Kur jam në Tiranë dhe më qëllon të marr taksi, e kam ndonjëherë të vështirë t’ia shpjegoj taksistit se ku dua të shkoj pikërisht – pse më janë vjetruar disa nga pikat e referimit dhe kushedi taksisti vetë nuk e njeh mirë Tiranën “time” të 20-30 vjetëve më parë.
Ngaqë kryeqytetin e quajmë të gjithë me të njëjtin emër, Tiranë, kjo na gënjen e na shtie në mendje iluzionin se jetojmë, përnjëmend, në të njëjtin qytet. Mirëpo mjafton një taksist që të mos e dijë se ku është “Lidhja”, ose “Radio Tirana e Vjetër”, për ta krisur qelqin e hollë të sigurisë hapësinore.
Që këtej, e deri te solipsizmi se gjithsekush ka Tiranën e vet, që e popullon dhe e shëtit në vetmi totale, distanca është e madhe, në mos e pafund. Por ka një të vërtetë në topografinë e qytetit tënd, që është e ndryshme nga ato të së tjerëve, deri në moskomunikim.

