Një batutë imja në Twitter – rezultat i detyrueshëm i kufizimeve që i vihen në atë nahije mendimit, dhe nuk e kam fjalën vetëm për gjatësinë e thënies – u bë shkas për një debat të vogël, më shumë keqkuptimesh, por të tillë që të më bindë se tema ia vlen të shpaloset edhe përtej kafazit të cicërimave.
Batuta ishte “Ca duan Bashkimin Europian, ca Bashkimin Shqiptar,” dhe i referohej në thelb histerisë pop-nacionaliste që ia kapluar politikanët në Shqipëri, në këtë prag zgjedhjesh, kur të gjithë kanë hyrë në garë se kush mund të kakarisë më fort, në majë të pirgut me pleh, që është realiteti politik në vend.
