Çdo debat rreth totalitarizmit shqiptar do ta cekë, herët a vonë, temën e madhe të sekretit nën të cilin operonte regjimi; dhe kur flitet për sekret, tema tjetër e madhe, ajo e dosjeve, nuk mund të shmanget.
Supozimi që u nënvendoset debateve të tilla është se sekreti nuk është veçse dryni që mban të mbyllur të vërtetën, për të shkuarën si të tillë, dhe për atë të shkuar që, sipas shumëve, vijon t’i japë urdhra së sotmes, nëpërmjet kryesisht shantazhit.
Tek e fundit, interesi për sekretin është para si gjithash interes për të vërtetën; dhe të vërtetën jo si proces, ose si objekt të cilit i qasemi hap pas hapi, por si thesar, i cili ekziston i paprekur diku nën dhe, duke pritur veç kazmat e gërmuesve.
