Pas më shumë se 20 vjet sistem pluralist, ka ardhur koha të bëhet një farë bilanci i mediave shqiptare. Tema kërkon pa dyshim studime serioze, nga doktoraturat e sipër, mirëpo ndonjë aspekt i veçantë edhe mund të hulumtohet, qoftë edhe si sinjalizim për specialistët e sektorit.
Si identifikohen sot gazetat ose mediat elektronike nga publiku shqiptar? Normalisht në botë, po të marrim shembullin e medias së shkruar, do të shikonim se gazetat dallohen nga politika që ndjekin, çka me politikë nënkuptohet ajo me karakter të gjerë kulturor dhe jo politika e ngushtë ku gjallojnë gazetat partiake. Këto të fundit identifikohen fare lehtë nëpërmjet logos së partisë përkatëse. Në vendet perëndimore gazetat dallohen në përgjithësi nga prirjet kulturore ose arealet e mëdha; mund të jenë p.sh. liberale ose konservatore, progresiste ose tradicionaliste, laike ose fetare, e kështu me radhë drejt dallimeve gjithnjë e më të sakta.

