Feeds:
Posts
Comments

Archive for May, 2011

Kam vënë re që kryeministri Berisha, kohët e fundit, ka filluar të përdorë pak si shpesh një ndërtim gjuhësor karakteristik, të njohur si “sipërore relative”.

Ja një shembull i këtij ndërtimi (me shkronja të theksuara; lidhja gjendet në krye të fjalisë):

Në Shqipëri ju do të gjeni tregun e forcës punëtore më të mirë në Europë. Një treg të ri, të edukuar mirë, shumë punëtor, por gjithashtu më të lirin.

Ndërtimi konsiston në një mbiemër në shkallën sipërore relative (më të mirë), të ndjekur nga një emër i cili në thelb shenjon bashkësinë me të cilën bëhet krahasimi.

(more…)

Read Full Post »

Muzeu perfekt, ose ideal do të kishte një objekt të vetëm – për shembull, La Gioconda në Louvre, De Nachtwacht i Rembrandt-it në Rijksmuseum, Cappella Sistina në Musei Vaticani.

Natyrisht, asgjë nuk mund ta zëvendësojë torturën e ëmbël të pritjes, duke rrëshqitur sytë nga një kryevepër në tjetrën, duke shkëmbyer vështrime dhe kundërmime me vizitorë të tjerë, teksa tërheq këmbët e rraskapitura në dysheme, duke parë herë pas here nga baxhat gjysmë të hapura në tavan, me shpresë se mund të të dalin befas kahë si engjëjve në pikturat dhe të fluturosh që andej sakaq, për të shpëtuar.

(more…)

Read Full Post »

Sa herë shkoj në ndonjë muze, më kujtohet një ese e Paul Valéry-së, “Le problème des musées”, shkruar në 1923; autori, me sa kuptohet, nuk i kish fort për zemër këto institucione të ruajtjes, transmetimit dhe përpunimit të kulturës dhe të kujtesës kolektive.

(more…)

Read Full Post »

Shqiptaro-amerikani Mark Kosmo, nëpërmjet një letre të botuar këto ditë në mediat, ka vënë në dukje një anomali statistikore serioze në rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale në Tiranë.

Nuk ka nevojë të jesh ndonjë ekspert në statistikë, për ta kuptuar argumentin e autorit, i cili, në thelb, mund të reduktohet kështu:

Në popullatën prej 250 000 votash që u numëruan rregullisht për Tiranën, shpërndarja e votave për Ramën, përkatësisht Bashën, ishte 50%-50%.

Përkundrazi, në mostrën prej 256 votash të hedhura në kuti të gabuara, shpërndarja e votave ishte 67.6% për Bashën dhe 32.4% për Ramën. Si mund të shpjegohet kjo shmangie?

(more…)

Read Full Post »

Që votimet lokale në Tiranë dështuan tërësisht dhe bujshëm, nuk ka nevojë të jesh Erion Braçja, për ta kuptuar.

Shteti i Berishës tregoi faqeza, në sy të qytetarëve të vet dhe të botës mbarë, se nuk është në gjendje as të lidhë brekët e veta.

(more…)

Read Full Post »

nga Xhabyni

Për vite me radhë Ismail Kadareja ka qenë një personazh në qendër të mendimit intelektual të vendit, shkrimtari më i madh i periudhës së realizmit socialist që hyri në epopenë e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë me romane të shumta që besoj se janë të njohur thuajse për të gjithë shqiptarët. Një personazh i cili në çdo çast kulmor të Shqipërisë providenca apo dëshira e tij e vendoste në qendër të mendimit dhe të bisedave të shqiptarëve.

(more…)

Read Full Post »

nga Xhabyni

Para disa kohësh e pyeta, në një takim me publikun, zotin Lubonja, i cili po mbante një ligjëratë mbi librin e tij të fundit “Viti 97. Apokalipsi i Rremë”, se a mendonte që ndonjëherë shoqëria jonë do të ngrihej vetiu për të rrëzuar Atin (lexo sipas konceptit Frojdian) në mënyrë të tillë që të zhdukim atë sundim totalitar që shohim të pasqyruar në jetën tonë të përditshme?

Përgjigja e Lubonjës ishte negative, mbase atë ditë mbeta pak i zhgënjyer nga përgjigja e tij, ndërsa sot nuk jam aspak, madje e shoh si një përgjigje që i afrohet shumë realitetit tonë. Prandaj puqem me frazën e famshme të Josif Brodskij “Në tragjedinë moderne nuk vdes heroi por Kori”.

(more…)

Read Full Post »

nga Zampanò

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka dhënë ende verdiktin për Bashkinë e Tiranës, edhe pse lipset një përgjigje sa më e shpejtë për të shmangur ndërlikime të tjera. Pamjet e pasnumërimit të kutisë së fundit, që na tregonin festimet e dy kampeve, me fishekzjarrë e shampanjë, ishin përnjimend të pabesueshme; pamjet e numërimit të tanishëm në KQZ dhe të protestave në vend janë përnjimend të ankthshme.

Shkrimtari Ismail Kadare i dërgoi kandidatit për kryebashkiak të Tiranës Basha një letër të hapur, ku e ftonte të tërhiqet nga gara, për të mundësuar zgjidhjen e krizës postelektorale. Përgjigjja e Bashës nuk vonoi. Kandidati demokrat e falënderon fillimisht shkrimtarin I. Kadare për shqetësimin e shprehur lidhur me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Më pas i shpjegon qëndrimin e tij për zgjedhjet vendore të Tiranës. Lulzim Basha mendon se kanë qenë qytetarët e Tiranës ata që me votën e tyre e kanë vendosur se cili do të jetë kryetari i bashkisë.

(more…)

Read Full Post »

Siç lexoj në BalkanWeb, shkrimtari Ismail Kadare i paska dërguar kandidatit për kryebashkiak të Tiranës Basha një letër të hapur, ku e fton të tërhiqet nga gara, për të lehtësuar daljen nga qorrsokaku i kësaj krize të fundit.

Shkruan ndër të tjera Kadareja:

Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.

Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare : tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie.

Letra është shumë e mirë, dhe i ka të gjitha gjasat për t’ia arritur qëllimit – zgjidhjen e krizës, duke shmangur poshtërimin e palës humbëse.

Tek e fundit, në një shoqëri patriarkale dhe autoritariste si e jona, e vetmja mënyrë si mund të dilej nga ky ballafaqim ishte nëpërmjet invokimit të një autoriteti suprem.

Më pëlqen edhe që kjo thirrje ka ardhur nga një personalitet që, në thelb, është pjesë e jetës shqiptare, nuk i imponohet asaj nga jashtë, as e lë veten të përdoret nga të shkathëtit me kravata shumëngjyrëshe.

Read Full Post »


Sikur të mjaftonte situata e tensionuar në Shqipëri, me bllokime të pashpjegueshme rrugësh kombëtare dhe djegie gomash të makinave (për t’u dërguar sinjale tymi satelitëve të NATO-s?), ia behu edhe një letër e shqiptaro-amerikanit Geri Kokalari, botuar sot në “Shekulli”, ku autori u drejtohet lexuesve, dhe pas gjase të gjithë shqiptarëve, me këto fjalë:

Mos prisni shpëtim nga Amerika apo BE-ja. Përpos faktit se manipulimi i votës ka ndodhur nën hundën e tyre, Berisha e di mirë se këta “iriqë pa gjemba”, do ta mbështesin rezultatin. Ata do të vazhdojnë të rrinë gjysmë-fshehur nën gurë, për sa kohë që stabiliteti do të ekzistojë. Për këtë arsye, ka vetëm një leksion që Sali Berisha – dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, për sa i përket – do të kuptojnë. Vetëm një. Ai është i njëjti leksion që populli i Rumanisë i dha Nikola Çausheskut.

Zgjidhja? Çaushesku!, e titullon letrën redaksia e gazetës.

(more…)

Read Full Post »

Nuk më habiti hiç lajmi që regjisori i njohur danez Lars von Trier u shpall persona non grata në Festivalin e Canne-s.

Një ditë më parë, në një konferencë shtypi për filmin e tij të fundit Melancholia, i pyetur për rrënjët e tij gjermanike, ai tha, ndër të tjera:

“Për një kohë kujtoja se isha hebre dhe isha i lumtur për këtë… Pastaj takova regjisoren (hebreje) Susanne Bier dhe sikur më iku pak entuziazmi. Më pas zbulova që unë qenkësha, në fakt, nazist. Familja ime ishte naziste. Edhe kjo më dha një farë kënaqësie. Çfarë të them tjetër? E kuptoj Hitlerin… madje kam simpati për të deri diku.”

(more…)

Read Full Post »

Tani që shkruaj, ende nuk janë bërë zyrtare rezultatet e zgjedhjeve të tanishme për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por nuk ka nevojë t’i dish rezultatet për të kuptuar se, edhe këtë herë, sistemi elektoral dhe në përgjithësi mekanizmi demokratik i përzgjedhjes së pushtetarëve nuk funksionuan dot.

(more…)

Read Full Post »

Angazhimi minimal lidhur me vijueshmërinë e procedurave elektorale në Republikën e Shqipërisë nuk mund të jetë më shumë se një lloj krosi pa vlerë rrotull një stadiumi bosh, i cili kurrsesi nuk të bie triumfin e sportistit, por ndoshta të ndihmon pak të mbash muskujt në formë.

Në këtë kuptim, shënimet e mëposhtme nuk do të duhej të kuptohen si përpjekje ambicioze për gjetjen e ndonjë lloj të vërtete elektorale në Shqipëri, por thjeshtë si një lloj gjimnastike mëngjesore, përpara se të filloni ditën e re, e cila me shumë gjasa duket se ka për të pasur plot andralla.

(more…)

Read Full Post »

Disa lajme pa lidhje mes tyre, erdhën e u mblodhën bashkë si gurët e një puzzle-i, për të më përcjellë një mesazh të hidhur.

Sot bëhen tetë ditë qëkur kanë përfunduar zgjedhjet lokale në Tiranë, por ende nuk dihet rezultati i tyre; në një kohë që kryeministri Sali Berisha e quajti numërimin e fletëve të votimit diçka si “numërimin më të saktë në botë.”

(more…)

Read Full Post »

Older Posts »

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,034 other followers

%d bloggers like this: