• Home
  • Histori
  • Kulturë
  • Politikë
  • Sociologji
  • Totalitarizëm

Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta

Feeds:
Posts
Comments
« PLOJË E HESHTUR
DANEZI DHE KINEZI »

PENDËT E PAPAGALLIT

July 10, 2012 by Xha Xhai

Nuk di kush ka shkruar, një herë, se martesa është shkëmbim humori të keq gjatë ditës dhe erërash të këqija gjatë natës – por nuk do të ketë qenë, me siguri, beqar.

Në fakt, kur dy vetë ndajnë shtrat, shkëmbejnë mes tyre shumë më tepër se intimitetin – dhe kjo ndodh pavarësisht nga dëshirat e tyre, ndonjëherë edhe përtej horizontit të perceptimit.

Kemi kohë që kemi hyrë në marrëdhënie të rregullt me Perëndimin, por kjo martesë duket sikur veç konfirmon, dita-ditës, aforizmin e mësipërm.

Nga Perëndimi shqiptarëve u vijnë pará dhe teknologji; të cilat, në çdo rast, përdoren nga paritë politike për të konsoliduar pushtetin e tyre.

Kush e njeh sado pak historinë e kontakteve të fuqive europiane me qytetërimet anembanë botës, gjatë shekujve XVI-XVIII, do ta vërejë menjëherë se historia përsëritet – meqë edhe popullsitë vendëse, nga Guineja në Meksikë, nga Angola në Peru, nga Karaibet në Polinezi, gjithnjë u kanë kërkuar vizitorëve mallra dhe teknologji, të cilat i kanë përdorur pastaj në luftën kundër rivalëve.

Një mushqetë, në duart e një kreut të fisit ose të djemve të tij, ishte më e fuqishme se skeptri i sundimtarit.

Për analizën e kontakteve tona me Perëndimin, pas vitit 1990, ndoshta ka më shumë vlerë të shqyrtohet çfarë është shkëmbyer, në këto marrëdhënie, përtej synimeve të palëve.

Sikurse ka interes të shihet se çfarë aspekti i këtyre marrëdhënieve katalizoi veset e fjetura, në karakterin e shoqërisë shqiptare: dhunën ndërpersonale, grykësinë, hajdutëritë, kurvëritë.

Shqipëria eksportoi në Europë një numër të madh emigrantësh; sikurse eksportoi, së bashku me emigrantët, struktura dhe vese sociale të cilat kujtonim se ishin çrrënjosur qëkur.

Europa solli në Shqipëri teknologjitë, klientelizmin dhe modelin e një jete të themeluar mbi dëshirën, vullnetin, madje obsesionin për pasurim të shpejtë dhe me çdo kusht.

Të gjitha këto, janë veç maja e ajsbergut.

Kur europianët shkelën Amerikën, çuan atje jo vetëm armët e zjarrit, rrotën, Biblën dhe kuajt; por edhe ato sëmundje të cilat, brenda dy-tre shekujsh, do të zhduknin pothuajse krejt popullsitë vendëse – që nuk kish imunitet ndaj tyre.

Edhe vendësit u përgjigjën me të njëjtën monedhë: veç domates, patates, çokollatës, misrit dhe duhanit, u dhanë europianëve sifilizin, një lëngatë që, ironikisht, gjëlloi dhe lulëzoi krah për krah me vesin në Botën e Vjetër.

Sado asimetrike palët, shkëmbimet janë gjithnjë të dyanshme.

Perëndimin e kanë sjellë këtu ku është institucionet, si vlera dhe kapital shpirtëror, kulturor dhe etik; por ne rregullisht i kemi trajtuar këto institucione si teknologji dhe jemi përpjekur t’i shfrytëzojmë si të ishin sende konsumi: nxirre nga kutia, vure në prizë, dhe thirr gjithë mëhallën të vijë ta shohë.

E shkëputur nga konteksti i vet social i natyrshëm, që e ka përftuar, teknologjia vërtet mund t’u shërbejë individëve, por përndryshe nuk është e thënë që të luajë rol doemos pozitiv në shoqëritë pritëse.

Le të mos flasim më tej, në këtë diskutim, për marrëdhëniet sot midis televizionit dhe vlerave etike, ndër shqiptarët.

Marksistët na mësojnë se kapitali është vjedhje; edhe pse ata s’e kanë nxjerrë këtë përfundim duke studiuar formimin e kapitalit në Shqipërinë e këtyre 20 vjetëve.

Përkundrazi, duke parë si dhe sa po vjedhin shqiptarët sot, atëherë duhet rivështruar edhe teza e mësipërme: nëse kapitali është vjedhje, atëherë suksesi i Perëndimit sot, edhe në aspektin etik, duhet kërkuar në kundërvënien e shoqërive perëndimore ndaj vjedhjeve.

Kur flasim për kundërvënie, vijmë sakaq te imuniteti – ose mekanizmi mbrojtës i një sistemi, ndaj interferencës, agresionit dhe entropisë.

Mungesa e imunitetit përçudnon madje edhe qëllimet e mbrapshta – pa folur për ato të mirat.

Të marrim si shembull futjen e Shqipërisë në NATO. E patëm përshëndetur, atëherë, me shpresë se NATO-ja do të ndihmonte për të ndërtuar, në Shqipëri, një institucion model – ushtrinë.

Po çfarë ndodhi në realitet? Gërdeci, tregtitë e armëve me qelbësira nga më të mëdhatë anembanë planetit, korrupsioni, dhe gatishmëria – kjo shqiptare bajraktare tradicionale por tashmë e ripërtërirë – për t’u ofruar fuqive të mëdha mercenarë, përkundrejt favoreve klienteliste.

Ose të marrim si shembull lirinë e fjalës – një nga arritjet më sublime të qytetërimit Perëndimor, të cilën ne, shqiptarët, po e përdorim rëndom si teknologji për të shkatërruar kundërshtarin.

Përfytyroni një qytetërim që e përdor elektricitetin vetëm për të ekzekutuar “armiqtë” – ky është përdorimi që po ia bëjmë lirisë së fjalës ne shqiptarët sot, në shekullin XXI.

Mënyra më e mirë për t’i njohur, në mos për t’i gjykuar kulturat, është nëpërmjet pasioneve që i sundojnë: shiheni tonën, të kapur peng e zilisë, keqdashjes së përgjithshme, urrejtjes ndaj Tjetrit, grykësisë, hakmarrjes, mburrjes, gënjeshtrës, gatishmërisë për t’u shitur.

Rrëfejnë se, kur eksploratori i famshëm britanik James Cook vizitoi Tahitin dhe qëndroi aty për disa muaj, vendësit ishin të apasionuar pas xhinglave, që u dhuronin marinarët – rruazave prej qelqi dhe sidomos gozhdëve.

Një ditë, edhe këto mbaruan. Ishullarët i kaploi zhgënjimi, sa kohë që s’po merrnin më dhurata prej vizitorëve, në shkëmbim të miqësisë, ushqimit dhe të seksit që e blatonin me zemërgjerësi.

Pastaj kapiteni Cook u kujtua se, krejt rastësisht, kishte në anije një ngarkesë pendësh të kuqe papagalli, që paskëshin qenë tejet të vyera për tahitianët, kushedi për ç’arsye.

Shkruan Alan Moorehead, te The Fatal Impact:

Për këto pupla, tahitianët ishin gati të shisnin gjithçka, madje të bënin gjithçka; me shpresën se do të shtinte në dorë një pupël të vetme, bashkëshortja e një kryetari fisi, me lejen e të shoqit, iu ofrua kapitenit Cook për seks.

Ky efekt i papritur, i një sendi modest, si penda e papagallit, ndaj kodit moral dhe institucionit të martesës në ishull, të fton të mendosh – për brishtësinë e virtytit dhe fuqinë e ngasjes.

Në fakt, që prej viteve 1980, shoqërinë shqiptare e ka sunduar tundimi, ose ngashënjimi i kufizuar vetëm prej dëshirës së Tjetrit; dhe si katalizator i këtij tundimi ka shërbyer televizioni më parë, kontakti i pandërmjetëm me realitetin përtej më pas.

Tundimi është lija që ua sollën konkuistadorët europianë shqiptarëve në fundshekullin XX.

Më tepër se për shkëmbime humori të keq dhe erërash kutërbuese, këtu bëhet fjalë për mbijetesën e denjë të një shoqërie dhe kulture, me të cilën identifikohemi.

About these ads

Mikrofoni

  • Print
  • More
  • Digg

Like this:

Like Loading...

Posted in Antropologji, Teknologji | Tagged kontakti me Perëndimin, kontakti mes kulturave, kontakti mes qytetërimeve | 4 Comments

4 Responses

  1. on July 10, 2012 at 11:50 am Tannhauser

    Pastaj kapiteni Cook u kujtua se, krejt rastësisht, kishte në anije një ngarkesw pendwsh tw kuqe papagalli, qw paskwshin qenw tejet të vyera për tahitianët, kushedi pwr ç’arsye.

    XhaXha, kjo është lapsus apo ndonjë “eksperiment” që lidhet me temat e mëparshme?


    • on July 10, 2012 at 12:15 pm Xha Xhai

      Ah, falemnderit! Nuk e gjej dot si ndodhi kjo, por e korrigjova. Gjithsesi, tani ma zbuluan teknikën sekrete të përftimit të ë-ve…


  2. on July 11, 2012 at 2:06 am lulian kodra

    Xhaxha, është vonë, por unë distancohem nga konteksti i mësipërm i marksistëve, që nuk i paskan nxjerrë mësimet gjatë këtyre 20 vjetëve. Ajo që marr nga marksizmi falë librashëtitjes është tepër abstrakte në krahasim me një frymë etike q’ia (TM kaviri i PPU) kam hasur brezit tim; shndërrimin e parasë në kapital gjatë katastrofës sa piramidale aq edhe njerëzore të 97-ës; plus kaq vjet emigracion ku besoj është krejt e panevojshme të flas personalisht, brenda a jashtë qofshim. Por si ç’thashë, është vonë…


  3. on July 16, 2012 at 7:40 pm ipare

    Po ti presim deget e shumta te ketij ndershkembimi midis Perendimit the shoqerise shqiptare, pavaresisht nga qellimet e te dyja paleve, ajo qe ngelet eshte trungu i arsyetimit moral ne sjelljet e tyre me njeri-tjetrin. Kjo ka te beje me zgjedhjet personale (te paleve) dhe rruget qe ndiqen per te arritur ate qe do/ qe zgjedh. Perendimi i ka vene vetes ( ka zgjedhur) nje detyre, nje objektiv ne baze te vlerave te tij, prej nga ku zgjedh rruget dhe mjetet per t’ia arritur. Shoqeria shqiptare nga ana tjeter ben te njejten gje, por me mjetet e veta. Edhe ajo i ka vene vetes nje detyre/objektiv, ne baze te vlerave te veta, dhe ne menyre korresponduese zgjedh mjetet per t`ia arritur. Ne rastin e tahitianeve, nec plus ultra ishte penda e kuqe e palloit. Ne rastin e shqiptareve, nec plus ultra e tyre eshte siguria materiale. Bataku moral ( kurveria/ vjedhja e viteve 90) nuk mund te pergjithesohet, pavaresisht nga ekzistenca e faktit dhe vertetimi i tij. Edhe shoqeri te tjera shume me te zhvilluara se sa e jona, ne kushte te caktuara kane rene ne te njejte premise. Mjafton te lexohsh psh per gjendjen ne Gjermani nga maji i 1945 deri ne 1947-48, ku vajzat dhe grate shihnin te pranueshme sjellje qe perndryshe ishin krejt amorale, thjeshte per nje buke, kuti konservash , sapun apo edhe corape apo gjera te tjera te nevose se perditshme. Kur u krijuan kushtet qe keto nevoja te plotesoheshin me mjete te tjera, psh duke punuar ne vendet e hapura te punes per rindertimin e vendit, atehere nje sjellje e tille nuk ishte me e pranueshme, dhe mori perseri permasat e nje imperativi, apo kufiri moral qe s`mund te kapercehesh pa pasoja.
    Morali ka vlere ne nje shoqeri kur ajo i konformohet atij, i nenshtrohet, e pranon gjykimin e tij. Po te marrim borxh nga psikologjia e te sjellurit, do thene se qofte aftesia per tu konfirmuar ( bindur), qofte motivi mbas saj, lidhen ne menyre te drejteperdrejte me aftesine e te zgjedhurit, dhe arsyen e nje zgjedhje te tille. Ne kete prizem do te ishte interesante te analizoheshin zgjedhjet qe ben shoqeria shqiptare, dhe spektrin e sjelljeve qe perdoren e me te cilat synohet realizimi , arritija e objektivit te zgjedhur.
    Po qe se arsyetimi moral ze nje pozicion qendror ne menyren se cfare raportesh krijojme dhe si sillemi me njeri-tjetrin, si individe apo si shoqeri, po kaq e renedesishme eshte edhe menyra se si fitohet dija/njohuria, nese mund te quhet e tille, per te krijuar bazat e ketij arsyetimi moral.
    Dy nga autoret kryesore qe jane marre me etapat ne zhvillimin e moralit te njeriut, jane Jean Piaget dhe Lawrence Kohlberg. Simbas ketij te fundit, zhvillimi i arsyetimit moral kalon neper 6 faza(nivele):
    Niveli 1 (pre-konvencional) – i bazuar ne bindjen dhe denimin, ku refkeksi kryesor eshte “si ti shpetoj denimit”
    Niveli 2 – i bazuar ne vete-interesin, ku refleksi kryesor eshte “cfare fitoj une”, dhe “ do paguar per te patur benefitin”
    Niveli 3 – i bazuar ne marveshjet nderpersonale dhe konformitet, ku refleksi kryesor eshte “normat sociale” , dhe perkatesia ne grupin e “djalit/vajzes se mire”
    Niveli 4 – i bazuar ne respektin e autoritetit dhe mbajtjese se rregullit social, ku refleksi kryesor eshte ai i moralitetit te “ligjit dhe regullit”
    Niveli 5 – i bazuar ne kontraten sociale, ku te gjitha opinionet, vlerat dhe te drejtat e ndryshme respektohen njesoj dhe mbulohen njesoj nen tutelen e ligjit
    Niveli 6 – i bazuar ne principet etike universal, ku ligjet ne radhe te pare duhet te jene te drejta, dhe mosrealizimi i ketij kushti mbart me vete te drejten per te mos iu bindur ketyre ligjeve. Ketu premisa baze eshte pasja/ekzistenca e nje koshience te bazuar ne principe.

    Mua me duket shume interesant konstatimi ( jo per here te pare) nga ana e Xhaxhait mbi rolin e televizorit, si ndermjetesi kryesor ne ndertimin dhe orjentimin e raportit te vlerave per shoqerine shqiptare te vitet 80 ( mbaj mend atehere beheshin vazhdimisht krahasimet e vlerese se krahut te punes dhe fuqise blerese nga te dyja anet, duke perdorur pamjet ne ekranin e televizorit, si nje lloj fjalori, per te kuptuar gjuhen e Tjetrit). Ndofta televizori luajti rolin e pendes se papagallit te Cook –ut? Edhe kontaktet e panderprera te mepasme duken sikur jane vazhdimesi e realitetit te viteve 80. Gati si nje lloj fataliteti. Live your life like last day. Dhe evitoji vetes kufinjte morale si keto te mesipermet.



Comments are closed.

  • Lutje bashkëpunëtorëve

    Herë pas here, miq dhe kolegë të ndryshëm më dërgojnë materiale për publikim në blog, si autorë të ftuar.

    Deri më sot blogu ka qenë i hapur për kontribute të tilla; por besoj se ka ardhur koha të zbatojmë një kriter të ri për publikimet nga autorë sporadikë.

    Kolegët janë të ftuar dhe të mirëpritur të marrin pjesë aktivisht në debatet e ndryshme në blog; dhe vetëm më pas të publikojnë aty materialet e tyre. Më shumë se për pluralitet autorësh, kemi nevojë për pluralitet mendimesh.

    Nuk inkurajojmë, nga ana tjetër, kontribute të izoluara nga miq dhe kolegë që përndryshe nuk kanë kohë, mundësi ose dëshirë për t’u aktivizuar në komentet dhe në veprimtarinë e blogut.

    E njëjta gjë vlen për autorë sporadikë, që marrin mundimin të komentojnë vetëm për shkrimet e veta – meqë blogu nuk duhet kuptuar si shtëpi ku merren dhoma me qera.

    Autorët e ftuar në blog duhet të kenë krijuar, kështu, një profil të tyrin virtual nëpërmjet komenteve, sepse ashtu edhe lexuesi do t’i ndjekë më mirë.

    Ky kriter nuk formulohet ad hoc, për këtë apo bashkëpunëtor në veçanti, por është për t’u interpretuar si një kërkesë e arsyeshme, që përmirëson komunikimin e blogut me lexuesin.

    Xha Xhai

  • Reaksione

    Xha Xhai on TË ARDHUR E TË IKUR
    Relapso on RRETH KOLIQIT
    anonimi on RRETH KOLIQIT
    pifto on RRETH KOLIQIT
    Evdotea on TË ARDHUR E TË IKUR
    dr.paradoks on PROMETEU NË FARMACI
    Lulian Kodra on TË ARDHUR E TË IKUR
    Cyprinodon diabolis on RRETH KOLIQIT
    highlander on TË ARDHUR E TË IKUR
    xeno on TË ARDHUR E TË IKUR
  • Enzima

    • RRETH KOLIQIT
    • PLEH
    • PROMETEU NË FARMACI
    • MËSIME KLASIKE
    • TË ARDHUR E TË IKUR
    • Q
    • FTESË
    • TE TALLËSH BYTHËN GJUHËSISHT
    • ÇFARË FILMASH SHEH?
    • LLOJE TË CENSURËS
  • Twitter

    • RT @Peizazhe: RRETH KOLIQIT wp.me/p5CYF-3iL 6 hours ago
    • RT @Peizazhe: KËTA TË SOTMIT wp.me/p5CYF-3hp 2 weeks ago
    • MASH e shqetëson më shumë përdorimi politik i raportit të BB nga opozita, sesa përmbajtja. #ANALFABETIZËM FUNKSIONAL xhaxhai.wordpress.com/2013/04/29/ana… 3 weeks ago
    • RESPEKT PËR DORËHEQJEN xhaxhai.wordpress.com/2013/04/17/res… #KQZ 1 month ago
    • SPJUNLLIQE wp.me/p5CYF-3fc 1 month ago
    Follow @xhaxhai
  • Pineska

    arti Ballkani cargo cult censura demokracia drejtshkrimi Edi Rama emigracioni emigrantët Enver Hoxha Europa fjalët e huaja gegërishtja gjuha shqipe huazimet ilirët institucionet Interneti islami Ismail Kadare Kadareja kanuni katolicizmi kombëtarizmi komunizmi Kosova ligjërimi publik mediat Nënë Tereza pluralizmi politika populizmi privatësia protesta publiku purizmi përkthimi Sali Berisha shqipja e drunjtë shqipja e njësuar shqipja totalitare standardi teknologjia Tirana totalitarizmi
  • RSS Shqipologji

    • Një mohim, dy përcjellore
    • Motra e vogël e “mbetem”
    • Folje e sëmurë
    • Fjalë e lashtë
    • Në kontekst
  • Për ajrim

    • Alb-Club
    • Arbër Shtëmbari
    • Ardit Rada
    • Ba Bai
    • Besnik Pula Blog
    • Bizantin
    • Busulla
    • E-Zani i Nalte
    • Edlira Gjoni
    • Epigraphica
    • Fletore shënimesh (Arbër Zaimi)
    • Flokënaja
    • Gastare
    • Gomari ballkanik
    • Krypa
    • OBOBO News
    • Organizata politike
    • Përpjekja
    • Pëshpërima
    • Peshku pa ujë
    • Poezi shqip
    • Programe shqip
    • Rando Devole
    • Regtima
    • ResPublica
    • Rrethi lakanian i Tiranës
    • Sheshet
    • Shtëpia e librit
    • Sleepwalkers
    • Stalker
    • Tannhauser
    • Tirana Calling
    • Vështrime
    • Xixa
  • Bujrum

    • Register
    • Log in
    • Entries RSS
    • Comments RSS
    • WordPress.com
  • Numëratori Geiger

    • 1,749,805 hits
  • Dosjet sekrete

    • May 2013 (18)
    • April 2013 (24)
    • March 2013 (22)
    • February 2013 (28)
    • January 2013 (33)
    • December 2012 (26)
    • November 2012 (30)
    • October 2012 (27)
    • September 2012 (25)
    • August 2012 (26)
    • July 2012 (30)
    • June 2012 (23)
    • May 2012 (24)
    • April 2012 (21)
    • March 2012 (27)
    • February 2012 (29)
    • January 2012 (32)
    • December 2011 (30)
    • November 2011 (35)
    • October 2011 (31)
    • September 2011 (35)
    • August 2011 (34)
    • July 2011 (24)
    • June 2011 (30)
    • May 2011 (30)
    • April 2011 (24)
    • March 2011 (27)
    • February 2011 (28)
    • January 2011 (36)
    • December 2010 (22)
    • November 2010 (25)
    • October 2010 (23)
    • September 2010 (27)
    • August 2010 (27)
    • July 2010 (24)
    • June 2010 (31)
    • May 2010 (25)
    • April 2010 (29)
    • March 2010 (27)
    • February 2010 (21)
    • January 2010 (26)
    • December 2009 (25)
    • November 2009 (25)
    • October 2009 (19)
    • September 2009 (27)
    • August 2009 (21)
    • July 2009 (23)
    • June 2009 (22)
    • May 2009 (20)
    • April 2009 (23)
    • March 2009 (30)
    • February 2009 (23)
    • January 2009 (34)
    • December 2008 (20)
    • November 2008 (25)
    • October 2008 (17)
    • September 2008 (15)
    • August 2008 (16)
    • July 2008 (18)
    • June 2008 (18)
    • May 2008 (18)
    • April 2008 (14)
    • March 2008 (15)
    • February 2008 (13)
    • January 2008 (17)
    • December 2007 (24)
    • November 2007 (23)
    • October 2007 (21)
    • September 2007 (18)
    • August 2007 (18)
    • July 2007 (22)
  • Enter your email address to subscribe to this blog and receive notifications of new posts by email.

    Join 5,043 other followers

  • Copyright

    Creative Commons License
    Materialet origjinale në këtë faqe (përjashtuar komentet) by Peizazhe të fjalës is licensed under a Creative Commons Attribution 3.0 Unported License.
    Based on a work at xhaxhai.wordpress.com.

Blog at WordPress.com.

Theme: MistyLook by WPThemes.


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,043 other followers

Powered by WordPress.com
%d bloggers like this: