Me shkrimet e mëparshme u përpoqa të argumentoj se, në tekstet e historisë së shqiptarëve për klasën e 12-të të shkollës së mesme, periudha e lashtësisë dhe çështjet e etnogjenezës janë trajtuar në mënyrë joshkencore, për të ushqyer jo dijen racionale, por mitin kombëtarist.
Përtej argumentimeve në hollësi, të cilat lexuesi i gjen në shkrimet përkatëse, dua të kujtoj këtu se mangësitë kryesore të trajtesave lidhen me (1) teorinë (pseudo-teorinë) e autoktonisë absolute, sipas së cilës jo vetëm shqiptarët, por edhe ilirët e pellazgët janë autoktonë dhe janë formuar pikërisht në trojet ku jetojnë sot shqiptarët dhe (2) shpërfilljen pothuajse të plotë që i bëhet indo-europianistikës.



