• Home
  • Histori
  • Kulturë
  • Politikë
  • Sociologji
  • Totalitarizëm

Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta

Feeds:
Posts
Comments
« SHQIPJA TOTALITARE (XXI)
SHARRA »

SHQIPJA TOTALITARE (XXII)

December 16, 2007 by Xha Xhai

Kur vinte fjala për të përfaqësuar e përmendur në ligjërimin publik njeriun e ri, skematizmi merrte përparësi ndaj krijimtarisë, kryesisht ngaqë imazhi i njeriut të ri ishte i përcaktuar ideologjikisht dhe nuk lejonte shmangie nga klishetë, as fluturime të tepruara të fantazisë, si në rastin e portretizimit të armikut.

Para se të paraqitej si individual, njeriu i ri ishte pjesë e klasës ose e kolektivit ose e një grupi që vepronte në mënyrë korale: masat e gjera, masat punonjëse, fshatarësia kooperativiste, klasa punëtore, bijtë dhe bijat e popullit, rinia jonë heroike, nënat dhe motrat, inteligjencia popullore, veteranët, heronjtë e luftës dhe të punës, heronjtë e heshtur, shokët në terren, ata që jetojnë me djersën e ballit, shokët në bazë, njerëzit tanë…

Natyrisht, edhe kur flitej për masat e gjëra punonjëse, ligjërimi totalitar ruante parapëlqimet e veta, në kuptimin që figura e metalurgut do të merrte përparësi ndaj, të themi, bletërritësit ose argjendarit. Kjo materializohej pastaj edhe në temat dhe personazhet e pikturave dhe të skulpturave, ose në imazherinë e pllakateve të propagandës “revolucionare”. Kategori të caktuara punonjësish do të vinin duke u mitologjizuar kështu deri atje sa të shndërroheshin në elemente të thjeshtuara narrativash njëlloj të thjeshtuara, për proceset ekonomike dhe sociale në Shqipërinë e kohës: naftëtarët, tornitorët, frezatorët, shkrirësit e bakrit, saldatorët, montatorët, ndërtuesit, tekstilistet, traktoristët, zetoristët, mjelëset, kombajnerët, fillrojtësit, minatorët, tipografët, novatorët, punëtorët e partisë, veprimtarët shoqërorë, sulmuesit, vullnetarët, aksionistët, kufitarët, pilotët. Ekzaltimi i këtyre figurave algjebrike u bënte jehonë politikave totalitare për zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga ana tjetër, grupi shoqëror, kategoria profesionale ose klasa shoqërore pikturoheshin si reale, ndërsa individi rezultonte më tepër fryt i një procesi abstraksoni ose sinekdoke, të ngjashëm me tipizimin si metodë të letërsinë realiste.

Heroi pozitiv në ligjërimin publik vinte me një bagazh të përcaktuar mirë virtytesh morale, të cilat rregullisht do t’i përshtateshin vizionit totalitar për njeriun e ri si skllav, kur ishte fjala për të punuar, dhe ushtar, kur ishte fjala për të luftuar.

Klikës totalitare i duheshin shqiptarë që të punonin kokulur për ta shndërruar Shqipërinë në kështjellë të pamposhtur në brigjet e Adriatikut, por edhe që të ishin pastaj gati për të dhënë (edhe) jetën në luftë për ta mbrojtur kështjellën. Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, nocioni i gatishmërisë është kyç për të kuptuar mënyrën e ndërtimit të mitit. “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë” ishte ndoshta parulla më e rëndomtë në manifestimet politike publike, nëpërmjet së cilës masa i shprehte besnikërinë udhëheqësit.

Skllavi përshkruhej si gjithnjë i gatshëm për punë, palodhur, i thjeshtë, i papërtuar, fjalëpak, i punës e i veprave, në krye të detyrës, në pararojë, shërbëtor i popullit, këmbëngulës, i pakursyer, me duar të arta, me duar me kallo, kapitali më i çmuar, që i përvishej punës me frymë (vrull, zell, vendosmëri) revolucionare, që nuk mbyllte sy, që nuk ia bënte Partisë fjalën dysh.

Ushtari, nga ana e vet, ravijëzohej si përherë i gatshëm për betejë, për të marshuar, për t’u hedhur në sulm, për t’u sakrifikuar e për të derdhur gjakun në mbrojtje të fitoreve; vigjilent, syhapur, syshkëndijë, me barutin thatë; i besës, i fjalës, që nuk dorëzohej kurrë, i paepur, i pathyeshëm, i patundur, vetëmohues, shkëmb graniti, i pamëshirshëm me armikun, i pushkës dhe i penës.

Edhe skllevërit edhe ushtarët përfshiheshin në skenën publike vetëm pasi t’i ishin nënshtruar me sukses procesit të indoktrinimit ideologjik, i cili i shndërronte në të formuar, të brumosur me frymën e klasës, që e vinin interesin e përgjithshëm mbi interesin vetjak, të partishëm, zemërzjarrtë, me qëndrim të mirë, me tendenciozitet klasor, të edukuar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, e natyrisht, të gatshëm për të ngrënë edhe bar, për të mos i shkelur parimet.

Kjo mizëri skllevërish e ushtarësh kish nevojë për mbikqyrësit e komandantët e vet, sikurse kish nevojë për të adhuruar idhullin sublim të autoritetit, ose Udhëheqësin; pa të cilin jo vetëm makina totalitare nuk do të funksiononte dot, por edhe vetë ligjërimi publik do të bëhej i pamundshëm.

Në jetën sociale, Udhëheqësi funksiononte si burimi suprem i motivimit; në ligjërim si burimi suprem i kuptimit. Edhe në jetën sociale, edhe në ligjërim, Udhëheqësi ishte pika imagjinare e referimit, interlokutori abstrakt, ose prindi e gjykatësi autoritar para të cilit duhej përligjur gjithçka.

Si edhe në fusha të tjera, kur ishte fjala për karakterizime të Udhëheqësit, metaforat ushtarake zinin kryet e vendit: komandant legjendar, komandant i lavdishëm, strateg, arkitekt i fitoreve të socializmit, largpamës. Duke u mëshuar cilësimeve të tilla, ligjërimi totalitar i referohej edhe përfytyrimit popullor për shqiptarët si popull tradicionalisht luftarak e për shqiptarin që “nuk e ka qitë lokja prej barkut, por huta prej çarkut”.

Nga ana tjetër, Udhëheqësi do të paraqitej edhe si i thjeshtë, zemërflori, njeri i shtresës, popullor, pa salltanete; sikurse ai vetë do të kujdesej ta karakterizonte veten si besnik i Partisë, ushtar i Partisë, ushtar i revolucionit, shërbëtor i popullit. Kjo modesti, në vetvete skandaloze, duhej të përligjte pastaj të gjitha kërkesat për sakrifica, gatishmëri dhe vigjilencë.

Kreu i regjimit totalitar – ose Enver Hoxha, në rastin konkret të totalitarizmit shqiptar – duhej paraqitur në mënyrë të tillë që publiku, në atë masë që i ekspozohej paraqitjes, nuk mund të konstituohej veçse si ushtar ose si skllav ose si pjesë e një mase të panumërt, e cila e gjente identitetin vetëm duke adhuruar Kreun.

Në ligjëratat e veta publike, Enver Hoxha rregullisht e identifikonte veten me Partinë, nëpërmjet një loje të hollë deiktike që kish për synim ta paraqiste çdo kundërvënie ndaj tij si kundërvënie ndaj vijës politike ekzistuese. Kjo pasqyrohej edhe në një nga parullat më domethënëse të ligjërimit totalitar: “Ne themi Enveri dhe nënkuptojmë Partia; ne themi Partia dhe nënkuptojmë Enveri.” Loja deiktike konsistonte në atë që “Partia” ishte emri me të cilin i drejtohej vetes Udhëheqësi, në vetën e tretë; çka mbështetej në atë që Sekretari i Parë ishte njëfarësoj i lejuar, madje i autorizuar, të fliste në emër të Partisë, e ta personifikonte atë në sytë e publikut.

Përndryshe, në kontekstet e ligjërimit publik, shoku Enver manifestohej si fjalë, çka përputhej me rolin themelor të kësaj figure në përfytyrimin kolektiv, si burim primordial të vetë ligjërimit publik. Fjalët e Udhëheqësit duheshin jo vetëm dëgjuar, por edhe studiuar, përsëritur, zbërthyer, përvetësuar dhe riprodhuar; sepse vetëm ashtu ligjërimi politik do të fitonte legjitimitetin e nevojshëm. Nga kjo pikëpamje, vepra e shkruar e Enver Hoxhës ishte njëkohësisht burimi dhe destinimi i vetëdijes kolektive të totalitarizmit shqiptar. Nuk ishte rastësi, as thjesht produkt i megalomanisë, që krerët e regjimeve totalitare e shihnin të arsyeshme të shkruanin për të gjitha çështjet dhe temat e mundshme: nga nafta te gjuhësia, nga vreshtaria te gjeopolitika, nga jurisprudenca te metafizika arabe. Ligjërata e Enverit merrte kështu detyrimisht atributet e programeve, në bazë të të cilave funksiononte ligjërimi publik; programeve të cilat përcaktonin kuptimet dhe ngjyrimet emotive, tonin dhe regjistrin e ligjëratave; por edhe që i ofronin të gatshme ato të vërteta të cilat pastaj, tautologjikisht, duheshin “provuar” e argumentuar nëpërmjet veprimtarisë ligjërimore rutinë.

About these ads

Mikrofoni

  • Print
  • More
  • Digg

Like this:

Like Loading...

Posted in Gjuhësi, Totalitarizëm | Tagged njeriu i ri, shqipja totalitare, totalitarizmi | 4 Comments

4 Responses

  1. on December 18, 2007 at 3:38 pm lulian kodra

    Xhaxha, kam dicka te paqarte, te cilen shpresoj te m’a sqarosh, ne lidhje me kete pjese. Kur behet fjale per figuren e skllavit, kam te ngulitur ne koke, minimumi zinxhiret, apo kamzhikun si shfaqje publike. Nuk dua te them qe zinxhiret dhe kamzhiku ne ate kohe nuk ekzistonin, si rrjedhoje perdorimi i figures se skllavit eshte pa vend. Thjesht dua te ve ne dukje qe skllaveria ishte e heshtur, mjetet e skllaverimit, jo publike, por private, ne dhoma torture te sherbimit sekret. Rrrjedhimisht edhe shfaqja e figures se skllavit, nuk ka qene publike, por private.

    Sic edhe kam vene re, mbase edhe gabim prej meje, qellimi i ketij cikli prej teje, me duket konteksti i gjuhes totalitare, sic edhe shprehet ne titull. Si e tille, skllaveria ishte dicka nga e cila regjimi na clironte, sic edhe e ke shprehur ne vende te tjera ne lidhje me clirimin prej vargonjeve te huaj, apo prej kulakeve, apo prej armiqeve, etj. Keshtu pra, ne kontekstin e gjuhes totalitare, me duket gabim te perdoresh “skllav, kur ishte fjala për të punuar”, pasi skllaveria nuk eshte pjese e kesaj gjuhe. Skllaveria eshte e crrenjosur nga gjuha publike totalitare jo vetem per ate qe partia na cliroi, por gjithashtu sepse punetori si skllav mund te gjykohet i tille vetem nga perspektiva e sotshme, pra nga konteksti i sotshem, i cili ne njefare menyre eshte i crrenjosur nga konteksti i djeshem.

    Mungesa e lirise vertete justifikohej me gatishmerine, por ne qofte se do t’a kapesh edhe me thelle, mentaliteti ishte determinist, dhe ajo qe e justifikonte me teper mungesen e lirise, ishte “puna vullnetare”. Keshtu edhe paradoksi i nje “lirie me rrenje” ne gjak, te shprehur disi tek pjesa e meparshme, mund te kete marre trajtat e vullnetit. Te jesh skllav, do te thote te deshirosh lirine prej zinxhireve. Mirepo nga ana tjeter, ne qofte se keto zinxhire jane puna, atehere keto ishin zinxhire te vullnetshem, do te thote qe nuk ka pasur nje deshire per clirimin prej ketyre zinxhireve, do te thote qe figura e skllavit eshte e pavlefshme, perderisa deshira per t’u cliruar ka munguar.

    A mund te me sqarosh?


  2. on December 18, 2007 at 3:55 pm Xha Xhai

    Lulian, e kuptoj mirë vërejtjen tënde; edhe pse unë me “skllevër” kam parasysh njerëz që nuk vendosnin dot nëse do të punonin apo jo, dhe se ku dhe për kë do të punonin; të cilëve shteti ua shfrytëzonte punën deri në fund, por i detyronte të të mendonin se punonin “për veten e tyre”; e më në fund, të cilëve u thuhej, ditë e natë, se ishin çliruar prej shfrytëzimit kapitalist, ose prej detyrimit për të punuar “për beun” – sidoqë ndërrimi i punëdhënësit nuk përbën ndonjë çlirim, dhe në rastin e regjimit komunist përbën një hap prapa, në raport me tregun kapitalist të punës. Ti thua se dëshira për t’u çliruar nga vargonjtë e punës mund “të ketë munguar”, me ç’rast figura e skllavit del “e pavlefshme”; por unë të them se në Shqipërinë totalitare, po të refuzoje të punoje atje ku të dërgonin, mund të dënoheshe me burg, meqë kishte edhe një nen të kodit penal që parashikonte dënim për “parazitizmin”; pavarësisht se shpesh dënimi reduktohej në internim. Mua më duket se pjesa më e madhe e punonjësve nuk dëshironin të bënin atë punë të cilën detyroheshin ta bënin; mirëpo natyra e marrëdhënieve të regjimit me individin ishte e tillë, që dëshirat vetjake për punësim nuk merreshin parasysh. Po këtyre njerëzve regjimi u mohonte deri edhe lirinë për të ndërruar vendbanimin brenda territorit shtetëror (famëkeqi pasaportizim). E kam thënë edhe në një kapitull tjetër të kësaj teme, se puna e quajtur vullnetare ishte, në të vërtetë, punë e detyruar, ose vazhdim i punës angari të dikurshme; dhe se ndërrimi i emrit nga “e detyruar” në “vullnetare” ishte një nga ato ironitë orwelliane me të cilat dëfrehej propaganda totalitare. Të falënderoj, megjithatë, për vërejtjen, e cila më ndihmon jashtëzakonisht.


  3. on December 18, 2007 at 5:12 pm lulian kodra

    Falemnderit Xhaxha, dhe shume dakord. Thjesht doja te vija ne dukje se termi “skllav” nuk perdorej per te prezantuar punetoret, cka do ishte edhe e verteta e pathene, ose e thene por me pasoja, por per te prezantuar skllaverine e tyre te meparshme, vargonjte e te ciles thuhej publikisht se partia i keputi.


  4. on December 18, 2007 at 5:28 pm lulian kodra

    Edhe nje te vogel ne lidhje me kete, c’ka edhe mund t’a kesh permendur dhe nuk me kujtohet. Perderisa Partia merrte mbi vete rolin e cliruesit, te kerkoje te cliroheshe prej asaj qe thoshte partia, do te thoshte te kerkoje te mos ishe i cliruar. Ne kete aspekt vjen edhe justifikimi ligjor i parazitizmit, apo i pasaportizimit. E thene ndryshe, “C’thote Partia ben Populli. C’do Populli ben Partia”.



Comments are closed.

  • Lutje bashkëpunëtorëve

    Herë pas here, miq dhe kolegë të ndryshëm më dërgojnë materiale për publikim në blog, si autorë të ftuar.

    Deri më sot blogu ka qenë i hapur për kontribute të tilla; por besoj se ka ardhur koha të zbatojmë një kriter të ri për publikimet nga autorë sporadikë.

    Kolegët janë të ftuar dhe të mirëpritur të marrin pjesë aktivisht në debatet e ndryshme në blog; dhe vetëm më pas të publikojnë aty materialet e tyre. Më shumë se për pluralitet autorësh, kemi nevojë për pluralitet mendimesh.

    Nuk inkurajojmë, nga ana tjetër, kontribute të izoluara nga miq dhe kolegë që përndryshe nuk kanë kohë, mundësi ose dëshirë për t’u aktivizuar në komentet dhe në veprimtarinë e blogut.

    E njëjta gjë vlen për autorë sporadikë, që marrin mundimin të komentojnë vetëm për shkrimet e veta – meqë blogu nuk duhet kuptuar si shtëpi ku merren dhoma me qera.

    Autorët e ftuar në blog duhet të kenë krijuar, kështu, një profil të tyrin virtual nëpërmjet komenteve, sepse ashtu edhe lexuesi do t’i ndjekë më mirë.

    Ky kriter nuk formulohet ad hoc, për këtë apo bashkëpunëtor në veçanti, por është për t’u interpretuar si një kërkesë e arsyeshme, që përmirëson komunikimin e blogut me lexuesin.

    Xha Xhai

  • Reaksione

    Xha Xhai on Feja si majdanozi
    Nejona on Feja si majdanozi
    Relapso on TË ARDHUR E TË IKUR
    ipare on TË ARDHUR E TË IKUR
    LG on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
    ipare on TË ARDHUR E TË IKUR
    xhibi on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
    highlander on TË ARDHUR E TË IKUR
  • Enzima

    • PROMETEU NË FARMACI
    • MËSIME KLASIKE
    • TË ARDHUR E TË IKUR
    • Q
    • FTESË
    • TE TALLËSH BYTHËN GJUHËSISHT
    • ÇFARË FILMASH SHEH?
    • LLOJE TË CENSURËS
    • MIGRACIONI I HARRUAR
    • KËTA TË SOTMIT
  • Twitter

    • RT @Peizazhe: KËTA TË SOTMIT wp.me/p5CYF-3hp 1 week ago
    • MASH e shqetëson më shumë përdorimi politik i raportit të BB nga opozita, sesa përmbajtja. #ANALFABETIZËM FUNKSIONAL xhaxhai.wordpress.com/2013/04/29/ana… 2 weeks ago
    • RESPEKT PËR DORËHEQJEN xhaxhai.wordpress.com/2013/04/17/res… #KQZ 1 month ago
    • SPJUNLLIQE wp.me/p5CYF-3fc 1 month ago
    • RT @Peizazhe: MË GJEJ NJË FOTO TË BUKUR wp.me/p5CYF-3eT 1 month ago
    Follow @xhaxhai
  • Pineska

    arti Ballkani cargo cult censura demokracia drejtshkrimi Edi Rama emigracioni emigrantët Enver Hoxha Europa fjalët e huaja gegërishtja gjuha shqipe huazimet ilirët institucionet Interneti islami Ismail Kadare Kadareja kanuni katolicizmi kombëtarizmi komunizmi Kosova ligjërimi publik mediat Nënë Tereza pluralizmi politika populizmi privatësia protesta publiku purizmi përkthimi Sali Berisha shqipja e drunjtë shqipja e njësuar shqipja totalitare standardi teknologjia Tirana totalitarizmi
  • RSS Shqipologji

    • Një mohim, dy përcjellore
    • Motra e vogël e “mbetem”
    • Folje e sëmurë
    • Fjalë e lashtë
    • Në kontekst
  • Për ajrim

    • Alb-Club
    • Arbër Shtëmbari
    • Ardit Rada
    • Ba Bai
    • Besnik Pula Blog
    • Bizantin
    • Busulla
    • E-Zani i Nalte
    • Edlira Gjoni
    • Epigraphica
    • Fletore shënimesh (Arbër Zaimi)
    • Flokënaja
    • Gastare
    • Gomari ballkanik
    • Krypa
    • OBOBO News
    • Organizata politike
    • Përpjekja
    • Pëshpërima
    • Peshku pa ujë
    • Poezi shqip
    • Programe shqip
    • Rando Devole
    • Regtima
    • ResPublica
    • Rrethi lakanian i Tiranës
    • Sheshet
    • Shtëpia e librit
    • Sleepwalkers
    • Stalker
    • Tannhauser
    • Tirana Calling
    • Vështrime
    • Xixa
  • Bujrum

    • Register
    • Log in
    • Entries RSS
    • Comments RSS
    • WordPress.com
  • Numëratori Geiger

    • 1,745,226 hits
  • Dosjet sekrete

    • May 2013 (16)
    • April 2013 (24)
    • March 2013 (22)
    • February 2013 (28)
    • January 2013 (33)
    • December 2012 (26)
    • November 2012 (30)
    • October 2012 (27)
    • September 2012 (25)
    • August 2012 (26)
    • July 2012 (30)
    • June 2012 (23)
    • May 2012 (24)
    • April 2012 (21)
    • March 2012 (27)
    • February 2012 (29)
    • January 2012 (32)
    • December 2011 (30)
    • November 2011 (35)
    • October 2011 (31)
    • September 2011 (35)
    • August 2011 (34)
    • July 2011 (24)
    • June 2011 (30)
    • May 2011 (30)
    • April 2011 (24)
    • March 2011 (27)
    • February 2011 (28)
    • January 2011 (36)
    • December 2010 (22)
    • November 2010 (25)
    • October 2010 (23)
    • September 2010 (27)
    • August 2010 (27)
    • July 2010 (24)
    • June 2010 (31)
    • May 2010 (25)
    • April 2010 (29)
    • March 2010 (27)
    • February 2010 (21)
    • January 2010 (26)
    • December 2009 (25)
    • November 2009 (25)
    • October 2009 (19)
    • September 2009 (27)
    • August 2009 (21)
    • July 2009 (23)
    • June 2009 (22)
    • May 2009 (20)
    • April 2009 (23)
    • March 2009 (30)
    • February 2009 (23)
    • January 2009 (34)
    • December 2008 (20)
    • November 2008 (25)
    • October 2008 (17)
    • September 2008 (15)
    • August 2008 (16)
    • July 2008 (18)
    • June 2008 (18)
    • May 2008 (18)
    • April 2008 (14)
    • March 2008 (15)
    • February 2008 (13)
    • January 2008 (17)
    • December 2007 (24)
    • November 2007 (23)
    • October 2007 (21)
    • September 2007 (18)
    • August 2007 (18)
    • July 2007 (22)
  • Enter your email address to subscribe to this blog and receive notifications of new posts by email.

    Join 5,037 other followers

  • Copyright

    Creative Commons License
    Materialet origjinale në këtë faqe (përjashtuar komentet) by Peizazhe të fjalës is licensed under a Creative Commons Attribution 3.0 Unported License.
    Based on a work at xhaxhai.wordpress.com.

Blog at WordPress.com.

Theme: MistyLook by WPThemes.


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,037 other followers

Powered by WordPress.com
%d bloggers like this: