Dikur, kur i faleshim televizionit italian si ta kishim altar shtëpijak, dëgjonim ndonjëherë të na thuhej se një pjesë e emisioneve, në mos të gjitha, nuk pasqyronin jetën “andej”, por ishin produkte propagandistike, të sajuara për ne “këtej”; arsyetim ky përndryshe tipik për paranojën.
Nëse ato që shihnim në ekran, sidomos reklamat, synonin të na bënim të ndiheshim të mjerë në varfërinë dhe izolimin tonë, kjo u jepte më shumë të drejtë edhe të gjithë atyre që e shihnin altarin televiziv si burim të helmit dhe të dyshimit, në një shoqëri përndryshe të shëndetshme.
Komunikimi ndonjëherë u shpëton palëve nga kontrolli. Kështu, filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” kishin sukses të madh në Kinën autarkike të viteve 1960-1970, ku shiheshin si dritare ndaj Perëndimit. Një melodi me kitarë, nga kolona zanore e filmit Ngadhënjim mbi vdekjen, ishte kthyer në një prej këngëve më popullore atje, madje edhe shumë kohë pasi në Shqipëri filmi vetë, bashkë me këngët që përmbante, u hoq nga qarkullimi (kushedi për shkak të aktores së ndaluar Edi Luarasi).



