Feeds:
Posts
Comments

Archive for the ‘Antropologji’ Category

Më futi në mendime një pasazh te Illness as Metaphor, i Susan Sontag, ku autorja vëren se, ndryshe nga sëmundjet e rëndomta ngjitëse, që vijnë e ikin në trajta epidemish, tuberkulozi i veçon të prekurit nga bota; atje ku një grip, një tifo, madje edhe një murtajë të bën të ndihesh pjesë e një komuniteti, qoftë ky edhe një komunitet njerëzish në buzë të varrit, tuberkulozi përkundrazi, të ndan veç, të mbyll brenda katër mureve, të dërgon në qendra kurative dhe sanatoriume; si rregull në male ose në mes të pyjeve, të larguara nga rrëmuja dhe rrëmeti. Deri edhe karantina ndryshon: pothuajse ushtarake në rastin e parë; më e njerëzishme, por me fatalitet të nënkuptuar, në rastin e dytë.

(more…)

Read Full Post »

Kohët e fundit dëgjojmë të flitet gjithnjë e më shpesh për katundarë e qytetarë; debat ky të cilit as këtu në PTF s’i kemi lënë gjë mangut.

Natyrisht termi katundar është i ngarkuar me konotacion negativ; duke hyrë në kundërvënie me qytetarin.

Kjo krijon probleme – për t’i zgjidhur të cilat pastaj sillen në ndihmë terma të ngjashëm: fshatar (si term neutral) dhe malok (si term më negativ se katundar, për të ndihmuar që ta shtyjë këtë të fundit drejt një zone më pak të ngarkuar me konotacion).

(more…)

Read Full Post »

Dje pashë në kutinë e postës se më kish mbërritur një mesazh nga një mik i vjetër, me të cilin nuk komunikonim prej kohësh – të ndarë nga jeta dhe nga gjeografia. M’u bë qejfi, më kish marrë malli, por siç më ka ndodhur shpesh, gjithnjë duhet një arsye, ose një pretekst për t’i rifilluar lidhjet e shkëputura, vetëm një “si je, si ke qenë” nuk mjafton.

Pastaj e vështrova më mirë temën e mesazhit dhe e pashë se çfarë më kish ardhur prej mikut ishte, në fakt, SPAM; ose një adresë e thjeshtë e një sajti në ueb, ku shitej pornografi ose produkte farmaceutike ose edhe thjesht orë dore të rreme made in China. Adresën elektronike mikut tim ia kishte “pushtuar” kështu, përkohësisht, një forcë e keqe, malinje, po aq e verbër sa bakteri.

(more…)

Read Full Post »

Çdo debat rreth totalitarizmit shqiptar do ta cekë, herët a vonë, temën e madhe të sekretit nën të cilin operonte regjimi; dhe kur flitet për sekret, tema tjetër e madhe, ajo e dosjeve, nuk mund të shmanget.

Supozimi që u nënvendoset debateve të tilla është se sekreti nuk është veçse dryni që mban të mbyllur të vërtetën, për të shkuarën si të tillë, dhe për atë të shkuar që, sipas shumëve, vijon t’i japë urdhra së sotmes, nëpërmjet kryesisht shantazhit.

Tek e fundit, interesi për sekretin është para si gjithash interes për të vërtetën; dhe të vërtetën jo si proces, ose si objekt të cilit i qasemi hap pas hapi, por si thesar, i cili ekziston i paprekur diku nën dhe, duke pritur veç kazmat e gërmuesve.

(more…)

Read Full Post »

HimaraPati disa ndërhyrje në mediat, javën që shkoi, për çështjen e identitetit të Himarës, për të cilat besoj u bë shkas një intervistë e drejtorit të Shekullit, Koço Kokëdhimës, pas së cilës u shqiptuan Ndriçim Kulla (i prezantuar si Ndihmës i Presidentit) dhe i rregullti Pëllumb Xhufi; në mos gabohem, edhe i rregullti tjetër, Rahmi Memushaj.

Të gjitha këto ndërhyrje rreken të tregojnë se Himara është shqiptare, nëpërmjet argumentit se Himara ka qenë shqiptare; Xhufi është në terrenin e tij këtu, dhe ato që thotë i ka të mbështetura, edhe pse po i jap vetes të drejtën të dyshoj se ai i qëmton pak argumentet dhe sjell vetëm ato që i interesojnë (por të gjithë e bëjmë këtë, kush më shumë e kush më pak).

Unë gjithashtu besoj se karakteri më parë arbëror dhe më tej shqiptar i Himarës mund të mbrohen mirë; dhe se grekësia e sotme e atij fshati dhe e pak fshatrave përreth janë pasojë e një greqizimi që ka ndodhur relativisht vonë; por çfarë e sjell Himarën në vëmendje të opinionit publik sot nuk është historia e saj unike, as se çfarë ka qenë Himara në Mesjetë, por identiteti i saj sot dhe dyzimet e këtij identiteti. Për këtë arsye, sjellja e argumenteve historike në debat nuk vlen shumë.

(more…)

Read Full Post »

dhelpraRrëfen Libri i Gjyqtarëve në Bibël (Kapitulli 12) se dy fise semite, efraimitët dhe gileaditët, patën një herë një betejë të madhe mes tyre, e që u mbyll me fitoren e gileaditëve. Pas fitores, këta e bllokuan lumin Jordan, që të kapnin të gjithë ata efraimitë që, pas disfatës në betejë, rrekeshin të ktheheshin në tokat e veta.

Rojet gileadite ndalnin çdo njeri që kërkonte të kalonte lumin dhe i kërkonin të thoshin një fjalë të vetme: shibboleth (që në hebraishte ka kuptimin “kalli gruri”).

Efraimitët nuk e kishin bashkëtingëlloren sh në dialektin e tyre, prandaj e shqiptonin fjalën me s: sibboleth – dhe pas kësaj shkoheshin në thikë. Dyzet e dy mijë efraimitë u vranë kështu, përfundon rrëfenja.

(more…)

Read Full Post »

nga Gjergji Shuka

4) Heronjtë dhe motivet e legjendave

Me sa kuptohet prej këngëve dhe vargjeve të shumta që i kanë shpëtuar harresës; legjenda e Dedalisë e ka origjinën në  një poemë të gjatë gjestesh mbi luftën e Artës, siç janë shkruar apo krijuar gojërisht shpesh në shekullin XIV. Në pothuajse të njëjtën hapësirë kohore ndodhnin ngjarje që përshkruhen në ciklet e Kosovës dhe Marko Krajleviçit, ndërkohë që prej fillimit të shekullit XI këngë të gjata epike filluan të kompozoheshin gjithnjë e më shumë në Ballkan dhe Evropë. Hipoteza më e mundshme është që edhe poema e Gjin Bue Shpatës të jetë krijuar prej rapsodëve arbër të Artës, por gjithsesi duhen studime të mëtejshme për të sqaruar nëse ajo ka qenë kompozuar gojërisht ose nëse është shkruar dhe më pas kënduar, siç ka ndodhur për shembull me Epopenë e Digjenit.

(more…)

Read Full Post »

nga Gjergji Shuka

[Po e botojmë, në dy pjesë, këtë përmbledhje të një studimi shumë më të hapët, që miku dhe bashkëpunëtori i blogut Gjergji Shuke pati mirësinë të ma dërgonte për Peizazhe të Fjalës. Studimi hedh dritë mbi një periudhë shumë tërheqëse të historisë arbërore, si dhe për marrëdhëniet e tërthorta, por me vlerë të paçmuar, mes folklorit dhe historiografisë së Arbërisë mesjetare, të cilën e njohim aq pak. 2Xh]

Kërkimi u krye në tre etapa:  Me qëllimin e gjetjes së origjinës historike të gojëdhënës «Dedalija dhe Katallani» dhe dy gojëdhënave  simotra «Çangallozi»  dhe «Tridiçini», u kërkua fillimisht mbi ngjarje dhe personazhe historikë që mund të kishin ngjashmëri me motivet dhe heronjtë e kujtesës narrative.

Më pas u verifikuan këngët dhe gojëdhënat greke me personazhe katallanë të përmbledhura prej studiuesit spanjoll Eusebi Ayensa Prat në librat; “El record dels Catalans en la tradicio popular historica i literaria de Grecia” dhe “Baladas griegas : estudio formal tematico y comparativo”. Në traditën greke janë ruajtur tre poema  të zonës së Hipatit (Neopatrës ose Patrës mesjetare),  disa vargje apo shprehje shumë të shkurtra,  dhe një dramë; “Mbreti i Olimpit Katallani Jani”, e krijuar prej Marinos Kutuvalis në vitin 1873 mbi bazën e kujtesës popullore të mëparshme greke.

Në etapën e tretë, – pas kuptimit të zanafillës së legjendave dhe këngëve të mësipërme, – studimi u zgjerua në një pjesë të mirë të rrafshit narrativ grek, shqiptar dhe sllavo-jugor. Dhe u dallua se në ngjarjet historike të përshkruara nga legjendat e grupit të Dedalisë e kanë origjinën edhe dy këngët  shqiptaro – malazeze; “Jovani dhe kryetari i divëve” dhe “Zuku Bajraktar” (pjesa mbi Bajloz Sedalinë), poema greke “Historia e plakut të mençur”, kënga arbëreshe “Vlastari”, kënga maqedonase “Jana dhe komandanti Detelin”, legjenda shqiptare “Nusja dhe Syqenëza” dhe heroi  i poemave greke, Drakokardhos.

(more…)

Read Full Post »

black eagleNjë pyetje në dukje e pafajshme, u bë shkas për këtë shkrim: çfarë do të thotë të jesh patriot sot?

Sipas fjalorëve, patrioti është dikush që “e do atdheun dhe popullin e vet dhe u shërben atyre”; një përkufizim ky që kombinon dashurinë me dëshirën a gatishmërinë për të shërbyer.

Mes shqiptarësh, patriotizmi shpesh është paraqitur si përkushtim ndaj çështjeve kombëtare – mbrojtja e pavarësisë dhe e sovranitetit kombëtar; mbrojtja e gjuhës dhe e kulturës kombëtare; përkushtimi ndaj çështjes së bashkimit kombëtar.

Dhe këtu nuk po dua të merrem fare me aspektet përjashtuese të këtij nocioni (unë patriot, ti tradhtar).

(more…)

Read Full Post »

bisturiMë në fund, një lajm i mirë: shkencëtarët paskan konfirmuar se zorra qorre (apendiksi) nuk është, tek e fundit, dhe aq qorre, por shërben si “strehë e sigurt” për florën bakteriale të zorrëve, gjatë infeksioneve të rënda gastro-intestinale.

Natyrisht që kjo nuk ndryshon gjë në nevojën për t’u operuar, në rast se vetë zorra qorre infektohet; por vetëm ndoshta na bën të ndihemi më rehat në shoqëri të trupit.

Në orën e biologjisë, faktin që vijmë në këtë botë me një zorrë qorre që përndryshe nuk luan asnjë rol e nuk përmbush asnjë funksion, na e sillnin si provë të patundshme që njeriun nuk e ka krijuar Perëndia – se po të ish krijuar ky me frymën hyjnore, atëherë pse do ta kishin pajisur me pjesë të tepërta?

(more…)

Read Full Post »

vajze muskulozeMbaj mend, vite më parë, të më ketë bërë përshtypje një maksimë e markezit De La Rochefoucauld, që vërente se “të gjithë ankohen për kujtesën, askush nuk ankohet për zgjuarsinë”; maksimë që gjithnjë më vjen në mend, sot e kësaj dite, kur dikush më thotë, pa iu dridhur qerpiku, se “unë s’mbaj dot mend asgjë, kam kujtesë shumë të dobët”.

Gjithnjë ka vlerë të qëmtosh se pse disa të meta e mangësi tonat kemi dëshirë e zell t’i ndajmë me të tjerët, ndërsa të tjerat duam t’i mbajmë të fshehta, ose së paku të mbuluara me heshtje.

Kështu, shpesh të qëllon të dëgjosh njerëz të rrëfehen, me sinqeritet të plotë, se nuk marrin vesh gjë nga matematika; por provo të gjesh dikënd që të pranojë, me po aq sinqeritet, se nuk kupton asgjë nga piktura ose nga letërsia!

Ndoshta disa dhunti intelektuale të holla, si inteligjenca ose aftësia matematike janë tepër diskriminuese, për t’ia mohuar vetes në publik; ndoshta është demokratike të thuash se nuk merr vesh nga kjo apo ajo degë e dijes, por jodemokratike të kundërshtosh modën kulturore të momentit.

(more…)

Read Full Post »

Javës që shkoi, te një takim i artistëve shqiptarë në NYC (APEN Artist Event), më tërhoqi vëmendjen një vepër e Helidon Gjergjit, e thjeshtë në ekzekutim por e thellë në koncept, e cila shfrytëzonte një funksion të mirënjohur të motorit të kërkimit Google për të qëmtuar disa të vërteta rreth imigrimit dhe imigrantëve.

E kam fjalën për një funksion të njohur si “vetëplotësim” ose “Autocomplete” (në anglishte), dhe që, kur është aktivizuar, i plotëson automatikisht pyetjet dhe kërkesat e përdoruesve, në bazë të një algoritmi kryesisht statistikor.

(more…)

Read Full Post »

eyeM’u desh, gjatë përkthimit të një teksti të sociologjisë mjekësore, të dalloja shprehimisht në shqip midis nocioneve kyçe të cilat, në anglishte, autori i kish dhënë përkatësisht me illness, sickness dhe disease, duke specifikuar se illness është sëmundja e përjetuar nga subjekti; sickness sëmundja e perceptuar nga të tjerët, komuniteti ose shoqëria; dhe disease sëmundja që përbën objekt të dijes dhe artit të mjekut.

Krejt teksti mbështetej në dallimin mes këtyre tre nocioneve, prandaj i njëjti dallim terminologjik duhej ruajtur edhe në gjuhën pritëse.

Shqipja shpesh të lë në baltë në raste të tilla; meqë thjesht fjala sëmundje nuk mjafton, madje jo vetëm nuk mjafton, por edhe e dëmton të përcjellët e kuptimit, sa kohë që ajo fjalë, duke shërbyer si ombrellë kuptimesh, anulon pikërisht ato dallesa të cilat teksti në fjalë kërkon të sqarojë.

(more…)

Read Full Post »

ContainersKur jam në Tiranë dhe më qëllon të marr taksi, e kam ndonjëherë të vështirë t’ia shpjegoj taksistit se ku dua të shkoj pikërisht – pse më janë vjetruar disa nga pikat e referimit dhe kushedi taksisti vetë nuk e njeh mirë Tiranën “time” të 20-30 vjetëve më parë.

Ngaqë kryeqytetin e quajmë të gjithë me të njëjtin emër, Tiranë, kjo na gënjen e na shtie në mendje iluzionin se jetojmë, përnjëmend, në të njëjtin qytet. Mirëpo mjafton një taksist që të mos e dijë se ku është “Lidhja”, ose “Radio Tirana e Vjetër”, për ta krisur qelqin e hollë të sigurisë hapësinore.

Që këtej, e deri te solipsizmi se gjithsekush ka Tiranën e vet, që e popullon dhe e shëtit në vetmi totale, distanca është e madhe, në mos e pafund. Por ka një të vërtetë në topografinë e qytetit tënd, që është e ndryshme nga ato të së tjerëve, deri në moskomunikim.

(more…)

Read Full Post »

Older Posts »

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,042 other followers

%d bloggers like this: