nga Doan Dani
Të nisur nga teoria e konsoliduar që ideja e kombit dhe karakteristikat e tij themelore ngurrtësohen në sferat elitare nga gjysma e dytë e shek. XVIII e në vijim është i realizueshëm një lloj paralelizmi mes këtyre vlerave embrionale dhe etikës së borgjezisë, e cila tashmë përjetonte rrugën e imponimit politik përveç suksesit ekonomik, që, natyrisht, shoqërohet edhe me piedestalizimin e normave sociale ashtu siç i konceptonte kjo shtresë. Pikërisht në këtë periudhë, në Angli, në Francë, në territoret gjermane, etj, ndërsa stafeta kulturore kalonte nga Iluminizmi tek Romanticizmi, përpunohen idetë rreth perfeksionizmit fiziko-moral të individit, që me vonë do të jetë shtetasi-qytetar dhe bashkëkombasi, ku mund të rendisim, krahas hijeshisë fizike, edhe besnikërinë, respektin, vetëkontrollin, e një sërë virtytesh me objektiv rendin shoqëror.
