jo Qamil Buxhelin; shkronja S ka Skënder Mustafin, por jo Sabri Godon as Spiro Çomorën; ndërsa shkrimtarët shqiptarë që u fillon emri me G (Gani, Guri, Gori, Gavrosh, Galip, Gafurr, Gogo, Gugash, Gavril, Gerta, Grigor, Gramoz, Gonxhe, Gojart, Gazmend, Gëzim, Gent) janë të dënuar të mbeten jashtë liste, pasi kjo rubrikë mungon krejt. Gjysma e faqes kushtuar Gjergj Fishtës merret me çështjen krejt anësore të letrave që ky autor i paska shkruar Mussolini-t, thuase është fjala për ta pranuar apo jo poetin e madh geg në ndonjë celulë të Partisë Komuniste. Letërsia arbëreshe, nga ana e vet, është e përfaqësuar deri edhe nga Dushko Vetmo, por Françesk Anton Santorin nuk e shoh të përmendur gjëkundi… Sa më shumë lexoj, aq më shumë turpërohem!
Përkundrazi, Wiki shqip u hap vend shkrimtarëve më të rinj, si Besnik Mustafaj, për të cilin lexojmë:
Më 1991 i ofrohet nga Fatos Nano posti i ministrit të kulturës qe ai refuzon. Më 1992 i ofrohet posti i ministrit të punëve të jashtme që ai gjithashtu refuzon, por pranon postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë (nga 1992 deri në 1997). Si ambasador ai arriti firmosjen e traktatit të miqësisë midis Francës dhe Shqipërisë, traktati i parë miqësie i Shqipërisë me një vend perendimor që nga paktet e Tiranës të viteve 1930. Ai gjithashtu qe negociatori i hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Më 1997 ai jep dorëheqjen pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe rikthehet në Shqipëri, ku ai do të pranoj postin e drejtorit për marrëdheniet me jashtë të Partisë Demokratike.
Pikërisht të dhëna që i hyjnë në punë kujtdo që dëshiron të mësojë diçka për Besnik Mustafajn shkrimtar (pa përmendur sa ironike tingëllon kjo rezyme rutinash politike, në një kohë që Mustafaj gjithnjë kujdesej të precizonte se e vinte letërsinë mbi politikën)!
Ndërsa për një tjetër autor të ri, Ervin Hatibin, lexojmë:
Ervin Hatibi […] është një nga poetët e brezit te ri, ose më mirë i brezit rinor të fundkomunizmit. Ismail Kadare ka thene se Hatibi është vazhdimesia dhe e ardhmja e poezise moderne shqiptare, pra nje talent qe e ka treguar veten qe kur ishte vec 15 vjec. Ervin Hatibi ka shkruar shume poezi te “modeleve” te ndyshme, pra mund te gjejme nje potpuri stilesh ne poezine e tij. Dallohet për origjinalitet dhe perdorjen e mrekullueshme te gjuhes shqipe. Poezia e dhene me lart është shkruar nga Hatibi për grupin e muzikes se lehte Ritfolk, te cilet e kane kthyer ate ne kenget e tyre me te preferuara nga publiku shqiptar. Pothuaj gjitha tekstet e kengeve te Ritfolk kane dale nga pena e Ervin Hatibit. Ketu do gjeni nje poezi me tone moderne te ketij poeti te ri. (cit. Alban Tartari)
Çdo gjë e thënë qartë e pastër, vetëm se, natyrisht, nuk ka asnjë poezi “të dhënë më lart”, dhe kush e ka kopjuar tekstin paturpësisht, nuk ka marrë as mundimin ta redaktojë sado pak (nuk di si ka reaguar ndaj kësaj Alban Tartari).
Nuk vazhdoj dot më, por lexuesit që kanë kohë për të vrarë, mund t’i eksplorojnë vetë ligatinat e Wiki-t shqip, për të marrë kontakt të drejtpëdrejtë me inkompetencën tonë si komunitet në fushë të dijes; ose me apoteozën e llucës në kulturën shqiptare. Edhe liri, edhe demokraci, tha; tamam si e kishim ëndërruar.
Sa për informacion, se më djeg ca, Ervin Hatibi ka shkruar vetëm tre tekste për Ritfolk…kjo mënjanë, “potpuri stilesh” është e së paku i çuditshëm si togfjalësh dhe për një lexues të vëmendëshëm të Hatibit si unë, irritues dhe i paftillueshëm. Unë po ashtu nuk besoj fare, se Alban Taratari, kushdo ky qoftë, ka marrë dhe mendimin apo aprovimin e personazhit për të cilin ka shkruar, kudo që ai tekst mund të gjendet dhe prej nga, siç ju sugjeroni, është kopjuar…meqë ai po e prezanton e nuk po bën ndonjë analizë…sidoqoftë kam qeshur jo pak, jo vetëm me citimet surreale, por dhe me shkrimin vetë…fjala “idiote” nuk mund të zëvendësohet asesi, jam pothuaj i lumtur që gjendet aty lart.
Natyrisht, është qesharake që një autor aq i dashur sa Hatibi të paraqitet kryesisht duke përmendur tekstet që i ka shkruar grupit Ritfolk, në një kohë që e kundërta do të kishte kuptim: Ritfolk të hynte në histori, si një grup për të cilin ka shkruar Hatibi…
http://www.dardania.de/vb/upload/showthread.php?t=22141
siç duket autori i postimeve në këtë forum, është ndonjë fan i Hatibit, por që padashje , nisur nga vullneti i mirë, s’arrin të kuptojë se ç’shkruan.
Kjo është dobësia e Wiki-t për momentin… askush nuk kontrollon askënd dhe akoma botuesit s’kanë pjekurinë e nevojshme për të kuptuar se informacionet e tyre nganjëherë janë më të dëmshme se të nevojshme.
Dhe me të vërtetë nganjëherë shikon “xhevahire” që të bëjnë të të vijë dhimbja e kokës, qofshin edhe kur janë thjesht përkthime nga gjuhët e tjra të Wikipedia-s.
Ndërkohë që Wiki po fiton autoritet nëpër botë, si burim alternativ informacioni, faqet e saja shqiptare ia ulin vlerën detyrimisht. Përdorimi i saj bëhet i pamundur, po të përjashtojmë anën komike dhe argëtuese. Megjithatë, përdoruesi shumëgjuhësh e kupton që turpi duhet t’u mbetet “furnizuesve” me informacion jo hapësirës digitale ku ai shtjellohet. Shembuj idiotësish ka plot. Nuk po humbas kohë të shtoj të tjera, por më kujtohet që një herë në kategorinë e “shqiptarëve të njohur” pashë një shkrimtaruc anonim (vërtet anonim) që rreshtohej paturpësisht krahas personazheve të mëdhenj si Skënderbeu, Fan Noli, Naim Frashëri, etj. Nuk m’u durua dhe ia fshiva emrin. Për respekt të të tjerëve.
Pishak, lëre mos e hap atë muhabet. Sapo ta marrin vesh ca se në Wiki mund edhe t’i fshish artikujt, do ta zbrazin fare seksionin shqip… me përjashtim të faqes së Nënë Terezës e ndoshta të Skënderbeut. Jemi apo nuk jemi gjithnjë gati për luftë civile?
Jemi, si nuk jemi. Gjithmonë gati!
Tani pa shaka. Kënaqësia e Wikit qëndron pikërisht në lirinë e futjes së informacionit dhe të menaxhimit të tij. Je i lirë ta shtosh, ta korrigjosh, ta heqësh…. Në thelb të mesazhit tënd unë shoh pikërisht shqetësimin qytetar ndaj paaftësisë së shqiptarëve për ta administruar lirinë. Sepse, çfarë dreq lirie është ajo që i jep të drejtën një gjysmanalfabeti të shkruajë në publik pa asnjë kontroll? Sepse ne jemi në gjendje ta kuptojmë ku çalon puna, por një adoleshent që i duhet të bëjë hartimin nuk e ka atë mundësi. Po i sakatojmë brezat e rinj. Pa mëshirë. Në këtë pikë e ndjej veten pak fajtor, që nuk kam kohë, energji dhe autoritet për t’i fshirë përfundimisht të gjitha idiotësitë në shqip që gëlojnë internetin.
Po kush jam unë vallë përpara…? Hiçi.
Zotëri, ju përderisa i njihni vetes aftësinë për të dalluar idiotësinë, papërgjegjësinë patologjike, manitë klasike të çdo lloji, provincializmin kështjellar dhe automatik, injorancën epidemike dhe mutative, dhe mund të peshoni tek vetja sëkëlldinë, trishtimin, pafuqinë, pesimizmin, zemërimin; unë besoj se mund të shërbejnë si arsye dhe garanci të mjafta në se jo për të shpikur kohë dhe për ti shndërruar në energji, së paku për t’iu bindur se keni autoritet të mjaftë, edhe pse ndoshta jo të duhurin, për të bërë përpjekje për të ndrequr aty ku mundeni. Ju dukeni se keni miq që mund ti konsultoni dhe nëse kërkoni ndonjë bashkpunëtor, fundja dhe për të qetësuar ndërgjegjen, unë jam i gatshëm ti fshi idiotësitë që në fakt i afrohen më shumë maskarallëkut në wikipedian në shqip, nëse ju do mund të sillni gjë sado pak më të denjë për ta zëvendësuar.
me erdhi nje çik turp duke lexuar kete artikull se ne fakt nuk e konsultoj kete enciklopedi elektronike ne shqip por gjithmone ne nje gjuhe tjeter. Nga ana tjeter, ej cuna pse nuk mundoheni te risni nje çik nivelin e kesaj enciklopedie. Nese nuk e beni ju qe shikoni gabimet, kush do ta bej une ? Nejse ne fakt sikur per çdo artikull te botuar ne nje blog te korrigjonim nje shprehje apo fakt nuk do ishte keq.
dhe harrova - poshte burokracia dhe burokratet (sqarim e kam fjalen per ketu ku jetoj)
Edhe unë e përdor gjerësisht Wikipedia-n, për punë, sidomos në anglishte. Prandaj shqetësohem që fëmijëve shqiptarë të shkollave po u jepet në dorë një produkt fare substandard, i mveshur me autoritetin e “markës” – meqë Wikipedia tanimë e ka fituar një emër e një respekt ndër përdoruesit e Internetit; deri atje sa Google rregullisht ta sjell në krye të listës së faqeve që ka gjetur, pavarësisht nga çfarë je duke kërkuar. Ajo që kanë bërë disa pak vandalë kulturorë me faqet shqipe të Wiki-t nuk ndryshon shumë nga sjelljet e shqiptarëve të tjerë me pronën publike në Shqipëri, të cilën edhe sot e kësaj dite shqipja e rrugës e quan “mall i shtetit”. Kam këtu në blog një faqe me titullin “Kur parkon shqiptari”, e cila ma ilustron mirë këtë që po them. Nga ana tjetër, d. vjen me disa sugjerime për t’i dhënë njëfarë zgjidhjeje këtij turpi. Unë vetë do të mund të rishkruaja e të shëroja ndonjë faqe (në atë pak kohë që më mbetet, pas pune), por nuk më duket se kjo do të ishte zgjidhje; siç thotë Pishaku, jemi një hiç përpara… masës të pashtershme të barbarëve. Nuk ia dalim dot, përveçse duke hipur në pemë (e duke e përshkuar në kah të kundërt shtegun që ndoqi majmuni, i cili i zbriti pemës për t’u bërë njeri). Nejse, duke i lënë shakatë mënjanë, unë mendoj se një zgjidhje do të ishte të mobilizoheshin forcat e lira të Universitetit të Tiranës dhe të Akademisë së Shkencave, të cilat mund ta ndërprisnin përkohësisht veprimtarinë rutinë të prodhimit të artikujve, temave dhe disertacioneve (që, midis nesh, janë përgjithësisht pa vlerë), dhe të punonin për t’ua dhënë shqiptarëve një Wikipedia dinjitoze në gjuhën shqipe. Secila katedër, secila degë, secili specialitet do të mbulonte fushën përkatëse, nën koordinimin e një redaksie fare të vogël, e cila të kujdesej për të formuluar pak kritere teknike e pastaj për t’i futur materialet në Wiki. Me këtë rast, po më shkon mendja të shkruaj një artikull, ose një letër të hapur në “Shekulli”, ku t’i bëj thirrje rektorit të UT dhe ministrit të Arsimit që ta marrin në dorë këtë punë. E mira e propozimit tim është se nuk ka nevojë për asnjë shpenzim shtesë, as për zhvendosje fondesh, por vetëm për shfrytëzim të kohës që normalisht u jepet studentëve dhe pedagogëve për “kërkime” shkencore, të cilat përfundojnë pastaj të varrosura në dollapët e katedrave ose në bibliotekat e fakulteteve. Materiali që duhet futur në Wiki ekziston, por i shpërndarë poshtë e lart, kryesisht në monografi e në revista shkencore; prandaj duhet vetëm përpunuar e riorganizuar, duke u përditësuar e duke u përshtatur për mjedisin virtual, nëpërmjet pajisjes së domosdoshme me mbinyje (hyperlinks) e formatime të tjera të nevojshme, të cilat duhet të mësohen t’i bëjnë të gjithë ata që shkruajnë, për Wikipedian ose jo.
Xha Xha,
Si ish-student relativisht i fresket, te garantoj qe sa e fisme dhe qellim-mbare eshte ideja jote, aq eshte edhe totalisht utopike. Rektoret, dekanet, shefat e departamenteve, etj., jane administrajdute te se mires (lexo: parase) publike. Nese filan inisiative sjell vetem harxhim kohe, riorganizim pune dhe burimesh dhe asnje perfitim politik apo financiar…nuk bohet.
Pishaku ka te drejte, ne administrimin e lirise jemi dobet. Nuk na e rrokin qelizat cerebrale konceptin e te mires se perbashket.
Megjithate, per sa kohe qe nuk arrijme te prodhojme artikuj te sakte dhe korrekte, te pakten mund te fshijme ata artikuj qe nuk i permbushin kriteret e Wikipedia-s.
Te pakten kjo…
Xhaje, edhe Wikipedia ne anglisht ashtu ka qene kur ishte e vogel. Ben nje gabim te madh kur fajeson “autorin” pasi artikujt tek Wikipedia ne pergjithesi jane nga autore te ndryshem. Mos u merzit shume per studentet shqiptare se ata qe s’dijne te dallojne burimet serioze mire t’u behet.
kjo liri dhe demokracia e perdorur pa karar do na marri me qafe neve
mire do ishte te kishte njefare admini per wikipedian shqip..
Kjo qe secili ketu shkruan ate qe deshiron dhe me mbetet e tille dhe se autori i ketij shkrimi krenohet me shkrimin e tij aq te diskuteueshem e ben te dallohen perrallat nga enciklopedia.
Formuet e njohura ne internet dhe blog hapesirat sjan asgje ne krahasim me nje enciklopedi qe ndoshta per momentin eshte ne zhvillim e siper por me kohe do te pushtoj motoret e kerkimit dhe do te behet hapesire e mire e informimit enciklopedik.
Mos mendoni se une apo dy a tre persona tjere pekujdesen per kete sepse per kete qellim do te perkujdesen tegith ata te cilet ia duan te miren diturise se popullit shqip foles.
Pershendetje.
Xha Xhai, duhet te kuptosh se eshte shume me e lehte te erret iniciativa te hapen hapesira blog dhe forume dhe ne to te shkruhen idete dhe tekstet te cilat nese i krahason me artikujt qe ndoshta s’duhet te jene (”he mos qofshin” thot populli) ne wiki prape jane thash e theme. Fundja autoret si ti duhet kuptuar porosine kryesore te wiki-t : E lire per perdorim dhe editim.
Ti si i ditur qe je, edito per t’i shtuar kualitetin. Ose meqe artikulli yt u perfol kaq shume kritiko se edhe kitikat e shtojne interesin per ndihme te te paditurve.
Sa i perket mendimit tend se wiki zbrazet nese fillohen te grisen artikujt qe s’duhet te jene : e kegabim, sepse ska artikull qe s’duhet te jete e qe ska artikull qe s’duhet permirsuar.
Ju nuk po e kuptoni porosine : E lire (per lufte kah e mira).