Dje pashë në kutinë e postës se më kish mbërritur një mesazh nga një mik i vjetër, me të cilin nuk komunikonim prej kohësh – të ndarë nga jeta dhe nga gjeografia. M’u bë qejfi, më kish marrë malli, por siç më ka ndodhur shpesh, gjithnjë duhet një arsye, ose një pretekst për t’i rifilluar lidhjet e shkëputura, vetëm një “si je, si ke qenë” nuk mjafton.
Pastaj e vështrova më mirë temën e mesazhit dhe e pashë se çfarë më kish ardhur prej mikut ishte, në fakt, SPAM; ose një adresë e thjeshtë e një sajti në ueb, ku shitej pornografi ose produkte farmaceutike ose edhe thjesht orë dore të rreme made in China. Adresën elektronike mikut tim ia kishte “pushtuar” kështu, përkohësisht, një forcë e keqe, malinje, po aq e verbër sa bakteri.







