Më tërhoqi vëmendjen një shkrim i Saimir Loljes, botuar sot në rubrikën e opinioneve, te Shekulli.
Nuk e njoh autorin, por kam frikë se është i njëjti me personin që, në këtë faqe, prezantohet si profesor i inxhinierisë kimike, në Ryerson Polytechnic University, Toronto, Canada.
Në shkrimin te Shekulli, Lolja flet për rolin e elementit shqiptar në Perandorinë Osmane, edhe pse nuk kuptohet mirë nga ç’pozita.
Perandoria Osmane, në këtë artikull, kushedi ngaqë kishte një sulltan në krye, quhet “sulltanat”; dhe veç kësaj nuk mungojnë as teza tepër të guximshme, si kjo që “[S]hqiptarët humbën në fillim të shekullit XX atë që njihet tani si Turqi,” dhe kjo tjetra që “[M]ë 1821-1832 kur për shkaqe të ngjashme dhe të një lufte fetare midis shqiptarëve të besimit mysliman dhe atyre të krishterë, shqiptarët humbën atë që sot quhet Greqi.” dhe “Si rrjedhojë, doli një shtet i përbërë nga shqiptarë ortodoksë fundamentalistë që ndryshe njihen tani si grekë.”

