Sportit shqiptar në Olimpiadën e Londrës po i shkojnë punët si mos më keq: jo vetëm asnjë medalje, as ndonjë arritje sportive për t’u shënuar, por edhe një varg i njëpasnjëshëm lajmesh për përjashtime, doping, dëmtime fizike, eliminime të menjëhershme dhe vende të fundit e të parafundit në disiplinat përkatëse.
Pakkush priste prej këtyre sportistëve që të shkëlqenin në Londër; sepse konkurrimi i suksesshëm në olimpiadë kërkon jo vetëm talent, përkushtim dhe moral të lartë, por edhe përgatitje sistematike, organizim, mbështetje nga shteti ose nga ndonjë sponsor serioz, kulturë dhe teknologji dhe, sidomos, largpamje – cilësi këto të cilat shqiptarëve në këtë moment të historisë u mungojnë jo vetëm në sporte, por edhe në fusha të tjera ku e ku më kritike se sporti.
