Feeds:
Posts
Comments

Archive for the ‘Media’ Category

grafike te ndryshemPa vënë ende në buzë kafen e mëngjesit, numrat na heqin dëshirën për të vazhduar me dy biskotat e zakonshme. Edicionet informative, para se të japin temperaturat e ditës, na komunikojnë treguesin Nikkei në Tokio, pastaj me mbarimin e parashikimeve të kohës, mes temperaturash në gradë celcius e shpejtësi erërash, na sjellin shifrat e papunësinë, për të vijuar me sondazhin e ditës së mëparshme, ose me kursin e këmbimit… Ndërkohë bursa në Europë sapo ka nxjerrë në ekranet e veta shifra të freskëta, kurse konferenca e paradites për demografinë sapo ka komunikuar luhatje të rëndësishme të popullsisë, në pritje të simotrës pasdite, që do të flasë me Power Point për ekonominë dhe shoqërinë. Leximi i gazetës që do të blejmë poshtë pallatit, do të kthehet në garë interpretimi shifrash të interpretuara nga dikush tjetër.

Fakti është se bombardohemi çdo ditë me tonelata të dhënash eksplozive, jemi të zhytur deri në grykë në një det me shifra, shpërqendrohemi nga grafikë me ngjyra në trajtë tortash e kallamash sheqeri, na merren mendtë përballë tabelave me përqindje dhjetore, verbohemi nga numrat gjithnjë e më të saktë pas presjes… Qytetari global është përnjimend në ditë të hallit. E jo vetëm për faj të mediave. Mirëpo, kjo botë plot të dhëna e numra është bërë vallë më e kuptueshme për ne vdekatarët e thjeshtë?

(more…)

Read Full Post »

HARDMAN KREMLINI

Kurioziteti më shtyu të klikoja mbi një lidhje ngashënjyese të Shekullit, për të parë një lajm që bënte fjalë për “Vajzën që gllabëroi Presidentin Putin.”

Lexova aty për gjimnasten më seksi në qendër të një stuhie shkurorëzimi, vajzën e medaljeve të arta; për presidentin e patundur dhe për mediat e huaja, që po e cilësojnë Putinin si “dashnorin më të madh rus.”

Asgjë për t’u shqetësuar deri këtu, nga ky lajm i rëndomtë tabloidi, i përkthyer shkeleshko, për një gazetë që dikur mbahej si krenaria e mediave shqip, por tani po bën të pamundurën që të shndërrohet edhe ajo në tabloid.

(more…)

Read Full Post »

TESTE DHE TEKSTE

Kam rreth një javë që pres, edhe pse jo duke mbajtur frymën, për një përgjigje nga Mark Marku, në lidhje me polemikën tonë, rreth ndërhyrjes sime për një shkrim të prof. Barbullushit në Panorama, duke menduar se argumentet e prekura prej meje në replikën ndaj kritikës së tij për mua do t’ia vlenin një kundërpërgjigje.

Nuk kisha shumë shpresë, përkundrazi, se do të lexoja gjë nga prof. Barbullushi.

Tani, të dy këta zotërinj, janë njerëz të zënë me punë dhe kushedi nuk kanë pasur kohë të merren me polemika dhe replika.

Megjithatë, unë e lashë në krye të kalonte disi lehtë diatribën e Markut, duke menduar se ai ishte keqkuptuar, nga zhvendosja e shkrimit tim prej blogut në një të përditshme.

Në atë shkrim, Marku e konsideronte gabim të madh nga ana ime guximin për të kundërshtuar artikullin e një eksperti të mirënjohur në fushën e vet, prof. Barbullushit; ose “autoritetit më të madh të fushës, [të] specializuar për një kohë të gjatë që në rininë e tij në një nga klinikat më të mira të Europës, profesor nga më të njohurit e Fakultetit të Mjekësisë dhe mjek në QSUT,” siç e quan Marku [këtu dhe më poshtë, theksimet janë të miat, 2Xh].

(more…)

Read Full Post »

E shpjegova edhe në përgjigjen që dërgova te Panorama: reagimi i Mark Markut bazohej mbi një premisë të keqe, sa kohë që unë shkrimin nuk e kisha botuar në të përditshmen ku e kish gjetur ai (Gazeta Dita), por në blog.

A mund t’i vë faj Markut se nuk bëri verifikimet e duhura për të gjetur burimin e shkrimit?

Te faqja online e Ditës thuhet (në fund të shkrimit) se ky është marrë nga Peizazhe të Fjalës. Nuk di nëse Marku e ka parë shkrimin atje, apo në versionin e shtypur të gazetës; dhe këtë të fundit nuk kam ku ta gjej.

Megjithatë, në parim, nuk i vë dot faj.

(more…)

Read Full Post »

[Këtë kërkesë e kish dërguar, si koment, lexuesi Tjetër. Mendova ta nxjerr më vete. 2Xh]

U kërkoj ndjesë për ndërhyrjen, por duke qenë një lexues i ri i këtij blogu dhe duke parë tashmë me admirim nivelin intelektual të shumë pjesëmarrësve këtu me lejoni t’u drejtohem miqësisht me një thirrje. U lutem, këtë muaj mundohuni të fokusoni, jo në këtë blog, por në hapësirën më të gjerë publike, kontributin tuaj që Shqipëria në këtë moment tepër historik të mund të lërë pas një obskurantizëm fatal për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Shpresoj të lemë pas ngurimet tona legjendare, dyshimet dhe pakënaqësite tona njerëzore me njerëz të caktuar dhe të shohim më të madhen, të përgjithshmen. E shkruaj këtë sepse shoh i alarmuar sesi nje pushtet i degraduar dhe cinik po mobilizon të gjithe forcat e njerëit nga skutat më të errëta e të degraduara intelektualisht, shpirtërisht dhe mendërisht, për t’i përdorur si fasadë e një shpëlarje totale truri e propagande të pashoq në formën e saj më të pacipë. Pra, u lutem, ndoshta vetëm për një javë, dy apo një muaj mprihni penat dhe bëhuni të gjallë në ndërhyrje të drejtpërdrejtë në hapësirën publike më të gjerë të vendit. Kushtojini në maksimum një muaj një përpjekjeje në ‘praxis’ dhe uroj të lëmë egot tona e sedrat e prekura patjetër në ndonjë formë apo tjetër nga ndoshta edhe shpërfillje të justifikueshme ose jo të politikës dhe të bëjmë bashkë atë që është roli dhe pozicioni jetik i intelektualit në kohë vendimtare. Shpresoj të më kuptoni, dhe besoj se është koha për një goditje të përqendruar, përtej kurioziteteve dhe informacioneve shumë të vlefshme intelektuale, por për të cilat do të kemi kohë të merremi gjithë jetën. Është momenti për t’iu drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë realitetit të një vendi që të gjithëve na prek, na trondit e shqetëson dhe mos bëjmë strucin. Duhet veprim i drejtpërdrejtë dhe i duhet folur popullit të shkretë që po përpëlitet të shpëtojë shpirtin e një Shqipërie të lirë dhe në format e tij po lufton.

Read Full Post »

Gazeta “Shekulli” rrëmon në kazanë plehrash.

Gjej sot të botuar një shkrim me titull “38-vjeçarja mbetet shtatzënë me të vdekurin”, i cili pa frikë mund të merret edhe si nadiri i gazetarisë shqiptare trash.

marmaduke

Jo vetëm që lajmi është i pabesueshëm në vetvete, por edhe është i vjetër; i 11 nëntorit 2010; kur u botua nga një faqe online e quajtur Dead Serious News, e cila ka natyrë satirike dhe parodike, e ngjashme me The Onion, ose – meqë jemi në hapësirën e PTF – me Obobo News.

(more…)

Read Full Post »

E keni vënë re që nuk po arrin njeri ta rrëfejë, qetë dhe natyrshëm dhe shtruar, incidentin e Vjenës, midis kryetarit të opozitës Edi Rama dhe një diplomati në ambasadën shqiptare në Vjenë, Egin Cekës?

Kemi parë deri më sot reagime, dënime, distancime, arsyetime, shpjegime dhe interpretime, nga të gjitha palët; e kemi lexuar dhe na e kanë lexuar incidentin si metaforë të gjithçkaje nuk shkon me politikën dhe shoqërinë civile sot në Shqipëri, por vetë kronikën e incidentit s’e ka rrëfyer dot kush.

Jemi të rrethuar nga gjithfarë mediash; dhe prej mediave presim që të funksionojnë si zgjatime të shqisave tona, për të na transmetuar çfarë ndodh gjetiu ose atje; ose për të na nxjerrë nga kafazi i këtu-së dhe tani-së.

(more…)

Read Full Post »

Jetojmë në kohëra kur një pjesë e mirë e ndërveprimit social ndodh në rrjetet virtuale dhe ku komunikimi në linjë shpesh merr përparësi ndaj atij jashtë linje.

Dhe në rrjetet virtuale ne ekzistojmë dhe jemi të pranishëm kryesisht nëpërmjet atyre që “themi” (në fakt – shkruajmë), ose në trajtë tekstesh.

Që këtej, distanca mes analizës së tekstit dhe sociologjisë së Internetit vjen e shkurtohet.

(more…)

Read Full Post »

albanMë tërhoqi vëmendjen një shkrim i Saimir Loljes, botuar sot në rubrikën e opinioneve, te Shekulli.

Nuk e njoh autorin, por kam frikë se është i njëjti me personin që, në këtë faqe, prezantohet si profesor i inxhinierisë kimike, në Ryerson Polytechnic University, Toronto, Canada.

Në shkrimin te Shekulli, Lolja flet për rolin e elementit shqiptar në Perandorinë Osmane, edhe pse nuk kuptohet mirë nga ç’pozita.

Perandoria Osmane, në këtë artikull, kushedi ngaqë kishte një sulltan në krye, quhet “sulltanat”; dhe veç kësaj nuk mungojnë as teza tepër të guximshme, si kjo që “[S]hqiptarët humbën në fillim të shekullit XX atë që njihet tani si Turqi,” dhe kjo tjetra që “[M]ë 1821-1832 kur për shkaqe të ngjashme dhe të një lufte fetare midis shqiptarëve të besimit mysliman dhe atyre të krishterë, shqiptarët humbën atë që sot quhet Greqi.” dhe “Si rrjedhojë, doli një shtet i përbërë nga shqiptarë ortodoksë fundamentalistë që ndryshe njihen tani si grekë.”

(more…)

Read Full Post »

“Shekulli Online”, gazeta elektronike më e dashur e shqiptarëve në mbarë botën: kështu hapej Shekulli para një jave, duke lajmëruar se faqja ka 95,000 vizitorë unikë çdo ditë, të cilët shfletojnë aty rreth 350,000 faqe. Shifra mbresëlënëse, për një media shqip, që të mbushin me ngazëllim.

Sikurse dihet, faqet online të gazetave janë multimediale – një pranëvënie tekstesh, fotosh, videosh dhe materialesh të tjera; të cilat synojnë njëkohësisht të tërheqin, të informojnë dhe të zbavitin lexuesin (vizitorin).

Për fat të keq, multimedialiteti i mediave elektronike shqip ka mbetur në nivel amatorial, madje foshnjor; duke u katandisur në një karikaturë të funksionalitetit të vet.

Për këtë mjafton të shohësh fotot që ofrohen aty përditë.

(more…)

Read Full Post »

Pioneer_plaque.svgDikur, kur i faleshim televizionit italian si ta kishim altar shtëpijak, dëgjonim ndonjëherë të na thuhej se një pjesë e emisioneve, në mos të gjitha, nuk pasqyronin jetën “andej”, por ishin produkte propagandistike, të sajuara për ne “këtej”; arsyetim ky përndryshe tipik për paranojën.

Nëse ato që shihnim në ekran, sidomos reklamat, synonin të na bënim të ndiheshim të mjerë në varfërinë dhe izolimin tonë, kjo u jepte më shumë të drejtë edhe të gjithë atyre që e shihnin altarin televiziv si burim të helmit dhe të dyshimit, në një shoqëri përndryshe të shëndetshme.

Komunikimi ndonjëherë u shpëton palëve nga kontrolli. Kështu, filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” kishin sukses të madh në Kinën autarkike të viteve 1960-1970, ku shiheshin si dritare ndaj Perëndimit. Një melodi me kitarë, nga kolona zanore e filmit Ngadhënjim mbi vdekjen, ishte kthyer në një prej këngëve më popullore atje, madje edhe shumë kohë pasi në Shqipëri filmi vetë, bashkë me këngët që përmbante, u hoq nga qarkullimi (kushedi për shkak të aktores së ndaluar Edi Luarasi).

(more…)

Read Full Post »

tastiera-miuKalimi nga një vend në tjetrin, por gjithnjë brenda rrjetit, nuk është aq traumatik për tekstin. Megjithatë, problemet lindin për faktin se teksti dixhital është pjellë e botës së multimediave. Hiperteksti që qarkullon në internet mund të pajiset me lidhje (link), në trajtë citimi ose sugjerimi për lexime të tjera, me imazhe, tinguj, skedarë, emotikone, video, reklama të lëvizshme, etj. Ndodh që shkrimi të ribotohet në një sit tjetër interneti, që ia ndryshon ta zëmë imazhet ilustruese. Nuk duhet të jesh semiolog për të kuptuar se kemi të bëjmë pothuajse me një artikull tjetër, për sa kohë imazhet ndërveprojnë aktivisht me lexuesin në interpretimin e tekstit që ka përballë syve. Kjo vlen edhe kur ndërrohen titujt, nëntitujt, ngjyrat, e çdo element tjetër të aparatit paratekstual. (more…)

Read Full Post »

makine shkrimiHapësira virtuale shqiptare po rritet gjithnjë e më shumë. Interneti në shqip, por edhe komunikimi nëpërmjet mjeteve elektronike, edhe pse jo në mënyrë organike e lineare, po i zgjeron dita ditës kufijtë e vet. Kjo rritje nuk mund të konsiderohet ende zhvillim i mirëfilltë, megjithatë duhet pranuar se tekstet në shqip janë shtuar si nga ana sasiore ashtu edhe nga ana cilësore. Mirëpo, disa fusha e lugina të hapësirës së internetit shqiptar i ngjasojnë përnjimend far west-it të dikurshëm, po të kemi parasysh trajtimin që i bëhet tekstit. (more…)

Read Full Post »

Që nga momenti kur u bënë të zakonshme komentet e lexuesve anonimë, në faqet e mediave online, komunikimi masiv e humbi natyrën njëdrejtimshe, që e ka pasë karakterizuar dikur: nga teksti te publiku (masa); nga autori te lexuesi – të paktën, sa i përket shkronjës.

Kjo duket, më qartë se kurrë, te mënyra si komentet mund të ndikojnë, dhe në fakt ndikojnë, në pritjen e mesazheve; deri në atë shkallë sa edhe ato vetë të imponohen si mesazhe të komunikimit masiv dhe të trajtohen prej lexuesve si të tilla.

Lexuesi nuk është zhdukur gjë, as është transformuar; por tani, falë teknologjisë Web 2.0, ka mundësi të lexojë edhe veten, ose të shkruajë-lexojë publikisht, duke u çliruar nga fantazma e autoritetit, që i kanosej deri dje nga faqet e tekstit të shkruar.

(more…)

Read Full Post »

Older Posts »

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 5,071 other followers

%d bloggers like this: