Hera e sjell që ndokush mëson për origjinën tënde dhe me dashamirësi të afrohet e rrëfen se dikur ka vizituar Shqipërinë. Janë takime mjaft më të shpeshta se sa mund të mendohet. Në raste të tilla mua më duket sikur kam dalë në anën tjetër të pasqyrës. Gjithnjë kam dashur të di çfarë mendonin ata për ne kur na shikonin rrugëve të Tiranës, por nuk e fsheh aspak dëshirën për t’u treguar edhe se çfarë mendonim ne për ta.
Këtu duhet bërë një dallim midis kontakteve të para në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur tu flisje në plazh turistëve të huaj që gjësendi që ndalohej, por që për pak kohë u tolerua (edhe pse çdo aventurë e tillë përfundonte në rajonin e policisë), dhe vizitave të mëvonshme të grupeve të majta, krejtësisht të inkuadruara e kontrolluara. Natyrisht midis tyre kishte kureshtarë, por edhe fanatikë, që siç mësonim që atëherë, këmbëngulnin t’u tregonin autoriteteve shqiptare ku ndodheshin bazat e raketave në Francë apo përqendrimet e trupave amerikane në Gjermani.





