Nëse e pranojmë se shqiptarët kanë jetuar për një kohë të gjatë – ose me shekuj – në frontierat e perandorive (më parë bizantine, më pas e sidomos osmane; shih shkrimin paraprirës), atëherë duket e arsyeshme të pyesim nëse rrethanat e jetesës në frontierë mund të kenë ndikuar në historinë e tyre, veçoritë etno-antropologjike dhe marrëdhëniet e tyre me botën.
Kështu, nuk do shumë mund për të dalluar, si karakteristikë e frontierës, marrëdhënia e posaçme e shqiptarit me armën dhe identifikimi i tij si luftëtar profesionist; sikurse edhe është përdorur prej osmanëve, madje është dërguar edhe poshtë e lart në perandori, për të shtypur revoltat, rebelimet dhe trazirat gjithfarësh. Disa mund ta quanin këtë veçori mercenarizëm, ose gatishmëri për ta nxjerrë në shitje virtytin luftarak, ose për të nxjerrë bukën me të.

