Kam shkruar disa herë, këtu në blog, se Kanuni (i Lek Dukagjinit), në pjesën që merret me gjakmarrjen, më shumë se sistem i institucionalizimit të dhunës ndoshta duhet parë si sistem i kufizimit ose disiplinimit të dhunës.
Kjo m’u kujtua tani që diskutonim për format e kontaktit me Tjetrin në qytet, përkatësisht në fshat, në shoqërinë tradicionale shqiptare.
Si rregull, individi në qytet është më i lirë se në fshat; atje ku fshatari ia delegon vendimin një sistemi normash të pashkruara, qytetarit shpesh i detyrohet të zgjedhë vetë; dhe zgjedhja është vërtet shprehje e lirisë, por sjell me vete edhe stres, edhe përgjegjësi personale.



