• Home
  • Histori
  • Kulturë
  • Politikë
  • Sociologji
  • Totalitarizëm

Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta

Feeds:
Posts
Comments
« TË DREJTAT E GEGËRISHTES
EFEKTI PASQYRË »

NUK FAL

December 30, 2011 by Xha Xhai

Trenat e rinj të metrosë së NYC kanë një sistem automatik të lajmërimit publik – me mesazhe të pararegjistruara; ndryshe nga trenat më të vjetër që ende i gjen në disa linja e ku lajmërimet për udhëtarët ende i bën një homo sapiens: konduktori ose makinisti.

Sistemi automatik jo vetëm jep të dhëna për stacionet ku po afrohet treni ose për mundësitë e shkëmbimit me trena të linjave të tjera, por edhe njoftime për ndryshime në oraret ose në drejtimet e trenave, si dhe mesazhe të departamentit të policisë dhe porosi të tjera për sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit (njerëz, jini vigjilentë!).

Qëllon ndonjëherë që treni ndalet në tunel, për një arsye çfarëdo; dhe në raste të tilla, zëri i pararegjistruar do të thotë se “ka trafik para nesh,” ose “po na mban këtu dispeçeri i stacionit”, ose ndonjë gjë tjetër të ngjashme. Pas kësaj, i njëjti zë mekanik, pompoz dhe lehtësisht qesëndisës, shton: we apologize for the delay. Ju kërkojmë të falur për vonesën.

Më qëllon ndonjëherë, kur udhëtoj me metro, të pyes veten se kush pikërisht m’i thotë këto gjëra mua udhëtarit; jo cili aktor i ka shqiptuar mesazhet në studio, por kush është burimi i ligjëratës, ose, siç e quajnë në gjuhësi, subjekti i thëniezimit (me fjalë të tjera të thjeshtuara, personi që flet). Kush më fton të rri larg dyerve të trenit, kur janë duke u mbyllur ose që të përdor të gjitha dyert e vagonit, për të mos e vonuar trenin në stacion? Kush më porosit që të bëj kujdes, se mos pengohem në hapësirën midis trenit dhe platformës së stacionit, kur jam duke zbritur? Kush më kujton që të mos harroj trastat, qeset dhe çantat, tek jam duke u bërë gati të dal nga treni? Kush prind a mësues imagjinar më trajton mua udhëtarin si fëmijë?

Me trenat e vjetër, kjo pyetje e gjen menjëherë përgjigjen: është konduktori i trenit që flet, ose një njeri prej mishi e gjaku si unë, që përcjell, me qenien e vet dhe sidomos me rolin e vet, autoritetin e MTA-së (Metropolitan Transportation Authority). Në trenat e rinj, kur mesazhet vijnë të pararegjistruara, nga i njëjti zë anonim në çdo tren, në çdo vagon, në çdo linjë, konduktori nuk flet më, përveçse kur informacioni që duhet përcjellë është i tillë, që nuk mund të mbulohet nga mesazhet e gatshme.

Po kush i thotë këto mesazhe abstrakte atëherë? Nga vijnë?

Një mundësi përgjigjeje do të ishte: sistemi i metrosë së NYC, tërësia e llahtarshme e trenave, e tuneleve, e shinave, e konduktorëve, e policëve, e sindikatave…

Në fakt, dhënia e informacionit pa subjekt thëniezimi të identifikueshëm nuk është ndonjë gjë e re. Edhe një tabelë e thjeshtë, NDALOHET KALIMI, funksionon në të njëjtën mënyrë; sikurse shenjat e qarkullimit rrugor ose gjithfarë shenjash të tjera publike, të cilat na informojnë për shërbime, ose për drejtime që duhet të marrim, ose për rreziqe të ndryshme.

Çdo tren metroje e ka të shënuar numrin ose shkronjën e linjës në dritaret e vagonit, nga brenda dhe nga jashtë; sikurse gjenden, brenda vagonit, edhe diagrame të thjeshta që tregojnë rrugën që bën treni dhe stacionet ku ndalet, pa përmendur hartën e përgjithshme të metrosë. Këto shenja pamore nuk ndryshojnë shumë, për nga funksioni, me lajmërimet zanore automatike për stacionet të cilave u afrohet treni, ose me informacione të tjera që kanë lidhje me linjën, shkëmbimet, ose ndryshimet e orareve. Të gjitha informacionet vijnë vërtet nga një burim; madje ky burim duhet të ketë me përkufizim autoritet ose të jetë autentik. Ndoshta nuk do të ishte ndonjë gabim, tek e fundit, që të identifikohej subjekti i këtyre informacioneve me sistemin e MTA (ose të Metrosë).

Megjithatë, kur ky sistem guxon dhe të kërkon të falur për vonesat, atëherë metafora nuk qëndron dot më; sepse të kërkosh të falur është akt gjuhësor që nënkupton pjesëmarrjen, me një farë simpatie ose empatie, të palës që (kujton se) të ka lënduar. Kur përplasesh me një person në rrugë, ti i kërkon të falur, nëse mendon që faji është yti; por kur përplasesh me një shtyllë, ti nuk i kërkon shtyllës së falur, as pret që shtylla të të kërkojë të falur (edhe pse shtylla mund të ketë të afishuar një tabelë, e cila të lajmëron të bësh kujdes dhe të mos përplasesh me të).

Nga ana tjetër, unë njoh një eskalator, në stacionin e metrosë në Herald Square, që thotë pa pushim: “Have a nice day!”, me një zë gramafoni si të atyre kukullave që thonin dikur MAMA dhe që mua nuk di pse më kall datën. Kush e ka pasur vallë këtë ide kaq djallëzore, që ta vërë eskalatorin t’u urojë njerëzve ditë të bukur? Një herë, një eskalator në stacionin Tiburtina në Romë u prish, kapi një zonjë me nofullat e veta dhe e bëri pelte – janë makina të fuqishme dhe mizore. Kur e kam parë lajmin në gazetë, kam vrarë mendjen nëse ai eskalator atje u uronte njerëzve udhë të mbarë gjithashtu, (madje edhe gjatë kohës që po e shqyente zonjën, meqë sisteme të tilla janë gjithnjë modulare), apo ndonjë ndeshtrashë tjetër njëlloj të hareshme. Po ky eskalatori në Herald Square ende nuk ka çgjymtyruar kënd, se përndryshe do t’ia kishin prerë kordat zanore (if only).

Nuk po nis të ankohem për sistemet e përgjigjes automatike, të shërbimit të klientëve, bie fjala, të bankave ose të shoqërive të sigurimit; por do të kthehem tek zëri që u kërkon të falur udhëtarëve, në metro, për ndonjë vonesë të çfarëdoshme të trenit. We apologize, thotë zëri, duke u fshehur pas një ne-je mbretërore (vetë MTA-ja si grup ose kor i frikshëm qeniesh autoritare, të cilat urdhërojnë lëvizjet e trenave nën dhé dhe mbi dhé). Mirëpo unë nuk mund të pranoj që një sistem automatik mesazhesh të pararegjistruara të më kërkojë të falur. Diçka brenda meje lëndohet, fyhet, revoltohet, ndihet e përdhosur, e nëpërkëmbur, e shkelur. Normalisht, të falurën duhet të ma kërkonte personi i cili ka shkaktuar vonesën – por kjo është e pamundshme. Sikurse e përmenda, të falurit nuk është thjesht transmetim informacioni (NDALOHET DUHANI), as mënyrë e stërholluar për të imponuar një autoritet atje ku ti nuk pret që të ketë autoritet (NDALOHET DUHANI: unë, që e them këtë, kam autoritetin të mos të të lejoj që ta ndezësh këtu; ose unë, që e zotëroj këtë hapësirë edhe pse ti nuk më sheh, të shfaqem ty me ndalimin për ta ndezur të shkretën). Të falurit është pjesëmarrje emocionale në komunikim; meqë përcjell jo vetëm informacion, ose të falurit vetë, por edhe një keqardhje, simpati, empati, në daçi edhe ironi. (Më fal se të prisha rehatin.) Dhe, gjithsesi, të falurit kërkon që subjekti që e kërkon, të ketë dijeni për çfarë ka ndodhur. Përndryshe, gjesti pre-emptiv i apologjisë, përshenjon kryesisht arrogancë. Ju kërkojmë të falur për vonesën, në gojën e një sistemi automatik, do të thotë kryesisht: hiç nuk po na plas, se u vonuat ju pesë minuta; thoni më mirë falemnderit, që po ju shpiem në destinacion shëndoshë e mirë. Sikurse do të thotë: ne e kemi situatën nën kontroll (ia dimë shkakun vonesës).

Pa shtuar pastaj se zakonisht vonesën e shkaktojnë dy gra multiraciale që i hidhen befas në fyt njëra-tjetrës (çështje horoskopi) dhe pastaj rrëzojnë tulet e bëshme dhe të sfungjerta në dyshemenë e qelbur të vagonit, teksa një turist i trembur nga Minnesota tërheq me dorën e dredhur frenin e sigurisë, si Shvejku. MTA-ja, megjithë kudogjendjen e saj orwelliane, nuk mund të lejojë që ky sekret profesional të dalë sheshit. Më kollaj është të vësh një altoparlant të kërkojë të falur; dhe pastaj një eskalator që të të urojë ditë të mbarë, kur të dalësh nga stacioni.

About these ads

Mikrofoni

  • Print
  • More
  • Digg

Like this:

Like Loading...

Posted in Komunikim | Tagged autoriteti anonim, la voce del padrone, metroja, sistemet automatike të informacionit, zëri i autoritetit | 5 Comments

5 Responses

  1. on December 30, 2011 at 1:33 pm Xha Xhai

    Lutem që të gjitha vërejtjet që mund të keni në lidhje me çështje jothelbësore të temës së trajtuar (sidomos ato në lidhje me gjuhën, të cilat i obsesionojnë disa) të m’i dërgoni privatisht, në adresën që shfaqet kur klikoni mbi emrin tim. Edhe pse unë e çmoj sinqerisht interesin e lexuesit në këto çështje dhe kam shumë ç’të mësoj nga të gjithë ju, më duhet t’ju kujtoj se hapësira e komenteve ka për funksion të nxitë diskutimet rreth temës së shkrimit kryesor, jo rreth mënyrës si shkruan autori; prandaj çdo vërejtje të tipit “ke përdorur një fjalë të huaj” do ta konsideroj si orvatje për të shmangur vëmëndjen nga tema, gjë që nuk mund ta lejoj, sa kohë që qëllimi i blogut është rrahja e temave, jo përsosja e idiolekteve të autorëve sipas gjedhit leksikor purist.


  2. on December 30, 2011 at 6:26 pm Konduktori pa ze

    Ndoshta problemi qendron tek modaliteti i zerit ne vetvete. Zeri permban gjithnje dicka te pazberthyeshme. Nuk behet fjale thjesht per ate qe quhet prozodi por edhe per nje element thellesisht intim dhe metafizik. Dicka qe te kujton historine e Muhametit qe shpallja i erdhi ne shpelle pikerisht me ane te zerit. Foshnja gjithashtu, para se te shohe nenen e saj, para se gjithash e degjon ate qe ne bark. Ndjesia qe provojme kur jemi ne erresire dhe degjojme nje kenge eshte teresisht e ndryshme me ate qe provojme kur shohim psh nje foto sado e bukur te jete kjo e fundit. Ne rastin e kenges ajo na duket sikur na flet vetem ne, na perkedhel ne njefare mase deshiren per vecanesi.

    Nuancat qe permban zeri njerezor arrijne te qendrojne pertej teknikaliteteve dhe praktikaliteteve qe perdor sot njerezimi me qellim mbarevajtjen e perditshme te gjerave. Mendoj se ky element e ben te veshtire edhe teknologjine e prodhimit artificial te zerit dhe te te folurit. Sado te afte na ka bere shkenca teknikisht per te zberthyer, analizuar dhe riprodhuar tingujt, perseri gjuha e prodhuar artificialisht qendron e larget per veshet e degjuesit.


  3. on December 30, 2011 at 7:05 pm Xha Xhai

    Kjo është kaq e vërtetë dhe të falënderoj për prurjen. Në fakt, efekti autoritar i zërit të shtrupëzuar (disembodied) – i cili bashkon në vetvete hyun që flet nga një përmasë transhendentale dhe halucinacionin dëgjimor të skizofrenit. Dua të them: shkëputja e zërit nga burimi i drejtpërdrejtë (njeriu që flet, si qenie e gjallë, ose më mirë trupi njerëzor që prodhon ligjërimin, si dukuri fizike), ose shtrupëzimi, si kusht për imponimin e një autoriteti pothuajse metafizik. Në distopitë dhe makthet totalitare të artit të shekullit XX, atmosfera paraqitet rregullisht si e nginjur, madje e mbingopur, në mesazhe të tilla të shtrupëzuara: jo vetëm dëgjimore, të përcjella nga altoparlantet si urdhra ose këshilla, por edhe pamore, në trajtë parullash gjithfarësh në muret, të cilave gjithashtu u mungon një subjekt thëniezimi i identifikueshëm. Kjo vlen edhe për mesazhin RREZIK TRENI. NDAL, SIGUROHU, KALO, edhe për mesazhin PARTI-ENVER; madje dobishmëria e të parit shërben si leje-kalimi për absurditetin e të dytit, i cili është pothuajse paragjuhësor, në pagramatikalitetin e vet. Ngjashëm veprojnë edhe sloganet publicitare, të llojit JUST DO IT, edhe pse këto priren t’i falen më tepër modelit viral dhe të funksionojnë efektshëm duke u replikuar në ligjërimin e të gjithëve, njëlloj si batutat e filmave. Gjithsesi, mungesa e një subjekti lehtësisht të identifikueshëm të thëniezimit, ose e një autori të thënies publike, shërben për mua si tregues i faktit që zëri që po më flet është zëri i padronit (la voce del padrone); në kuptimin që mua marrësit më duket vetja si personazh i një rrëfimi, të cilit i vijnë mesazhe të shtrupëzuara nga rrëfimtari; meqë rrëfimtari, duke i përkitur një rrafshi të ndryshëm nga personazhi i vet, mund të komunikojë me të, por jo t’i komunikohet në mënyrë shqisore. Argumenti e ka edhe një aspekt teologjik – por nuk po zgjatem më.


  4. on December 30, 2011 at 8:26 pm edrus

    Aspekti invaziv i teknologjisë në jetën tonë të përditshme, sidomos kur veprimtarinë e tij e kryjen nëpërmjet mesazheve të prerregjistruar, nganjëherë shfaqet edhe në forma kurioze (dhe pse jo të rrezikshme).
    Javën e kaluar më qëlloi të përdorja makinën e një kolegu, makinë që, ndër djallëzitë elektronike të pafund, nuk mund të mos kishte dhe “udhrrëfyesin elektronik” (ose i thënë shqip: Navigatorin satelitor)
    Ndryshe nga kolegu, që për arsye që nuk më interesojnë të hulmutoj më thellë, kishte zgjedhur si spiker,për mesazhet audio, zërin e një humoristi, unë impostova si zë më të pëlqyshëm për veshët e mij, atë të një femre.
    Pamvarsisht shijeve tona në përzgjedhjen e cilësive të ndryshme të zërit të folësit/folëses, është interesant fakti që, pothuajse automatikisht, bëhemi robër të ati zëri… ju bindevi “urdhërave” të tij në mënyrë automatike a thua se edhe ne kemi marrë papritur disa veti prej roboti. Kjo bëhet me një natyrshmëri maniakale duke qënë gjithmonë të vetdijshëm që DUHET të kemi besim tek pagabueshmëria e teknologjisë në stadin e avancuar në të cilin ajo ka arritur… Kjo deri kur, duke mos ju besuar veshëve të duhet t’i hedhësh një sy edhe monitorit për të parë nëse informacioni viziv përputhet me mesazhin audio të sapodëgjuar dhe të vësh buzën në gaz me gabimin madornal të elektronikës, sado të evolvuar, aspak njerëzore dhe në aspektet e një logjike foshnjore, kur të thotë: “Adesso giri stretto a sinistra verso la via…” që do të ishte një komandë mjaft normale përgjatë një udhëtimi, sikur të mos ishe në… autostradë (dhe larg ndonjë stazioni daljeje prej saj).

    P.s: nuk e di se pse më hypi një dëshirë që të përdorja herëpas’here e vend e pavend fjalë t’jashtme :P


  5. on December 31, 2011 at 5:31 pm L_

    Sot mendova te marr per here te pare trenin ne Tiburtina. Te them te drejten mbeta pa mend, jo vetem qe isha i ndergjegjshem pas pershkrimit te mesiperm, por pamja e trenave e pikturuar njesoj si dhe pallatet e Tiranes, e gjithe ambientit ne pergjithsi me la shije te hidhur. Stacionet duhej ti ndiqje me shume kujdes sepse nuk kish asnje ze elektronik qe te te paralajmeronte se me ne fund duhej te zbrisje nga ky udhetim i panevojshem.
    Ne fakt, sistemet automatike te ketij lloji jane te domosdoshme per te gjithe ata qe u duhet te humbin pamvarsine nga lodhja dhe rutina e perditshme e punes.



Comments are closed.

  • Lutje bashkëpunëtorëve

    Herë pas here, miq dhe kolegë të ndryshëm më dërgojnë materiale për publikim në blog, si autorë të ftuar.

    Deri më sot blogu ka qenë i hapur për kontribute të tilla; por besoj se ka ardhur koha të zbatojmë një kriter të ri për publikimet nga autorë sporadikë.

    Kolegët janë të ftuar dhe të mirëpritur të marrin pjesë aktivisht në debatet e ndryshme në blog; dhe vetëm më pas të publikojnë aty materialet e tyre. Më shumë se për pluralitet autorësh, kemi nevojë për pluralitet mendimesh.

    Nuk inkurajojmë, nga ana tjetër, kontribute të izoluara nga miq dhe kolegë që përndryshe nuk kanë kohë, mundësi ose dëshirë për t’u aktivizuar në komentet dhe në veprimtarinë e blogut.

    E njëjta gjë vlen për autorë sporadikë, që marrin mundimin të komentojnë vetëm për shkrimet e veta – meqë blogu nuk duhet kuptuar si shtëpi ku merren dhoma me qera.

    Autorët e ftuar në blog duhet të kenë krijuar, kështu, një profil të tyrin virtual nëpërmjet komenteve, sepse ashtu edhe lexuesi do t’i ndjekë më mirë.

    Ky kriter nuk formulohet ad hoc, për këtë apo bashkëpunëtor në veçanti, por është për t’u interpretuar si një kërkesë e arsyeshme, që përmirëson komunikimin e blogut me lexuesin.

    Xha Xhai

  • Reaksione

    xhibi on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
    highlander on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
    Relapso on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
    Relapso on TË ARDHUR E TË IKUR
    Lulian Kodra on TË ARDHUR E TË IKUR
    highlander on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
  • Enzima

    • PROMETEU NË FARMACI
    • MËSIME KLASIKE
    • TË ARDHUR E TË IKUR
    • Q
    • FTESË
    • TE TALLËSH BYTHËN GJUHËSISHT
    • ÇFARË FILMASH SHEH?
    • LLOJE TË CENSURËS
    • MIGRACIONI I HARRUAR
    • KËTA TË SOTMIT
  • Twitter

    • RT @Peizazhe: KËTA TË SOTMIT wp.me/p5CYF-3hp 1 week ago
    • MASH e shqetëson më shumë përdorimi politik i raportit të BB nga opozita, sesa përmbajtja. #ANALFABETIZËM FUNKSIONAL xhaxhai.wordpress.com/2013/04/29/ana… 2 weeks ago
    • RESPEKT PËR DORËHEQJEN xhaxhai.wordpress.com/2013/04/17/res… #KQZ 1 month ago
    • SPJUNLLIQE wp.me/p5CYF-3fc 1 month ago
    • RT @Peizazhe: MË GJEJ NJË FOTO TË BUKUR wp.me/p5CYF-3eT 1 month ago
    Follow @xhaxhai
  • Pineska

    arti Ballkani cargo cult censura demokracia drejtshkrimi Edi Rama emigracioni emigrantët Enver Hoxha Europa fjalët e huaja gegërishtja gjuha shqipe huazimet ilirët institucionet Interneti islami Ismail Kadare Kadareja kanuni katolicizmi kombëtarizmi komunizmi Kosova ligjërimi publik mediat Nënë Tereza pluralizmi politika populizmi privatësia protesta publiku purizmi përkthimi Sali Berisha shqipja e drunjtë shqipja e njësuar shqipja totalitare standardi teknologjia Tirana totalitarizmi
  • RSS Shqipologji

    • Një mohim, dy përcjellore
    • Motra e vogël e “mbetem”
    • Folje e sëmurë
    • Fjalë e lashtë
    • Në kontekst
  • Për ajrim

    • Alb-Club
    • Arbër Shtëmbari
    • Ardit Rada
    • Ba Bai
    • Besnik Pula Blog
    • Bizantin
    • Busulla
    • E-Zani i Nalte
    • Edlira Gjoni
    • Epigraphica
    • Fletore shënimesh (Arbër Zaimi)
    • Flokënaja
    • Gastare
    • Gomari ballkanik
    • Krypa
    • OBOBO News
    • Organizata politike
    • Përpjekja
    • Pëshpërima
    • Peshku pa ujë
    • Poezi shqip
    • Programe shqip
    • Rando Devole
    • Regtima
    • ResPublica
    • Rrethi lakanian i Tiranës
    • Sheshet
    • Shtëpia e librit
    • Sleepwalkers
    • Stalker
    • Tannhauser
    • Tirana Calling
    • Vështrime
    • Xixa
  • Bujrum

    • Register
    • Log in
    • Entries RSS
    • Comments RSS
    • WordPress.com
  • Numëratori Geiger

    • 1,743,717 hits
  • Dosjet sekrete

    • May 2013 (16)
    • April 2013 (24)
    • March 2013 (22)
    • February 2013 (28)
    • January 2013 (33)
    • December 2012 (26)
    • November 2012 (30)
    • October 2012 (27)
    • September 2012 (25)
    • August 2012 (26)
    • July 2012 (30)
    • June 2012 (23)
    • May 2012 (24)
    • April 2012 (21)
    • March 2012 (27)
    • February 2012 (29)
    • January 2012 (32)
    • December 2011 (30)
    • November 2011 (35)
    • October 2011 (31)
    • September 2011 (35)
    • August 2011 (34)
    • July 2011 (24)
    • June 2011 (30)
    • May 2011 (30)
    • April 2011 (24)
    • March 2011 (27)
    • February 2011 (28)
    • January 2011 (36)
    • December 2010 (22)
    • November 2010 (25)
    • October 2010 (23)
    • September 2010 (27)
    • August 2010 (27)
    • July 2010 (24)
    • June 2010 (31)
    • May 2010 (25)
    • April 2010 (29)
    • March 2010 (27)
    • February 2010 (21)
    • January 2010 (26)
    • December 2009 (25)
    • November 2009 (25)
    • October 2009 (19)
    • September 2009 (27)
    • August 2009 (21)
    • July 2009 (23)
    • June 2009 (22)
    • May 2009 (20)
    • April 2009 (23)
    • March 2009 (30)
    • February 2009 (23)
    • January 2009 (34)
    • December 2008 (20)
    • November 2008 (25)
    • October 2008 (17)
    • September 2008 (15)
    • August 2008 (16)
    • July 2008 (18)
    • June 2008 (18)
    • May 2008 (18)
    • April 2008 (14)
    • March 2008 (15)
    • February 2008 (13)
    • January 2008 (17)
    • December 2007 (24)
    • November 2007 (23)
    • October 2007 (21)
    • September 2007 (18)
    • August 2007 (18)
    • July 2007 (22)
  • Enter your email address to subscribe to this blog and receive notifications of new posts by email.

    Join 5,036 other followers

  • Copyright

    Creative Commons License
    Materialet origjinale në këtë faqe (përjashtuar komentet) by Peizazhe të fjalës is licensed under a Creative Commons Attribution 3.0 Unported License.
    Based on a work at xhaxhai.wordpress.com.

Blog at WordPress.com.

Theme: MistyLook by WPThemes.


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,036 other followers

Powered by WordPress.com
%d bloggers like this: