Kur diskutohet për krimin ndër shqiptarë këto 20 vjetët e fundit, shpesh mes shkaqeve të mundshme përmendet edhe rigjallërimi i Kanunit; me “kanun” duke u nënkuptuar, si rregull, ligji zakonor – p.sh. Kanuni i Lekës, ose kanune të tjera të ngjashme.
Nga ana e tyre, antropologët dhe juristët vënë në dukje se një pjesë e mirë e vrasjeve dhe lëndimeve mund të përligjen me traditën kanunore, por në të vërtetë nuk i përgjigjen asaj tradite. Duket sikur Kanuni nuk është ringjallur, veçse në disa trajta primitive dhe mekanike, të cilat i referohen dëshirës për të marrë hak.
