
Katror i zi – Malevich (1932?)
(Kjo intervistë imja, e përgatitur nga Aida Tuci, u botua në gazetën MAPO, dt. 18 shkurt 2013.)
A mund të themi se “Te kundërcjapi” shfaqet Ardian Klosi në të gjitha dimensionet e tij?
Do të thoja se shfaqet më shumë si eseist, shkrimtar, kritik, gjuhëtar, vëzhgues dhe transformues i realitetit, qytetar i angazhuar në debatet publike, pikë referimi e shoqërisë civile; por nuk duhet të harrojmë edhe se Klosi bëri emër dhe la gjurmë të pashlyeshme si përkthyes veprash “të rënda” dhe si filolog, ose botues dhe studiues i teksteve shqipe. Le të themi më mirë se vepra në fjalë, “Kundërcjapi”, është një pasqyrë e asaj çfarë përfaqësonte Klosi, ose do të mund të ishte shkruar vetëm nga një figurë poliedrike si ai, sepse Klosi figurë publike ishte shumë më tepër se autori i teksteve të librit në fjalë: ishte një prani e përhershme e angazhuar, vëzhguese dhe kritike, që – të paktën në momentet e veta më të frymëzuara – arrinte të kombinonte fjalën me veprimin, gjestin me refleksionin. Prandaj libri do parë më shumë si një plotësim i gjithçkaje ka bërë Klosi në këto 30 vjet, ose më mirë si një kontrapunkt i Klosit homo publicus.

