Vite më parë, në një shkrim modest për një temë të sociologjisë politike m’u desh të përdor termin reziliencë, që në thelb është aftësia e një individi (në rastin e shkrimit tim, e një shoqërie) për të rimarrë veten dhe për t’u riaftësuar për një jetë normale pas një goditjeje të rëndë. Meqë rezilienca sot përfaqëson një doktrinë të tërë, nuk m’u duk i nevojshëm ndonjë lloj shqipërimi. Qe njëlloj si të kërkoje gjësendi në shqip për termin psikoterapi.
Kur shkrimi u gjet mbi tryezën e redaktorit në Tiranë, duket se termi në fjalë paraqiti ndonjë problem. Megjithatë, i kujdesshëm deri në fund, ai kërkoi nëpër fjalorin e ri të shqipes të viti 2002 dhe 2006 dhe vetëm pasi nuk gjeti zgjidhje në ta dyshoi për ndonjë lajthitje timen dhe e zëvendësoi me rezistencë. Sot mua më ngushëllon fakti se këto tema nuk i kanë lexuesit fort të panumërt.
Një incident i tillë të shtyn të mendosh për të vjellët që ndjen t’i vije leksikografisë shqiptare nga fjalët e huaja (se nuk besoj se isha i pari që përdorja atë fjalë) dhe pasioni fundamentalist me të cilin i ka përzënë rrënjësisht nga përdorimi. Harrohet se në mungesë të zhvillimit të brendshëm gjuha shqipe mbijetoi sepse diti të ruajë aftësitë homeostatike, të huazojë. Më tej akoma, kam përshtypjen se fjalorët e shqipes kurrë nuk kanë patur një raport mirëbesimi me shqipfolësit, kurrë nuk kanë ndihmuar në zhvillimin e gjuhës së tyre, askush nuk ka fjetur në shtrat me to.
(more…)
Like this:
Like Loading...
Read Full Post »