• Home
  • Histori
  • Kulturë
  • Politikë
  • Sociologji
  • Totalitarizëm

Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta

Feeds:
Posts
Comments
« GROPA GROPA
TIRANA ME PORTA TË VOGLA »

ZBARDHET SKËNDERBEU

June 5, 2012 by Xha Xhai

Disa ditë më parë, në faqen hyrëse të shqiptarja.com, ndesha në njoftimin ngazëllyes se suplementi “Rilindasi”, i gazetës Shqiptarja, po gatitej të botonte një letër të Skënderbeut të vitit 1460, drejtuar Princit të Tarantos, Johannes Antonius de Ursinis, me hyrje dhe komente prej studiuesit Dh. S. Shuteriqi.

Sipas njoftimit që jepte gazeta, kjo “letër e rrallë” e Skënderbeut, ky “dorëshkrim i rrallë i vitit 1460”, sillte “fakte befasuese” për lexuesin.

Në të vërtetë, letrat e Skënderbeut (ka pasur dy të tilla) për Princin e Tarantos njihen prej shekujsh; madje kanë qenë të mirënjohura që në kohën kur u dërguan, edhe pse origjinalet e tyre në arkivat e Napolit kanë humbur.

Te Skënderbeu, Jeta dhe vepra, i Kristo Frashërit (f. 375), lexoj se, në kohët moderne këto dokumente i ka gjetur historiani rus Makushev në arkivin e Milanos i cili edhe i ka botuar pastaj në Beograd, në vitin 1882. Sikurse e shpjegon Frashëri, letrat janë kopje të kopjeve: pasi i shkroi një herë Princit të Tarantos, Skënderbeu ia nisi një kopje të letrave edhe mbretit Ferdinand të Aragonës, dhe ky, nga ana e vet, ia dërgoi kopjet e kopjeve dukës Francesco Sforza-s në Milano.

Për adiktët e tanishëm të postës elektronike, veprime të tilla janë më se të kuptueshme (“ia bëra cc” themi ne sot), edhe pse është pak “befasuese” që ndodhnin edhe në Mesjetë. Letrat i njihte, ndër të tjera, edhe Papa Piu II, i cili i pat cituar, me shkurtime, në Commentari të shkruar para vdekjes së tij në vitin 1464; dhe nga Commentari, ato i ka cituar edhe Frang Bardhi. Historiani rumun Marinesco, gjithnjë sipas Frashërit, dëshmon se ka gjetur në Bibliotekën e Institutit të Studimeve Katalane, në Barcelonë, përkthime të këtyre dy letrave në katalanishte.

Edhe pse shqiptarja.com i quan “të rralla” letrat, në fakt ato nuk rezultojnë të tilla, përveçse në kuptimin që Skënderbeut nuk i janë ruajtur shumë letra origjinale; në një kohë që edhe vetë shprehja “dorëshkrim i rrallë” nuk ka shumë kuptim, meqë dorëshkrimi, me përkufizim, është gjithnjë i rrallë (madje edhe kur ekzistojnë kopje të tij të bëra me dorë, si në rastin e letrave në fjalë).

Natyrisht, historianët i kanë njohur letrat dhe i kanë komentuar gjerë e gjatë; ato ndriçojnë shumë aspekte, përndryshe të diskutueshme, të politikës së Skënderbeut me Mbretërinë e Napolit dhe të arsyeve që e shtynë të ndërmerrte ekspeditën italiane.

Në njoftimin e vet të parë, Shqiptarja linte të kuptohej sikur letra e Skënderbeut ishte “zbuluar” rishtas prej Shuteriqit dhe kish mbetur e panjohur, derisa ishte kujtuar Shqiptarja që t’i befasonte lexuesit e vet; në një kohë që vetë Shuteriqi, në fragmentin e botuar në po atë lajm të gazetës, e quan letrën “të famshme”.

Ky njoftim, i afishuar fillimisht në rubrikën njëlloj befasuese THASH & THEM (për arsye që nuk po dua t’i marr me mend), është hequr tashmë nga arkivi i gazetës online; unë arrita ta gjej vetëm në cache-n e Google. Është zëvendësuar nga një version lehtësisht i redaktuar, këtë herë në faqet e kulturës, ku megjithatë lexuesit i thuhet se kjo letër “do t’i serviret lexuesit nga fondi i pasur arkivor i bibliotekës së Dh. S. Shuteriqit”, edhe pse i ndjeri studiues doemos që nuk e kishte letrën në arkivin e vet, por ndoshta vetëm ndonjë version të përkthimit.

Duket sikur kush e ka përgatitur njoftimin, nuk e ka as edhe idenë më të vogël se për çfarë bëhet fjalë: por për kë e ndjek shtypin shqiptar të kohës, as kjo farë arrogance e padijes nuk është asfare befasuese.

Ka shumë lexues të gazetës Shqiptarja të cilët nuk dinë shumë për ekspeditën e Skënderbeut në Itali dhe për marrëdhëniet e tij me Mbretërinë e Napolit: në këtë kontekst, letra e prijësit arbër për Princin e Tarantos do të shërbente si shkas për t’i rrëfyer lexuesit një faqe intriguese nga historia e Arbërisë mesjetare.

Mirëpo Shqiptares duket se nuk i mjafton kjo; meqë do të botohet një letër, atëherë ajo doemos do të paraqitet e sensacionalizuar, si dokument “befasues” dhe “i rrallë” – thua se është fjala për ndonjë letër mikluese të Dushan Mugoshës për Sadik Premten; meqë botimet me tema historike u përligjkan vetëm kur bëjnë fjalë për “zbulime” të këtilla (të ngjashme me zbulimin e habitshëm që bëri ai personazhi i Gogolit, kur vuri re se shkronjat formonin fjalë).

Shtypi i Tiranës na ka mësuar me këtë këndvështrim dëfryes të historisë, si katalog zbulimesh njëri më sensacional se tjetri: në arkeologji, në gjuhësi, në filologji, në arkivat. Një takëm studiuesish ambiciozë dhe popullarizuesish të dijes, në keqbesim, duket sikur po bashkëpunojnë për t’i shërbyer lexuesit një cocktail zbulimesh të tilla, të cilat, sikur të ishin të vërteta, do ta kishin përmbysur albanologjinë.

Ndoshta ky është edhe synimi: të përçohet ideja, skandaloze në vetvete, se historia e shqiptarëve, ajo “e vërteta”, ka qenë pak a shumë e okultuar dhe mbetet për t’u zbardhur; dhe se kjo histori që njohim dhe që na e kanë shkruar “të tjerët”, është në të vërtetë maska, versioni i gënjeshtërt, zgjedha për mendjet e paçliruara të shqiptarëve.

Nga njëra anë, spekulatorët dhe mashtruesit, që kërkojnë të kompensojnë dështimet e tyre profesionale me tërmete informative; nga ana tjetër, publiku sylesh, që lexon në të njëjtën faqe ku ka ndeshur njoftimin për letrën befasuese të Skënderbeut, edhe lajmin për Babanë e Playboy-t që rilidhet me të dashurën e tij dhe për Muskulozen Mel B; çka përfton një efekt roller-coaster që nuk i vlen gjë as kulturës albanologjike, as masturbimit.

Po ndodh një thyerje, në transmetimin e dijes historike në publik; sepse shkollat nuk arrijnë t’u japin nxënësve një vizion koherent të historisë sonë, ku faktet dhe narrativat të kombinohen mes tyre si fjalët kur formojnë fjalitë; ndërsa mass mediat rendin pas sensacioneve, dhe – të mbetura në dorë të produkteve gjysmake të shkollës tashmë të demotivuar; pa fonde për të paguar ekspertë dhe pa ndonjë dëshirë për të respektuar vetë dijen – i ushqejnë gjysmakët ekzistues me junk. Në një kohë që në qarqet kombëtariste të Tiranës ende nuk është ftohur prushi i debateve kundër Skënderbeut të Schmitt-it, shqiptari i shekullit XXI po tundohet të hajë, përditë, në McDonald’s-et e kulturës.

About these ads

Mikrofoni

  • Print
  • More
  • Digg

Like this:

Like Loading...

Posted in Histori, Media | Tagged Dh. S. Shuteriqi, idiokracia, letrat e Skënderbeut, Princi i Tarantos, sensacionalizmi i mediave, Shqiptarja, Skënderbeu | 3 Comments

3 Responses

  1. on June 5, 2012 at 6:26 am Hyllin

    Jo te gjithe e njohin letren e Skenderbeut, biles ka plot shqiptare qe s’dine te japin as shekullin kur jetoi. Ben vaki qe gazetari te mos e kete ditur, te kete pyetur ndonje koleg e as ai s’e ka ditur dhe hop u prodhua skupi.

    Kjo s’eshte gje fare, ne kemi nje te fresket nga Merkeli

    Berlini ne Rusi, madje goxha ne veri te Moskes, pastaj pse kaq afer eshte Rusia ( afer i thençin se nga Gjermania duhet te kalosh tejpertej Polonine e Bjellorusine).

    Gazetari/ja ne fjale ca mendje shqiposh ka ne dore, po Merkeli ka politiken e BE-se.

    Imagjino kur bie fjala per aspiratat shqiptare per te hyre ne BE, Merkeli qe pyet, po Shqiperia eshte si Turqia ne Azi apo eshte ne Afrike.

    Ate rol ka pasur Bismarku para 150 vjetesh e besoj se do kish vrare veten po t’i kishin thene se nje dite ne karrigen e tij do ulej nje person qe s’di ku bie Berlini e Rusia.

    Gazetari/ja s’ka dite gje, por edhe demin e ben te vogel, problemet vijne kur padija ulet kembekryq ne majat e shtetit.

    Keto jane raste qe tregojne sa e rendesishme eshte ruajtja e nivelit te arritur te dijes historiko-gjeografike, sidomos sot kur injorohet gjeresisht, por qe ruan rolin vendimtar si ne formimin identitar ashtu edhe ne politike.


    • on June 5, 2012 at 10:02 am Xha Xhai

      Rasti i Merkelit të bën për të qeshur, por përndryshe askush nuk pret prej një politikani që t’i japë mësime gjeografie; ndërsa lexuesi i një gazete, sidomos sot, andej e nxjerr edhe informacionin për historinë. Unë prandaj mora mundimin ta vë këtë në dukje, se po të jetë për gafa që bëhen poshtë e lart, këto i gjen përditë me bollëk.


  2. on June 6, 2012 at 12:20 pm Ina

    Shkrimi ngre nje problem shume te rendesishem. Kam pershtypjen se bile gazetat shpesh nuk i perfillin shkrimet e studiuesve, por i shkruajne vete komentet vetem qe te bejne sensacion, megjithese nuk e kane haberin per çka jane duke shkruar. Keshtu gazetaret tane jane bere edhe historiane, edhe astrologe, edhe nuk e di se çfare. Mos habitemi kur nje dite te na shkruajne edhe per gjera, te cilat perndryshe i gjen vetem neper artikujt shkencore.



Comments are closed.

  • Lutje bashkëpunëtorëve

    Herë pas here, miq dhe kolegë të ndryshëm më dërgojnë materiale për publikim në blog, si autorë të ftuar.

    Deri më sot blogu ka qenë i hapur për kontribute të tilla; por besoj se ka ardhur koha të zbatojmë një kriter të ri për publikimet nga autorë sporadikë.

    Kolegët janë të ftuar dhe të mirëpritur të marrin pjesë aktivisht në debatet e ndryshme në blog; dhe vetëm më pas të publikojnë aty materialet e tyre. Më shumë se për pluralitet autorësh, kemi nevojë për pluralitet mendimesh.

    Nuk inkurajojmë, nga ana tjetër, kontribute të izoluara nga miq dhe kolegë që përndryshe nuk kanë kohë, mundësi ose dëshirë për t’u aktivizuar në komentet dhe në veprimtarinë e blogut.

    E njëjta gjë vlen për autorë sporadikë, që marrin mundimin të komentojnë vetëm për shkrimet e veta – meqë blogu nuk duhet kuptuar si shtëpi ku merren dhoma me qera.

    Autorët e ftuar në blog duhet të kenë krijuar, kështu, një profil të tyrin virtual nëpërmjet komenteve, sepse ashtu edhe lexuesi do t’i ndjekë më mirë.

    Ky kriter nuk formulohet ad hoc, për këtë apo bashkëpunëtor në veçanti, por është për t’u interpretuar si një kërkesë e arsyeshme, që përmirëson komunikimin e blogut me lexuesin.

    Xha Xhai

  • Reaksione

    xhibi on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on Feja si majdanozi
    Nejona on Feja si majdanozi
    Relapso on TË ARDHUR E TË IKUR
    ipare on TË ARDHUR E TË IKUR
    LG on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
    ipare on TË ARDHUR E TË IKUR
    xhibi on TË ARDHUR E TË IKUR
    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
  • Enzima

    • PROMETEU NË FARMACI
    • MËSIME KLASIKE
    • TË ARDHUR E TË IKUR
    • Q
    • FTESË
    • TE TALLËSH BYTHËN GJUHËSISHT
    • ÇFARË FILMASH SHEH?
    • LLOJE TË CENSURËS
    • MIGRACIONI I HARRUAR
    • KËTA TË SOTMIT
  • Twitter

    • RT @Peizazhe: KËTA TË SOTMIT wp.me/p5CYF-3hp 1 week ago
    • MASH e shqetëson më shumë përdorimi politik i raportit të BB nga opozita, sesa përmbajtja. #ANALFABETIZËM FUNKSIONAL xhaxhai.wordpress.com/2013/04/29/ana… 2 weeks ago
    • RESPEKT PËR DORËHEQJEN xhaxhai.wordpress.com/2013/04/17/res… #KQZ 1 month ago
    • SPJUNLLIQE wp.me/p5CYF-3fc 1 month ago
    • RT @Peizazhe: MË GJEJ NJË FOTO TË BUKUR wp.me/p5CYF-3eT 1 month ago
    Follow @xhaxhai
  • Pineska

    arti Ballkani cargo cult censura demokracia drejtshkrimi Edi Rama emigracioni emigrantët Enver Hoxha Europa fjalët e huaja gegërishtja gjuha shqipe huazimet ilirët institucionet Interneti islami Ismail Kadare Kadareja kanuni katolicizmi kombëtarizmi komunizmi Kosova ligjërimi publik mediat Nënë Tereza pluralizmi politika populizmi privatësia protesta publiku purizmi përkthimi Sali Berisha shqipja e drunjtë shqipja e njësuar shqipja totalitare standardi teknologjia Tirana totalitarizmi
  • RSS Shqipologji

    • Një mohim, dy përcjellore
    • Motra e vogël e “mbetem”
    • Folje e sëmurë
    • Fjalë e lashtë
    • Në kontekst
  • Për ajrim

    • Alb-Club
    • Arbër Shtëmbari
    • Ardit Rada
    • Ba Bai
    • Besnik Pula Blog
    • Bizantin
    • Busulla
    • E-Zani i Nalte
    • Edlira Gjoni
    • Epigraphica
    • Fletore shënimesh (Arbër Zaimi)
    • Flokënaja
    • Gastare
    • Gomari ballkanik
    • Krypa
    • OBOBO News
    • Organizata politike
    • Përpjekja
    • Pëshpërima
    • Peshku pa ujë
    • Poezi shqip
    • Programe shqip
    • Rando Devole
    • Regtima
    • ResPublica
    • Rrethi lakanian i Tiranës
    • Sheshet
    • Shtëpia e librit
    • Sleepwalkers
    • Stalker
    • Tannhauser
    • Tirana Calling
    • Vështrime
    • Xixa
  • Bujrum

    • Register
    • Log in
    • Entries RSS
    • Comments RSS
    • WordPress.com
  • Numëratori Geiger

    • 1,745,505 hits
  • Dosjet sekrete

    • May 2013 (16)
    • April 2013 (24)
    • March 2013 (22)
    • February 2013 (28)
    • January 2013 (33)
    • December 2012 (26)
    • November 2012 (30)
    • October 2012 (27)
    • September 2012 (25)
    • August 2012 (26)
    • July 2012 (30)
    • June 2012 (23)
    • May 2012 (24)
    • April 2012 (21)
    • March 2012 (27)
    • February 2012 (29)
    • January 2012 (32)
    • December 2011 (30)
    • November 2011 (35)
    • October 2011 (31)
    • September 2011 (35)
    • August 2011 (34)
    • July 2011 (24)
    • June 2011 (30)
    • May 2011 (30)
    • April 2011 (24)
    • March 2011 (27)
    • February 2011 (28)
    • January 2011 (36)
    • December 2010 (22)
    • November 2010 (25)
    • October 2010 (23)
    • September 2010 (27)
    • August 2010 (27)
    • July 2010 (24)
    • June 2010 (31)
    • May 2010 (25)
    • April 2010 (29)
    • March 2010 (27)
    • February 2010 (21)
    • January 2010 (26)
    • December 2009 (25)
    • November 2009 (25)
    • October 2009 (19)
    • September 2009 (27)
    • August 2009 (21)
    • July 2009 (23)
    • June 2009 (22)
    • May 2009 (20)
    • April 2009 (23)
    • March 2009 (30)
    • February 2009 (23)
    • January 2009 (34)
    • December 2008 (20)
    • November 2008 (25)
    • October 2008 (17)
    • September 2008 (15)
    • August 2008 (16)
    • July 2008 (18)
    • June 2008 (18)
    • May 2008 (18)
    • April 2008 (14)
    • March 2008 (15)
    • February 2008 (13)
    • January 2008 (17)
    • December 2007 (24)
    • November 2007 (23)
    • October 2007 (21)
    • September 2007 (18)
    • August 2007 (18)
    • July 2007 (22)
  • Enter your email address to subscribe to this blog and receive notifications of new posts by email.

    Join 5,037 other followers

  • Copyright

    Creative Commons License
    Materialet origjinale në këtë faqe (përjashtuar komentet) by Peizazhe të fjalës is licensed under a Creative Commons Attribution 3.0 Unported License.
    Based on a work at xhaxhai.wordpress.com.

Blog at WordPress.com.

Theme: MistyLook by WPThemes.


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,037 other followers

Powered by WordPress.com
%d bloggers like this: