Që prej një viti e ca, përdor një pajisje leximi numerike: Amazon Kindle. Jam i kënaqur me të, e kam ngarkuar me gjithfarë tekstesh, shumë prej të cilave edhe i kam blerë, por duke i paguar zakonisht fare lirë.
Përveçse praktik – meqë të lejon të bartësh një bibliotekë të tërë në xhep të palltos – Kindle-i më ka bërë edhe t’u kthehem me lakmi klasikëve: Platonit, Plutarkut, Montaigne-it, Voltaire-it, Montesquieu-së, Schopenhauer-it; por edhe Balzac-ut, Hugo-it dhe autorëve të tjerë aq të dashur të shekullit XIX, të cilët tani mund t’i shkarkoj falas kur dhe si të dua. Prej vitesh nuk isha kënaqur madje mahnitur aq shumë me një roman, sa me Njeriun që qesh të Hugo-it, të cilin përndryshe nuk do ta kisha blerë, as rilexuar.



