Feeds:
Posts
Comments

Archive for May, 2012

Për të hyrë në Logronjo duhej të kaloja lumin në urën e Santo Juan de Ortega-s, sipas emrit të shenjtit që besohet se ka qenë ndërtuesi i versionit të saj të parë. Megjithatë, nuk ishte ura, për të cilën nuk kisha dëgjuar kurrë, por ishte lumi i Ebros mbi të cilin ajo kalonte, ai që përflakte fantazinë time. Pas lumit të Tiranës ai ishte lumi më i njohur i fëmijnisë sime. Kjo lidhej më një libër me kujtime të luftëtarëve shqiptarë që morën pjesë në Luftën e Spanjës. Qe një libër të cilit i kthehesha me dhjetëra herë dhe besoj se shumë nga moshatarët e mi e njohin. Por unë mbase kisha edhe një arsye më shumë. Aty ishin edhe kujtimet e një njeriu të familjes, i cili në Betejën e Ebros, pas disa ditësh bombardime, kishte mbetur i vetmi luftëtar i gjallë i batalionit të tij.

Nga ai imazh që kisha për atë lumë, mbeta pak keq kur hodha sytë përtej urës dhe pashë në breg të tij nja dy peshkatarë të përgjumur e me nga një tog shishesh birre te këmbët, që më përshëndetën nga larg, si të vetmin spektator të asaj dite të gjatë qershori.

(more…)

Read Full Post »

Sot indiani Vishy Anand e ruajti titullin e kampionit të botës në shah, kundër sfidantit izraelit Boris Gelfand.

Matçi i rregullt, prej 12 lojërash, përfundoi në barazim, prandaj u kalua, sipas marrëveshjes, në një tiebreak prej 4 lojërash të shpejta (25 minuta për lojëtar plus 10 sekonda të shtuara për çdo lëvizje); dhe kampioni në fuqi arriti të fitojë lojën e dytë të tiebreak-ut dhe krejt matçin, meqë lojërat e tjera të shpejta përfunduan gjithashtu në barazim.

Ja edhe pozicioni kritik në lojën vendimtare:

Gelfandi, që luante me të zezat, gabimisht e lejoi Anandin të ndërrojë figurën e lehtë (Ke6 shah, pastaj Kd4); dhe pas kësaj fitorja ishte çështje teknike vetëm.

Ndeshjen, të komentuar, mund ta ndiqni këtu.

Anandi nuk shkëlqeu këtë herë, edhe pse duhet thënë që kundërshtari i tij ishte ujk i vjetër dhe specialist betejash të tendosura pozicionale. Me dy përjashtime, ndeshjet e rregullta të matçit përfunduan në barazim – dhe vëzhguesit fajësuan, për këtë mërzi, temperamentet e kujdesshme të të dy lojëtarëve. Në fakt, as Anandi as Gelfandi nuk janë mes shahistëve më të mirë sot; meqë në klasifikimet e FIDE-s Anandi renditet pas danezit Magnus Carlsen, armenit Levon Aronian dhe rusit Vladimir Kramnik, ndërsa Gelfandi është diku nga vendi i 20-të.

Megjithatë, është meritë e Anandit që ka arritur t’i fitojë të tre matçet e fundit për titullin botëror, duke u treguar më i miri në botë, në mos si shahist absolut, së paku si interpretues i sistemit kompetitiv të tanishëm.

 

Read Full Post »

Do ta keni vënë re që editorialet, komentet dhe analizat në disa gazeta të Tiranës kanë ardhur duke u tkurrur. Nëse më parë një shkrim në rubrikën përkatëse, te Shekulli, luhatej midis 1000 dhe 1500 fjalëve, tani duket sikur norma ka rënë në 500-600 fjalë. Diçka e ngjashme ndodh edhe te Shqiptarja, edhe pse kjo gazetë është e re dhe e ka ndjekur këtë kriter që në krye. Te ResPublica, ndërkohë, ka një numër të madh shkrimesh të llojit lajm + koment, që ndjekin edhe ato formatin e shkurtër – edhe pse ResPublica i përket një lloji tjetër mediash, prandaj nuk lidhet me dukurinë që më intereson, përveçse tërthorazi.

(more…)

Read Full Post »

Le të kthehemi, mendërisht, në fund të viteve 1980, ose në prag të kolapsit të Europës Lindore dhe fitores, relativisht të pagjak, të modelit Perëndimor (kapitalizëm + treg i lirë + demokraci) të zhvillimit ndaj atij Socialist.

Elitat e të gjitha llojeve, në Shqipëri, ishin bindur tashmë se sistemi i deriatëhershëm kishte dështuar; dhe se e vetmja rrugëdalje ishte afrimi me Perëndimin. Nëse kishte vonesa dhe ngurrime, këto kishin më tepër të bënin me përgatitjet e një pjese të elitave për të shpëtuar kokën ose, më mirë akoma, për ta mbajtur pushtetin edhe gjatë tranzicionit.

(more…)

Read Full Post »

Dy kultura që bëjnë tregti me njëra-tjetrën ose shkëmbejnë sende dhe ide, presin – për shkak të vetë barazisë themelore që instauron çdo marrëdhënie shkëmbimi si e tillë – që sendet dhe idetë e shkëmbyera të ruajnë pak a shumë të njëjtën vlerë përdorimi gjatë kalimit nga njëra kulturë në tjetrën. Nëse unë prodhoj parfum dhe ta shes ty, atëherë unë pres që ti ta përdorësh mallin tim për t’u parfumuar, jo për të trembur insektet ose për të ndezur zjarr; nëse ti prodhon miell dhe ma shet mua, atëherë ti pret që unë me miellin tënd të bëj bukë, jo ta përdor si ingredient të llaçit në ndërtim.

(more…)

Read Full Post »

Kur dy kultura gjenden përballë njëra-tjetrës, në një hapësirë natyrshëm të strukturuar për komunikim; por mes tyre ka një mur, një barrierë ose një filtër që këtë komunikim e pengon, ose e përçudnon, ose ia redukton kompleksitetin deri në zhurmë, atëherë nuk mbetet veçse dëshira – lakuriqe.

Shqiptarët e dëshironin Perëndimin, siç dëshiron njeriu të ardhmen ose të mbetet gjallë; në kuptimin filozofik, bota përtej ‘murit’, e përftuar si alternativë e së përditshmes këndej, funksiononte edhe si vendi gjeometrik i sublimes, së mirës dhe hijeshisë estetike.

(more…)

Read Full Post »

Ka antropologë që kontaktin e një kulture relativisht të prapambetur me një kulturë relativisht të përparuar – sa i përket teknologjisë në të gjitha shfaqjet e saj – do ta analizonin si një formë të arkeologjisë së të ardhmes: kultura më e prapambetur përballet me të ardhmen e vet dhe ka shans ta eksplorojë atë. I ngjashëm me këtë është edhe koncepti i future shock, i përpunuar nga Alvin Toffler*.

Historia globale e komunikimit mes kulturave shkruhet si variacione rreth së njëjtës temë: kulturat inferiore rrëgjohen, pësojnë kolaps ose edhe zhduken krejt, në përpjekjet për t’iu përgjigjur kulturave superiore; madje edhe kur këto të fundit kanë pasur synime relativisht beninje ndaj të parave. Gjasat janë që kolapsi të vijë si efekt objektiv i vetë kontaktit mes kulturave, jo synim i palës më agresive, ose më predatore.

(more…)

Read Full Post »

Në prag të viteve 1990, Shqipëria besonte se hapja ndaj Perëndimit dhe përqafimi i mënyrës perëndimore të jetesës do të ofronin zgjidhje të sigurt dhe të shpejtë për të gjitha problemet madhore që po përjetonte vendi.

Në vija të trasha, kjo hapje konsistonte në adoptimin e një kushtetute të re që të njihte pluralizmin, votën e lirë dhe ndarjen e pushteteve; në sanksionimin e të drejtave të njeriut dhe pronës private; rikthimin e institucioneve fetare dhe ripërtëritjen e fesë; themelimin e tregut të lirë dhe përshpejtimin e përpjekjeve për integrimin e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare – duke filluar nga Bashkimi Europian dhe NATO-ja.

(more…)

Read Full Post »

Historia e Shqipërisë, për vitet 1945-1990, ka qenë edhe kronikë e izolimit progresiv të shoqërisë shqiptare nga bota mbarë, të shprehur si kufizim dhe ndërprerje marrëdhëniesh njerëzore, kulturore, ekonomike, politike, ideologjike, tregtare, teknologjike, akademike, artistike dhe punësimi.

Nëse në krye izolimi ndaj Perëndimit, ose botës kapitaliste, do të kompensohej nga një hapje zemërgjerë ndaj Lindjes komuniste, duke filluar nga Jugosllavia dhe duke vazhduar pastaj me kampin socialist, të organizuar rreth Bashkimit Sovjetik, pas vitit 1960 dhe ndërprerjes së marrëdhënieve me sovjetikët dhe satelitët e tyre, Shqipëria praktikisht ua mbylli dyert të gjithëve, duke ruajtur vetëm marrëdhënie relativisht të ngushta me R.P. të Kinës, të cilat kushtëzoheshin gjithsesi nga largësia e madhe gjeografike dhe kulturore që i ndante të dy vendet.

(more…)

Read Full Post »

Sikurse prisnim (dhe shpresonim), ndeshja e tetë e matçit u mbyll me fishekzjarrë: pas vetëm 17 lëvizjesh sfidanti Gelfand, që luante me gurët e zinj, u dorëzua sapo kampioni Anand ia kapi damën rob.

Arsyet për këtë katastrofë duan kërkuar më tepër në psikologji: pas humbjes së një dite më parë, dihej që Anandi do të tregonte dhëmbët, sikurse dihej se humbja do ta kishte tronditur.

Gelfandi, nga ana e vet, shpresonte ta shfrytëzonte ‘mërinë e kampionit’ si lojëtarët e xhudos dhe të priste për gabimin që mund të vinte – çka edhe i kushtoi shtrenjtë.

Në fakt, gabimin e bëri Gelfandi vetë, kur nuk e pikasi kurthin relativisht të thjeshtë që i kish ngritur kundërshtari. Ndeshja me komente mund të ndiqet këtu.

Read Full Post »

Që prej 10 ditësh, kampioni i botës në shah, indiani Vishy Anand, dhe sfidanti, izraeliani Boris Gelfand, po përballen, në Moskë, në një matç 12-lojërash për titullin botëror.

Gjashtë lojërat e para të matçit ishin barazime përgjithësisht të mërzitshme, ku lojëtarët u mjaftuan të studiojnë njëri-tjetrin, në pritje për lëvizjen e dobët që nuk mbërrinte.

Megjithatë, raundi i sotëm i dha fund monotonisë së barazimeve, meqë Gelfandi arriti fitoren e parë ndaj kampionit, që u mbrojt me pasivitet të madh, dhe nuk e tregoi forcën e vet veçse kur gjithçka kishte përfunduar tashmë.

(more…)

Read Full Post »

Revista The New Yorker boton fragmente nga një leksion i Salman Rushdie-ut për raportet e censurës me krijuesin dhe krijimtarinë.

Autori i Vargjeve Satanike flet për lirinë, të cilën ai dhe ne të tjerët që jetojmë në Perëndim e marrim ndonjëherë për të mirëqenë, dhe pastaj vëren:

Arti krijues kërkon jo vetëm liri, por edhe këtë supozim të lirisë. Në qoftë se artisti krijues shqetësohet nëse do të jetë i lirë nesër, atëherë ai nuk do të jetë i lirë as sot. Nëse ai ka frikë për pasojat e subjektit që do të zgjedhë, ose mënyrën si do ta trajtojë atë, atëherë zgjedhjet e tij nuk do të përcaktohen nga talenti i tij, por nga frika. Nëse ne nuk kemi besim në lirinë tonë, atëherë nuk jemi të lirë.

Natyrisht, ne që kemi përjetuar letërsi të shkruar në periudha të censurës së fortë nuk mund t’i përtypim kollaj pohime të tilla; jo vetëm ngaqë Kadareja shqiptar e shkroi veprën e vet më të mirë në kushtet e censurës më të rreptë, aq sa vetë ajo vepër është produkt i ‘jo’-ve të asaj censure po aq sa ç’është edhe produkt i talentit dhe i imagjinatës së shkrimtarit; por edhe ngaqë njohim dhe admirojmë një numër të madh shkrimtarësh të tjerë, shqiptarë dhe joshqiptarë, që i kanë negociuar veprat e tyre me censurën, madje edhe me autocensurën.

(more…)

Read Full Post »

Po t’i dëgjonim fjalët e Volterit, sipas të cilit mund të mos jemi dakord me mendimin e dikujt, por duhet t’ia mbrojmë deri në vdekje lirinë e shprehjes; ose po t’i besonim Chomsky-t, sipas të cilit nëse nuk besojmë ne lirinë e shprehjes për njerëz të cilët i përbuzim, atëherë nuk besojmë në lirinë e shprehjes, botimi në shqip i Mein Kampf-it të Hitlerit dhe polemikat pasuese, nuk do të na dukeshin gjë tjetër veçse një lloj ushtrimi i demokracisë.

(more…)

Read Full Post »

Në imagjinatën popullore, vetëflijimi ose martirizimi – për arsye altruistike – është forma sipërore e manifestimit të virtytit dhe, me këtë titull, shfaqet rregullisht në tekstet e edukatës morale, sa kohë që kombinon në vetvete dashurinë për tjetrin, trimërinë ose shpërfilljen e vdekjes dhe një virtyt të tretë, p.sh. dëshirën për liri.

Hagjiografia jonë kombëtare u jep vend të veçantë jetëve të atyre burrave dhe grave që kanë flijuar veten për një kauzë jopersonale; si pjesë e hagjiografisë së përgjithshme të martirëve të kombit, ose “të rënëve”, por edhe më vete. Çfarë e dallon heroin vetëflijues nga ai tjetri, të cilin e merr plumbi në fushë të betejës, është se i pari e zgjedh vetë vdekjen, për të shpëtuar të tjerët ose për të ndihmuar fitoren ose edhe thjesht për të protestuar ndaj një padrejtësie kapitale (Jan Palach).

(more…)

Read Full Post »

Older Posts »

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,043 other followers

%d bloggers like this: