Borges-i i sugjeron diku lexuesit që të provojë t’i lexojë Iliadën dhe Odisenë sikur të ishin shkruar pas Eneidës. Duke pasur parasysh raportin mes Homerit dhe Virgjilit, nuk habitemi që ky sugjerim, paradoksal, të vijë nga krijuesi i Pierre Ménard-it, autorit të Kishotit, i cili apasionohej kaq sinqerisht pas intertekstualitetit.
Nga ana tjetër, ne vdekëtarët përpiqemi t’u qasemi autorëve tanë të preferuar në mënyrë kronologjike, duke pranuar me mend një paralelizëm mes biografisë letrare dhe vartësisë së veprave së mëpasme nga të mëparshmet. Në muzikë këtë e ndien më mirë – askush nuk do të ngatërronte Beatles-at e albumit A Hard Day’s Night me ata të Abbey Road; ose edhe Mozart-in e Simfonisë no. 12, me atë të Requiem-it.
