Pellazgët, pellazgët… Cili prej nesh nuk ka ëndërruar, në fëmini, për të kaluar pak orë në shoqërinë e tyre fisnike, ulur në hije të gurëve qiklopikë, duke shijuar me ta kofshën e pjekur të thiut thesprot, me ndonjë kupë verë mjalti a nektar?
Guri i provës për patriotin safi, në lëmë të origjinave, është qëndrimi ndaj pellazgëve.
Tradicionalisht, këta thuhet se kanë qenë një popull i lashtësisë paragreke në Ballkan – ose së paku kështu janë mbajtur prej grekëve të vjetër.
Sot e kësaj dite, për këtë popull gjysmë-mitik dihet shumë pak; madje dijetarët as janë të një mendjeje nëse pellazgët, thjesht në kuptimin e popullsisë që u parapriu grekëve në trojet e tyre, kanë qenë apo jo indoeuropianë.
