NË INTERNET ME BAMIRIN
August 7, 2007 by Xha Xhai
Të gjithë ata lundrues të Internetit, shqiptarë e të huaj, që duan të dinë diçka më tepër për Presidentin e ri të Republikës Shqiptare, zotin Bamir Topi, mund të vizitojnë faqen zyrtare të Presidencës së Republikës, e cila përmban e shpalos të dhëna të larmishme për veprimtarinë e këtij institucioni të lartë dhe të titullarit të tij të sapozgjedhur.
Për fat të mirë të botës mbarë, faqja mund të shfletohet edhe në versionin anglisht.
Në një artikull agresiv të para pak ditëve, Kastriot Myftaraj i gazetës “Sot” analizoi gjërë e gjatë disa pohime të diskutueshme në jetëshkrimin e Presidentit; por mua hipotezat e Myftarajt më tingëllojnë edhe më të diskutueshme sesa informacioni në Curriculum Vitae të Presidentit. Nga ana tjetër, nuk mund të mos përmend një hollësi të vetme të cilën e kish vënë re edhe Myftaraj: këmbënguljen e jetëshkruesve të Presidentit Topi për ta theksuar prejardhjen e heroit të tyre nga një “familje autoktone tiranase me tradita qytetare”.
Natyrisht, sikur Presidenti shqiptar të qëllonte të ishte fëmija i shtatë jashtë kurore i ndonjë evgjitke epileptike dhe pak sifilitike nga Bregu i Lumit, nuk besoj se kalemxhinjtë do të vraponin t’ia shpërndanin këtë informacion publikut në faqen zyrtare; prandaj kam të drejtë të supozoj edhe unë se, në disa qarqe elitare, rrënjët krahinore të Bamir Topit, të qenët e tij tiranas “safi” e sidomos tiranas autokton (jo dibran, llacifac, pezak, malok, jabanxhi, fusharak, gollobordas; as i lindur befasisht në një familje oficeri të rreptë të xhenjos me origjinë nga Bënça e Tepelenës), e sidomos traditat qytetare, shihen si pluse të mëdha biografike.
Nuk di në është shkruar ndonjëherë për Sali Berishën, bie fjala, që rrjedh burrërisht nga një klan malësor me tradita rurale të theksuara…
Nga të gjitha grimcat njerëzore që ofron faqja, më fort spikat autoktonia e familjes Topi; sepse ne shqiptarët, pavarësisht prej traditave të lashta baritore e shëtitore, që tani së fundi i kemi ripërtërirë duke u dyndur të gjithë drejt Tiranës, e kemi merak të madh autoktoninë, veçanërisht tonën.
Megjithatë, familja e nderuar Topi nuk më duket se fiton gjë nga theksimi i autoktonisë qytetare, meqë autoktonët tiranas – të cilët i dua shumë dhe më kanë rritur e më kanë ushqyer me bukë me vaj e me sheqer kur isha i vogël – nuk i kanë dhënë gjë të madhe as politikës, as shkencës, as kulturës shqiptare; as pretendojnë t’i kenë dhënë.
As di të ketë ndonjë provë për epërsinë e autoktonëve ndaj të ardhurve në një qytet si Tirana, i cili u bë kryeqytet rastësisht e pa pasur asnjë meritë të shënueshme përveç pozicionit gjeografik anonim.
As ma merr mendja që Topi të jetë instaluar në Presidencë për të zgjidhur problemet e tiranasve autoktonë, të cilëve – si rregullisht gjatë shekullit të fundit – po ua marrin frymën të tjerët: të ardhurit, imigrantët, pushtuesit, shpronësuesit, çeçenët… këtë herë madje edhe duke ua derdhur betonin përsipër, siç ka bërë gjithnjë Mafia.
Po të isha unë qytetar i Republikës Shqiptare, nuk do të më bëhej vonë nëse Topi është me origjinë thrakase, apo pasardhës në vijë patrilineare i Tanush Topisë, apo edhe i Fundmi i Mohikanëve. Midis autoktonisë qytetare tiranase dhe detyrave që i cakton Presidentit kushtetuta e Republikës nuk gjej dot asgjë të përbashkët.
E di; jetojmë në një periudhë kur të gjithë duan të jenë krenarë jo për çfarë po përpiqen të arrijnë, po për çfarë janë e prej nga e kanë prejardhjen; prandaj edhe faqja e Presidencës nuk do të bëjë përjashtim, madje edhe sikur Bamir Topi vetë të mos e shfletojë dot kurrë, e të mos e marrë vesh se me çfarë po mburren të tjerët për të.
Dhe meqë ra fjala, më mirë të mos e shfletojë. Sepse, ruajna zot, i vete dora dhe klikon mbi butonin që të fut në seksionin anglisht, ku do të ndeshet ballazi me këtë paragraf të përkthyer nga fjalimi i tij përshëndetës gjatë vizitës në Regjimentin Komando të Zall-Herrit:
I am not paying my very first visit to the Armed Forces structures as the President of the Republic by chance to one of the elite AF units, here at the Commando Regiment. I came here respecting the Constitution to share with you, the military and civil personnel of the Armed Forces, both the undeniable efforts and achievements and our concerns and responsibilities to fulfill the major objectives lying ahead of us.
Lexojeni, o anglishtfolës në gjirin tonë; dhe qajani hallin përkthyesit, që do t’i kenë ikur dritat e mbetur puna përgjysmë.
Përndryshe këto nuk janë gjëra që u lëshohen ashtu lehtë vizitorëve të faqes e kureshtarëve gjithfarësh; meqë pastaj nuk kemi arsye të habitemi me botën që na qëndron larg e na druhet; as me ata të tjerët që, nuk na e duan të mirën e që janë gati të ngrihen nesër të thonë se Shqipëria nuk do të futet në NATO-n e madhe, pa mësuar më parë anglishten terxhumanët e dragomanët e Presidencës së Republikës Autoktone Qytetare Shqiptare.
Nje tjeter aspekt i krizes sone te brendshme, te jashtme, ne marrdhenie me njeri-tjetrin, ne jeten e perditshme, ne mardheniet me nenat tona, me baballaret, me shoket dhe shoqet… Ne, si komb, me gjithe cka brenda kjo fjale, jemi ne nje krize te forte. Krize. Ne me shume se kurre jemi ne krize.
U zgjata dhe u thellova ca si shume, por ky detaj sa i hidhur aq edhe qesharak, me duket thjesht nje tjeter tjegull mbi catine tone te kalbur, ate te tranzicionit tone, te cilit nuk po i duket fundi.
Krize eshte fjala kyce, besoj.
Analizo poemen simfonike te nobelistit Sefer Daja:
Nga katuni ke ardh’,
N’Tiron’ ke zon’ ven’,
Me kaptinen si dardh’,
Do me na dhon dhe men’…
Mbase aty do gjesh kumtin pse insistohet me den-baba-den-llekun tirons….
Kjo tregon edhe njëherë se sa e fortë është tek ne ndjenja e përkatësisë. Një fjali e tillë si ajo që është shkruar me enfatizëm të madh në sitin e presidentit të vendit nuk mund të interpretohet veçse nën një formë përçmuese për gjithë “ne të tjerët” që nuk jemi nga familje autoctone tiranse, ose bie fjala autoktone të çdo qyteti tjetër. Një specifikim i orgjinave familiare në këto terma është diçka që nuk qëndron asgjëkund përveç se në mendjen e atyre që e kanë shkruar. Do ishte shumë e gabuar që të nënvleftësoheshin këto pomicione pasi kthehen sistematikisht në arenën publike shqiptare. Dashamir Shehi për shembull do zonën 31 se edhe ai është qytetar tirans me tradita të forta dhe autoktone njëlloj me presidentin aktual. Si mund të pretendojmë ne delet e shpërndara nëpër botë që ti krijojmë vetes ndonje hapsirë politike përfaqësimi në vendet ku jetojmë kur vetë “udhëheqja” jonë ndjek kritere vlerësimi që në Itali (shëmbull meqë jetoj) dëgjohen vetëm nga përfaqësues politik të forcate estreme separatiste si Lega Nord? Si duhet të ndihen qytetarët e Amsterdamit bie fjala që kryetari i bashkisë së tyre është me orgjine marokene dhe jo amsterdamez autokton me tradita të forta qytetare?