KU FYTYRA, KU MASKA
May 13, 2008 by Xha Xhai
Nuk jam as i pari as i fundit që e vras mendjen për shkaqet e maskarallëkut që mbizotëron çdo sferë e çdo instancë të jetës shqiptare sot – private dhe publike, të elitave dhe të masës, të qytetit dhe të fshatit. Varfëria materiale, materializmi, parazitizmi, mungesa e një feje të konsoliduar, mendësia e ashtuquajtur “anadollake”, varfëria shpirtërore, lëvizjet e mëdha të popullsisë, paranoja e izolimit… është e lehtë të ngatërrohesh në këtë labirint shkaqesh që shpesh përfundojnë të reduktuar në pasoja shkaqesh të tjera.
Megjithatë, është e mundur ta konsolidosh diskutimin në pikat e mëposhtme, ose të debatosh nëse kriza e sotme morale dhe sociale në Shqipëri i ka shkaqet:
- në adoptimin e shpejtuar dhe artificial të ekonomisë së tregut, pluripartitizmit dhe demokracisë parlamentare perëndimore;
- në konfuzionin në lidhje me çështjen e pronës private;
- në shkatërrimin shpirtëror dhe etik që i bëri shqiptarit gjysmë shekulli totalitarizëm brutal;
- në traditën historike ose tribale të shqiptarit, si komb i paformuar, ose si bashkësi që nuk i gjen dot forcat të formojë dhe të mbajë shtetin.
Ky diskutim meriton t’i qasesh nga shumë anë: historike, ekonomike, etike, psikologjike, sociologjike. Natyrisht, analiza e shkaqeve të krizës nuk shpie vetvetiu në zgjidhje të krizës; madje as ka për qëllim zgjidhjen e krizës, e cila mund të arrihet vetëm me anë politikash precize, afatshkurtra dhe afatgjata, dhe përkushtim të gjithanshëm të shoqërisë civile. Analiza e shkaqeve të krizës vetëm ndihmon për të kuptuar krizën dhe mund t’u vlejë të gjithë atyre që i kanë mundësitë, aftësitë dhe mjetet e duhura për të ndërhyrë drejtpërdrejt në realitet.
Ka shumë të ngjarë që kriza e sotme morale të shpjegohet nëpërmjet një kombinimi të të gjitha atyre shkaqeve që u përmendën më sipër, të cilat nuk janë kurrsesi alternative dhe që, sa kohë që kanë natyrë etiologjike, mund të renditen në mënyrë të tillë që të formojnë një zinxhir shkakor i cili të fillojë nga ADN-ja biologjike e pellazgut, për t’u ndalur te Sali Berisha; për çka vështrimi historik i problemit duhet bërë gjithnjë i segmentuar, jo gjithëpërfshirës.
Nga ana tjetër, brezi që i jep tonin sot jetës shqiptare është brez i rritur dhe i formuar nga ana botëkuptimore në vitet më të shëmtuara të totalitarizmit, kur shteti shqiptar dhe institucionet i kishin prishur lidhjet me Lindjen Sovjetike, por pa i zëvendësuar dot me me lidhje të reja me Perëndimin, Jugun ose Veriun. Është brez i rritur në frikën e dhunës së verbër institucionale dhe në një atmosferë ku “një në tre veta ishte i Sigurimit”; brez i ekspozuar për vdekje ndaj propagandës autarkike dhe megalomaniake të regjimit, dhe ndaj mundësisë reale për të përfunduar në birucë për një fjalë goje. Me fjalë të tjera, është brez i rritur në një kohë kur liria e mendimit jo vetëm nuk ekzistonte, por edhe ndëshkohej penalisht.
Qëndrimin publik dhe privat të intelektualit në një shoqëri totalitare, ku mendimi i lirë dënohet penalisht, e ka përshkruar Czeslaw Milosz, në librin e tij “The Captive Mind”; nëpërmjet një koncepti me origjinë persiane, ketman-it, i cili në thelb emërton konformimin me autoritetin e kujt privatisht nuk pajtohet me këtë autoritet. Për shumëkënd në Shqipëri, duke u përfshirë këtu edhe unë vetë, ky dyzim i personalitetit për të mbijetuar në kushte të dhunës ideologjike ishte i detyrueshëm. Çështja është nëse dyzimi në fjalë, ose ketman-i, duhet trajtuar si virtyt ose virtuozitet i intelektualit, apo si gjymtim i tij mendor ose shpirtëror.
Këtë pyetje ia bëra vetes kur ndesha në një pasazh të esesë E vërteta dhe politika të Hanna Arendt (në librin e saj “Between Past and Future”, Penguin Books 1993, f. 234), ku autorja përmend, ndër të tjera dy filozofë të cilët shkruanin për këto çështje në një kohë kur totalitarizmin edhe vetë djalli nuk e kishte ëndërruar akoma.
Shkruan Arendt se Spinoza, i cili gjithnjë besonte në pagabueshmërinë e arsyes njerëzore, mbronte idenë se “çdo njeri është, nëpërmjet së drejtës natyrore të pakundërshtueshme, zot i mendimeve të veta”, dhe se ligjet që ndalonin mendimin e lirë nuk mund të çojnë veçse “në njerëz që mendojnë një gjë dhe thonë një gjë tjetër,” e që këtej “në korruptim të mirëbesimit” dhe në “nxitje të pabesisë” [theksimi im]. Kanti, nga ana e vet, thoshte se “ajo fuqi e jashtme që e privon njeriun nga liria për t’i komunikuar mendimet e veta publikisht, e privon njëkohësisht edhe nga liria për të menduar,” dhe se e vetmja garanci për të menduar “drejt” është që “të mendojmë sikur të ishim duke ua komunikuar mendimet tona të tjerëve, teksa këta të tjerë na i komunikonin neve mendimet e tyre.”
Mirëpo të thuash, me Spinozën, se ndalimi i mendimit të lirë çon vetvetiu në korruptim të mirëbesimit, do të thotë që shoqëria anëtarët e së cilës nuk lejohen të mendojnë lirisht është e dënuar të shthuret, sepse mirëbesimi është tutkalli që e shndërron shoqërinë njerëzore nga bashkësi individësh, në entitet të dallueshëm si diçka që ekziston përtej shumës së pjesëve që e përbëjnë.
Edhe më shqetësues është implikimi i idesë së Kantit më lart – se pamundësia, e imponuar së jashtmi, për t’i komunikuar idetë e tua në publik çon vetvetiu në pamundësi për të menduar lirisht; ose, me fjalë të tjera, që bindja e shumëve prej nesh se pavarësinë intelektuale mund ta ruanim duke e mbajtur të mbyllur në sferën private nuk ka qenë veçse një iluzion, sa kohë që idetë tona, prodhimet tona mendore, dyshimet tona dhe kureshtjen tonë intelektuale nuk e shprehnim dot publikisht.
A ka qenë vërtet kështu? Pohimet e Spinozës dhe të Kantit na vlejnë si katalizatorë për diskutimin, jo si prova të kësaj apo të asaj teze; sepse Kanti mund të ketë qenë ndër më të mëdhenjtë e filozofëve, por jemi ne që e kemi provuar totalitarizmin në shpinë. Prandaj ka interes të madh të krahasohet krye-teknika e ketman-it, që e përshkruan Milosz-i, me çka thonë dy filozofët klasikë, por edhe me përvojën individuale të intelektualit dhe të mendimtarit të lirë në Shqipëri.
Për fat të keq, dhe në vështrim të parë, realiteti i sotëm shqiptar duket se mbështet hipotezën sipas së cilës korruptimi i sferës publike vetvetiu çon në korruptim të mendimit, edhe të mendimit privat; dhe se klasa e sotme politike shqiptare është etikisht e gjymtuar thjesht ngaqë është formuar mendërisht, kulturorisht dhe shpirtërisht në kushte të dyzimit dhe të dyfytyrësisë së detyruar.
Them në vështrim të parë, sepse tema meriton të diskutohet në thellësi.
Xha xhai shkruan se “bindja e shumëve prej nesh se pavarësinë intelektuale mund ta ruanim duke e mbajtur të mbyllur në sferën private nuk ka qenë veçse një iluzion, sa kohë që idetë tona, prodhimet tona mendore, dyshimet tona dhe kureshtjen tonë intelektuale nuk e shprehnim dot publikisht.”
I dashur mik, pse kam pershtypjen (me korrigjo nese gaboj) se po gjykon veten dhe te ngjashmit e tu te viteve ‘80, ‘90 nga pozita aktuale. Gjykoj une se, ndoshta, atekohe, atebote, nuk kishit kete njohje dhe mundesi abstraguese (per arsye te rrethanave te faktit dhe jo mungeses se inteligjences si cilesi e lindur) sikunder sot. Per pasoje, nuk jetonit ne perpleksitetin e dilemave te medha. Dilema ne vetvete mund te ishte sa nje mal, por veshtire ta perceptosh malin kur je mbi te. E vetmja gje qe ndjen ne ato momente eshte djersa qe te rrjedh çurg nga sikleti:)…
Ka mundesi te mos kete qene aq iluzion sa duket, bindja per pavarsine intelektuale. Biles mund te thuhet se ka shpetuar mijra shiprtera njerezish, qe sot e bejne gjumin te qete e ne paqe me veten.
Xhaxhai le te sjelle pak ne kujtese kohen e studentllekut, ku kontrastet duken me mire. Sa prej shokeve te tij ndiqnin qetesisht rrjedhen e jetes, ne menyre diskrete e pa i rene ne qafe te tjeterve dhe sa tipa te tjere te kallepit te Shaban Sinanit rrinin duke uluritur ne mbledhjet e rinise me histerizem proletar? Shabani nuk ishte budalla, por as qe mendohet se mund te kishte ndonje ide jashte klisheve politike te kohes.
Po ata mijra te rinj qytetare qe kishin deshire te shkruanin poezi por qe terhiqeshin sapo u behej e qarte se duhej ti kushtonin ndonje vjershe diktatorit dhe sa qindra provinciale te tjere te etur per karriere si Besnik Mustafaj, Prec zogaj etj, etj edhe gjashte muaj para se te binte komunizmi shkruanin: kur themi Partia kujtojme Enverin, kur themi Enveri kujtojme ..etj.
A nuk jane keto gjera ne dukje te vogla, te vogla ku tregohet se pavarsia intelektuale k aegzistuar te nje mase e madhe njerezish dhe ka patur rol themelor ne jeten e mijra veteve, edhe pse askush nuk afirmonte e bertiste se ishte i pavarur intelektualisht?
Nuk ke si me thua jo!
Heshtja megjithese mund te jete perdorur si mekanizem legjitim mbrojtes per ata qe mendonin ndryshe nga regjimi, nuk ka ndihmuar shume as atehere dhe veshtire te pretendohet se ka lene ndonje pasoje sado te vogel e pozitive ne retrospektive. Pekundrazi, ne ate kohe ka ndihmuar te degjohen me mire ulerimeat e kafsheve qe i sherbenin regjimit.
Mosartikulimi i mendimit, jo vetem qe nuk i sherben atij, por eshte njesoj si te pretendosh ta mbash foshnjen ne barkun e nenes me shume se nente muaj. Ne jo vetem qe e duam gjalle foshnjen qe kemi mbajtur te fshehur ne vite, por duam edhe te flase. Ne kete drejtim ato gjysemartikulimet e Kadarese jane me te rendesishme per strukturimin e mendimit se heshtja, megjithese calojne qe te dyja nga ana morale gjithesesi.
Nderkohe kam frike se mospjesmarrja e gjere e shtreses se mesme ne sferen publike ne Shqiperi i dedikohet pikerisht kesaj tradite te heshtjes.
Qatip, po ta kesh fjalën për bindjet politike dhe ideologjike, natyrisht nuk të them dot jo; sepse kur isha student në universitet unë pothuajse nuk dyshoja më në natyrën kriminale të regjimit, të cilin e urreja për shumë arsye, mes të cilave edhe ngaqë nuk më linte të kultivohesha intelektualisht ashtu siç dëshiroja unë. Jam i sigurt që si unë kishte edhe shumë të tjerë, që fortifikoheshim pas heshtjes ose aluzionit për të ruajtur kokën, dhe “luanim pjesën” vetëm ngaqë ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Dyfytyrësia, ose dyzimi midis privates dhe publikes nuk mund të shmangeshin, dhe praktikisht askush nuk i shmangu dot, me përjashtim të të marrëve që s’i ngiste kush, dhe atyre që e shihnin regjimin si të tyrin, ose që nuk kishin dyshime.
Nuk them se ne që e dyzuam jetën bëmë ndonjë mëkat të natyrës etike; por vetëm shpreh dyshimin nëse të jetuarit me frikë vetvetiu nuk na e lejonte lirinë e mendimit, madje edhe atëherë kur, në fshehtësinë e jetës private, nuk na pengonte kush të thoshnim e të mendonim çfarë dëshironim. Ishim të pavarur, këtë nuk e kundërshtoj; vetëm nuk di se me çfarë çmimi e paguam këtë pavarësi. Sot nuk mund të konceptoj dot të menduarit tim jashtë komunikimit publik - nëpërmjet bisedave të hapura që bëj me njerëzit, gjërave që shkruaj e që botoj, ose diskutimeve në këtë blog. Nuk janë pasqyrë e mendimit tim, janë mendimi im. Po atëherë? Ku fshihej ky mendim? Në ç’trajta rudimentare ekzistonte? Ishim vërtet kundër, e dinim që kishim në krye njerëz të vrazhdë dhe të trashë, të cilët mund të na e shkatërronin jetën me një lëvizje të lapsit në letër; por edhe vetë kjo kundërvënie ndaj së keqes, sa na kushtonte? Mos kemi jetuar pak si shumë afër me pisllëkun absolut? A mund të ndërtohet një filozofi etike e themeluar mbi frikën? Personazhe publike me të cilat identifikoheshim, si Ismail Kadareja, ruanin për ne autoritet artistik të padiskutueshëm (dhe e ruajnë); por si mund t’ua njohim autoritetin moral, kur ata vetë e pohojnë se gënjenin dhe luanin teatër nga mëngjesi deri në mbrëmje, sepse “ashtu ishin kohët”? Po sot, mos vallë janë kohët për të qenë të sinqertë? Po nesër?
Them, me fjalë të tjera, se mos dyzimi – atëherë i detyrueshëm – na ka detyruar të mbetemi të dyzuar edhe sot e kësaj dite, dhe të mos e ndiejmë nevojën për ta unifikuar sferën publike me sferën private, ose për të qenë konsistentë me vetveten. Nuk them se kjo shpie doemos në korrupsion, ose në hipokrizi; por vetëm se, për disa individë ambiciozë për pushtet, në rrethanat kur frika nga AI nuk ekziston më, kjo mund të përthyhet tani si materializim i maskarallëkut të kulluar.E kam fjalën për shkeljen e syrit; për pëshpërimën “le ta themi kështu, dhe pastaj e bëjmë ashtu”; për bashkëfajësinë ose kredinë morale që kanë fituar disa batakçinj nga më të rëndomtit në opinionin publik sot në Shqipëri.
Nga ana tjetër, po ata që dje të mbyllnin gojën me Enver Hoxhën e me komunizmin, sot të bubullijnë për të tjera tabu, njëlloj absolute: Amerikën, nacionalizmin shqiptar, Kosovën, Izraelin, ekonominë e tregut, kapitalizmin. Ndonjëherë më duket sikur këta njerëz nuk jetojnë dot pa një sundimtar absolut mbi kokë, që t’i dominojë, e të cilit t’i bien në këmbë me përunjësi e jargavitje. Por në përgjithësi mendoj se këta nuk janë tamam njerëz, por flugerë, të cilët e kalojnë jetën duke u përpjekur të matin drejtimin dhe shpejtësinë e erës.
Dyzimi i jetes, qe ne ate kohe ishte tipik ne radhe te pare per mendimin, ishte per mendimin tim i pashmangshem. Le te citojme disa proverba te popullit:
- nuk i bihet murit me koke
- te rrime shtrember e te flasim drejt
- mos i beso as kemishes tende
Keto proverba ishin moto e jetes sone te perditshme. Por sidoqofte, pasi flisnim “drejt”, ne darke shkonim ne shtepi, hanim taratorin, shikonim italine (ne televizor) dhe mendonim drejt.
Natyrisht kishte edhe njerez qe i rane murit me koke, u heqim kapelen, por instikti i mbijeteses veproi ne masen me te madhe te popullit, qe veproi pa i rene murit me koke. Kjo sdo te thote qe pajtoheshim me regjimin, ideologjine e regjimit, pasi cdo brez edhe i yni desheronte ndryshime ne perputhje me zhvillimin e botes e nuk honepsnim dot vetelavderimet abuzive te regjimit me luften partizane. Te vazhdoje te degjoje meritat partizane ne vitet ‘80, ishte si te thuash “i fryn ne nje bire kavallit”. Me kete mendim shume intelektuale qe aspironin(m) per ndryshim kalonin ne pesimizem dhe ndrydhje shpirterore dhe si te thuash arrinin ne te njejtin konkluzion: beji mutin (me falni per shprehjen).
Sidoqofte sot duhet thene se sikur e ndjejme veten te cliruar nga dyzimi, dyfytyrat, me perjashtim te disave (jo pak) qe ne Shqiperi vazhdojne ta bejne akoma kete loje(politikanet). Keta dikur cirreshin (nga instikti i mbijeteses) pro regjimit, sot cirren pro ndryshimit, dhe jam i sigurte!? se po te kthehej rrota mbrapsht, po keta do te cirren perseri per regjimin.
Qe te mendosh lirisht duhet te plotesohen kushtet, pra edhe ne nuk mendonim lirisht (plotesisht), ndonese mendonim te kunderten, por kjo nuk do te thote liri e plote.
Xhaxha eshte e veshtire te thuash aktualisht a mendojme dot lirisht (brezi yne), sidoqofte pak a shume mendoj si dikur por ndjej “lirine” ta them edhe ty kete qe mendoj. He per he le te kenaqemi me kaq.
Rendesi te dores se pare ka, sa, dhe si, jeta (mendimi) individuale shihet si qeliz shembull e fenomenit shoqeri.
Asnjihere dija s’ndalon individin te aktivizohet ne shoqeri, edhe padija eshte progresive kur s’di te jete zgjuar per seprapthi.
Me shume se 80% e njerzeve jane nga te fryj era, pjesa tjeter nderton frontet e mendimeve.
Tradita e qytetrimeve perserit mbeshtetjen e pales me luftarake. Pala e mbeshtetur jo gjithnji eshte progresive.
Ne jemi gati per nje shoqeri qe individi e nderton fillimisht ne vete. Ajo shoqeri (civilizim) i perjetuar tek individi do jete ne kontekst te botkuptimit te tij (individit)
Zhvillimi vjen nga idet, dhe idet duan ideator, qe eshte i vetmi “diktat” ku shohim shoqerit te investohen.
Ne bem c’mundem ne nji shoqeri qe s’kish mundesi, para nentedhjetes, dhe me pas e deri sot, po behet po ajo e pamundur protagoniste. Ne po na ndryshon fenomeni, dhe jo ne po ndryshojme fenomenin. Ne kemi simtpma te pa ndryshuara ne lidhje me fenomenin (vizionin)
Me shpresen se do filloje te marr jete fenomeni qe ne duam te ndertojme, shoh nga e ardhmja; liria e mendimit e projektuar ne shumicen, e cila eshte gjithnji gati per ndryshim, por se di kur dhe si.
Xha xhai ka permendur elitat. Ku jane ato! Andej prisni te rejat.
Ajo puna e “frikes nga AI” : Po lexoja mbreme nje liber te dale se fundmi ne France, kujtimet e Yves Pouliquen, mjek okulist, akademik francez, kujtime te dala nga i vetmi takim qe ai ka patur me Enver Hoxhen ne maj te 1979-ës. Mendoj se mbetet nga te rrallat deshmi te besueshme nga ata qe kane mundur te bisedojne me diktatorin shqiptar.
Ajo qe eshte interesante eshte momenti kur mjeku rrefen biseden disa oreshe qe ka patur me të, pas ekzaminimit mjeksor te syve.
Pas nje diskutimi pak a shume te qete rreth temash te ndryshme (deri dhe per viziten e André Gide ne Bashkimin Sovjetik !), nga biseda duket sikur Hoxha “toleron” disa gjera, ka diçka prej “cool” ne ato qe thote, sigurisht mbi te gjitha per ti treguar bashkebiseduesit hapjen e tij (l’ouverture !!) ndaj cilesdo qofte teme te bisedës me nje perendimor !
E keshtu gjithshka shkon “mire e bukur” deri ne momentin kur emrat e muzikanteve te tille si Chopin, Brahms apo Liszt evokohen ne bisede dhe mjeku hedh hipotezen se “veprat e kompozitoreve te tille kane qene pa dyshim te frymezuara nga populli qe i perkisnin” (meqe ishte fjala tek folklori dhe rendesia e tij).
Por pikerisht ne ate moment, i “paharruari” Hoxha na qenkesh hedhur perpjete a thua se bota ishte permbysur nen kembet e tij. ““Jam kundër, jam kundër argumentit tuaj, - tha Hoxha. Ata kishin një frymëzim popullor, por ishin dekadentë borgjezë”!”.- shkruan mjeku ne kujtimet e tij.
Gati 30 vjet me vone, autori i librit me te drejte pyet veten se pse u hodh aq perpjete Diktatori shqiptar. Dhe shkruan: “Mbeta pa gojë përballë fjalëve të tilla. Ndodheshim në një udhë pa krye. E çuditshme ishte se, ashtu sikundër muzika (Hoxha na i kish vene nje disk gramafoni mikut te tij te shtepise, me nje kenge popullore shqiptare- shenimi im) dhe karakteri i përgjithshëm i bisedës së tij kishin arritur të krijonin një lidhje midis dy kulturave tona, pikërisht në fushën e muzikës shpërthyen më tepër divergjenca”.
Dhe vazhdon: “…Në fakt, ishte interesant ky qëndrim i palëkundur, i shprehur në mënyrë aq brutale, sikur të ishte fjala për një nga pikat e dobëta të sistemit, sikur Udhëheqësi që impononte gjithçka, këtu përplasej me diçka të pamundur: paaftësinë për t’u bërë ballë ndikimeve kulturore që vinin nga bota e madhe rreth e qark ishullthit të tij dhe të cilëve zhvillimi i mjeteve të komunikimit u ofronte mundësi gjithnjë e më të mëdha për të depërtuar në të”. http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=31122
Personalisht, nuk besoj se te kercyerit perpjete te Udheheqesit na paska patur te beje me ndonje fare “paaftesie” te tij per te perballuar ndonje ndikim kulturor a diçka te tille : Ato Enveri i kishte si “karamele” !
Mendoj se kthesa e bisedes se tyre ka te beje pikerisht me kete MASKEN per te cilen shkruan Xha Xhai ketu. Me sa duket, pas rreth 2-3 ore bisede, diktatori u kujtua se e kish hequr pak si shume masken, dhe i duhej ta rivinte perseri plotesisht mbi fytyre. Sepse kjo puna e maskes, eshte dhe pak kombetariste, them une : duhesh te kesh ekseprienca shqiptare qe ta nuhasesh ! Dhe me duket se nuk eshte e lidhur vetem me periudhen e diktatures, por shkon au-delà (pertej saj). Personalisht, do isha shume kurioz te behej nje sondazh nder popujt e Ballkanit per te numeruar mesataren e te shkelurit te syrit qofte dhe si akt i thjeshte fizik (e qe lidhet ne nje pjese te mire me ate qe Xha Xhai e quan : “E kam fjalën për shkeljen e syrit; për pëshpërimën “le ta themi kështu, dhe pastaj e bëjmë ashtu”). Nuk do te habitesha po te dinin shqiptaret te parët ne sondazh.
Nje pyetje Xha Xhai: po “AI” vetë, a mendon se ka patur dilema ? A mendon se “e ka ditur” ? (shkelje syri)
ps: Pyetjen e kam serizisht, me gjithe “shkeljen e syrit”.
Faleminderit.
Shkruan Milosz për Ketmanin në vendet e Lindjes komuniste:
Unë besoj se Enver Hoxha nuk besonte as në marksizmin, as në komunizmin, as në stalinizmin; por paranoja e kish deformuar aq shumë, dhe ia kishte përsosur dyzimin deri në atë shkallë sa të mos kishte më pikë dyshimi në fanatizmin e vet.
Mbaj mend një herë një komik, që kur e akuzuan se kishte thënë, në publik, një barcaletë tepër të ndyrë, u mbrojt duke thënë: fajin nuk e kam unë, të ndyrë jeni ju që e kuptuat barcaletën dhe qeshët; të pastrit e të drejtët nuk kuptuan gjë.
Kështu edhe Hoxha: me dekada të tëra u rropat të gjente dhe të ndëshkonte, mes miqve të vet, të gjitha ato marifete, poshtërsi dhe tradhti që do t’i kishte bërë ai vetë, po të kish qenë në pozitat e tyre; ose edhe që ndoshta i kishte bërë. Ndoshta nuk mund ta bësh me faj; ndoshta komunizmi në Shqipëri kishte seleksionuar, ndërkohë, atë lloj udhëheqësi çakall, të pamëshirshëm, të ndyrë, që e përjetonte ekzistencën e vet si një seri akuzash ndaj shokëve të armëve; thuase e vetmja formë komunikimi ishte ngulja e thikës pas shpine.
Tregon Schopenhauer-i një fabul me iriqë që kishin ftohtë natën, prandaj afroheshin me njëri-tjetrin derisa fillonin e shpoheshin prej gjembave; pastaj largoheshin prapë, derisa t’u hynte të ftohtët përsëri – e kështu me radhë, derisa të gjenin një distancë optimale, ku gjembat të mos shponin shumë, dhe të ftohtët të mos therte; dhe këtë distancë e quanin etiketë, ose mirësjellje. Ndonjëherë më duket sikur samurajt dhe kreshnikët e thikës pas shpine që kish mbledhur rreth vetes AY ishin në ekuilibër, sa kohë që të gjithë e ndienin veten njëlloj të molepsur përfundimisht në batakun mikro-borgjez, ose edhe më keq akoma, njëlloj të komprometuar me dokumentet që ia ruanin në kasaforta shoku-shokut (së bashku me radiodhënëset dhe helmet me veprim të shpejtë dhe të ngadalshëm që u kishin dhënë agjenturat). Tradhtitë e mëdha, ato që i merrte vesh populli, zinin fill gjithnjë në ditaret e Mësuesit të madh.
Shkrimi trajton shume ceshtje, njera me e rendesishme se tjetra, dhe tjetra me thelle se njera; sic duket prandaj edhe fraza ne fund: “them ne veshtrim te pare, sepse tema meriton te diskutohet ne thellesi”. Problemi eshte se po te diskutohet ne thellesi tema me rendesi e dyzimit (lidhur ngushte me temen e disidentit dhe ate te identitetit te kerkuar sipas shprehjes se urte moderne: “ha buken e kaurrit dhe bej duvane e turkut”), pare se prej Frojdit e tehu eshte bere me se e rendomte te konsiderohet njeriu si qenie me te pakten dy entitete ne konflikt, dyzimi rezulton dukuri banale (tema e sozise ose dublantit eshte mode e kohes se romanticizmit), dhe moralistet, karakteristet, besedhenistet etj, kerkojne qiqrra ne hell, dhe jo vetem kaq, por padashur bejne lojen e dyzimit duke i shtuar hellit te muhabetit ne fjale edhe qiqrrat e maskes se sinqeritetit dhe hipokrizitetit. Del fare fiqirit nese futesh thelle ne thellesite e dyzimit te artit, sidomos modernit, i cili kerkon t’a fisnikeroje dhe lartmadhnoje njeriun nepermjet shumefytyrshmerise, pafytyrshmerise, c’identitetit, c’gjinitetit, insektizimit, kafsherimit, mineralizimit dhe deri robotizimit te personazheve.
Pa asnje dyshim qe Czeslaw Milosz ka qene nje nga burrat me te mire te shek. XX, e megjithkete ishte krejt i dale fiqirit si i dyzuar midis katolicizmit dhe laicizmit, protestantizmit dhe ortodoksise, krishterimit dhe hebraizmit, kultures gjermane dhe kultures ruse, nazizmit dhe komunizmit, demokracise dhe komunizmit, disidentit dhe ishdiplomatit komunist, te mosperfillurit dhe nobelistit, etj. Dmth pyetja e dyzuar ne shkrimin e shqyrtuar:“Ceshtja eshte nese dyzimi ne fjale, ose ketman-i, duhet trajtuar si virtyt ose virtuozitet i intelektualit, apo si gjymtim i tij mendor ose shpirteror”, merr pergjigje te njehsuar: “gjymtimi mendor ose shpirteror eshte virtyti ose virtuoziteti i intelektualit”. Shembujt e maskaralleqeve - jo vetem politike por edhe ordinere - ne jeten e intelektualeve te famshem ne rang boteror jane me tonelata, tjeter pune se dikur mbuloheshin prej modes hipokrite tradicionale, e sot, ne epoken moderne te striptizit trupor dhe shpirteror, eshte bere i modes trajtimi i dyzuar i figures se intelektualit: jeta e ndare prere nga vepra, sikur kete te fundit t’a kete bere komshiu, ashtu si behen kalamajte e dyzuar me gruan e tjetrit. Sa per te sjelle nje shembull te aneve tona: rasti i Kadare, i dyshuar se ka spiunuar shitsen e bylmetit te lagjes (ne ato kohe racionimi ushqimi, nje personalitet i padiskutueshem qe i lepiheshin deri edhe zevendministrat), per pasur pak karakter edhe ne mjerimin e dyzimit tone, duhet trajtuar jo pse e spiunoi, por pse nuk e spiunoi, sepse vetem atehere do te ishte vertet i virtytshem, i dyzuar, i gjymtuar, etj.
Me dalin dy probleme me kete postim:
1. Me duket sikur pjesa e popullsise qe kaloi dyzimin ne kushtet e diktatures eshte pare ne menyre pak teorike, filozofike, si nje shume individesh te dyzuar, te shkeputur nga njeri tjetri, me mendime private te thurura e debatuara ne boshllek individual. Edhe referimet e Spinozes dhe Shpenhauerit jane ne mbeshtetje te ketij pozicioni. Pare ne kete menyre, patjeter qe dyzimi eshte deformues dhe permanent. Por, ne te “dyzuarit” e dime shume mire se sa pak vend zinte detyrimi per te folur publikisht, krahasuar me deshiren dhe pasionin per te folur e debatuar privatisht. Dhe privatisht ne shumicen e kohes do te thoshte me familjen, rrethin familjar dhe shoqeror, me te cilin normalisht ndaje te njejtat pikepamje, e per pasoje edhe te njejtin dyzim.
Ne kete kuptim, mbase mund te flitet per mungese te nje debati publik, ku individet ballafaqojne mendimet e tyre ne formate artikujsh, shkrimesh, blogjesh, etj. Por nuk jam e sigurt se te gjithe jane te prirur ndaj ballafaqimeve te tilla edhe ne kushtet e lirise dhe te mungeses se nevojes per dyzim. Madje edhe ata qe e ndjejne nevojen dhe perfshihen ne debate, nuk eshte se e zgjerojne dot shume rrethin e personave apo personaliteteve mendimet e te cileve ju vlejne apo i intrigojne njefaresoj.
2. Mbase jam keqkuptuar, por me duket sikur klasat politike dhe “elitat’ e sotme me problemet e tyre konsiderohen si pjese e ish te dyzuarve, dhe defektet e tyre kerkohet te shpjegohen me deformimet eventuale nga koha e dyzimit. Nese me “te dyzuar” kemi kuptuar vetem ata qe kundershtimin ndaj sistemit e shihnin thjesht si pamundesi per te dale jashte shtetit apo per te veshur rroba te bukura, atehere jam dakord. Por nuk besoj se ata qe e shihnin sistemin si nje mjet agresiv, shtypes, karakter-deformues, te lig e te paskrupullt ne cdo qelize te tij, jane te njejtet njerez qe kapardisen sot ne rolin e politikanit, analistit, elitistit. Nuk besoj se njeriu me nje formim te caktuar mund te arrije te njohe nje lloj te keqeje dhe te mos kuptoje nje te keqe tjeter ne cdo forme qe paraqitet. Mua me rezulton qe keta te sotmit jane ose komsomolasit ose debilat e djeshem.
I nderuar Xha Xhai
Ju pergezoj per shkrimet tuaja te nje natyre vecanerisht te ndershme e te mencur. Pershkruani situata me te vertete sa diabolike, po aq edhe mizerabel. E megjithate, edhe per boten e soteshme perendimore ka kaluar koha e iluminizmit apo romantizmit, ku njeriu imagjinohej me nje te ardhme sa idilike, aq edhe madheshtore. Sot ai shkon dita dites duke u perplasur me planetin e tij. Kjo ndodh ngaqe femijet mesohen qe ne bangat e shkolles te zbatojne moton: “Duaj me shume dhe ne radhe te pare vehten tende!” C’fare bene me shume spiunat shqiptare apo lindore ne kohen e diktatures komuniste?…
Nese njerez si une apo si ti dyzuam vetvehten, kjo nuk ka aq shume rendesi se sa fakti qe nuk kemi njerez ne ndergjegje, si mjaft nga “kokat me te ndritura te kombit”, (ne te vertete, moralisht nuk qene vec grumbuj plehrash) ftonin diktatoret te ngrinin gijotinen ne mes te Tiranes, per te vrare bashkatdhetaret e tyre.
Dyzimi ne te tilla raste apo shtrengimi shpirteror eshte nje lloj fisnikerie dhe heroizmi bashke. Per te mos folur per heronjte apo mbinjerezit e pakte, mjaft te paket ne numer: ata qe sfidonin ne hetuesi edhe vete vdekjen per te mos tradhetuar mikun apo shokun e tyre…
Ne kete pike edhe Spinoza apo Kanti tingellojne teper te zbehte. Nje tjeter moto eshte me madheshtore e me hyjnore: “Mos nderto lumturine tende me fatkeqesine e tjetrit!”.
Pikerisht ketu permblidhet gjithe esenca e mbarevajtjes se njerezimit.
I nderuar XHA XHAI Ju falenderoj per prozat e tua te bukura. Edhe here tjeter Ju kam lexuar. Kete radhe vendosa t’Ju shkruaj. Me duhet te falenderoj ne kete rast edhe mikun tim te zgjedhur Vasil Qesarin.
Me respekt
ROBERT MARTIKO
Jam shumë dakord, fakti që klasa e sotme shoqërore është krejt e korruptuar (e prishur) duket sheshit.
- - -
Fenomenin e ketmanit e kam hasur disa here tek disa shkrime të Gëzim Tushit, por nuk ishte e shpjeguar mirë. Më lartë kishte një shjegim shumë të qartë. Faleminderit Xhaxha!