Historia e shkronjës “ë” ka mbetur ende pa shkruar. Si fillluan polemikat për dobishmërinë e saj? Si u rreshtuan palët në këtë betejë epokale? Cilat ishin arsyet që e dobësuan deri në zhdukje totale? Pas kaq vitesh, historiografët dhe historianët e gjuhës, ende të angazhuar me çështjet madhore kombëtare, nuk e kanë thënë fjalët e vet. Ndërkohë, ne që merremi me rrëfenja diçka mund të tregojmë për “ë”-në, pa mëtuar t’i vëmë vulën njërës prej historive më të pabesueshme të alfabeteve botërore.
Përderisa lufta e Trojës filloi për punë femrash (Helena), përderisa lufta e parë botërore plasi nga atentati kundër arqidukës Ferdinand në Sarajevë, nuk ka përse të habitemi që perëndimi i shkronjës “ë” filloi me hyrjen e kompjuterit në shoqërinë shqiptare. Edhe zjarret gjigante fillojnë nga një shkëndijë. Në rastin tonë shkëndija lindi nga fërkimi i gishtave nëpër tastierë. Çdo luftë e ka një casus belli, pak a shumë dinjitoz.



