Disa shënime të Evdotesë dhe të miat për veprën e Marubëve, na çuan pas në epokën kur fotografia, si teknikë riprodhimi pamor, i kish ende të ngushta lidhjet me pikturën, sidomos me portretin; subjektet fotografoheshin njëlloj sikurse do t’i pozonin piktorit për një portret – vetëm se arti i portretizimit, falë kostos relativisht të ulët të fotografisë, i shpërtheu muret e salloneve, për t’u popullarizuar në masë.
Kush i mban mend fotostudiot e dikurshme, me elemente dekori dhe skenografie, ku dyndeshin familjet në fundjavët për t’u përjetësuar në bardhezi, do ta kuptojë edhe se nuk na ndan, tek e fundit, ndonjë distancë kohore kushedi çfarë, nga ai përdorim disi ceremonial i kamerës, për të fiksuar jo aq të papërsëritshmen sesa esencën brenda secilit nga ne.
