Një ngjarje e çuditshme ka pushtuar këto ditë faqet “e lehta” të mediave. Një çift skocez në moshë të shtyrë gjatë një udhëtimi për qejf në Afrikën e Jugut, vizitojnë rezervën e Kragga Kamma, e cila njihet, mes të tjerash, edhe për dy vëllezër çita (cheetah ose gepardë), aq të zbutur sa i lejojnë turistët t’i prekin, t’i përkëdhelin dhe të dalin në fotografi me ta.
Ashtu bën edhe Violet D’Mello, gruaja skoceze, e cila feston 60-vjetorin e saj duke u fotografuar me super-macen.
Megjithatë, diçka nuk shkon ashtu siç duhej, çitat egërsohen dhe e sulmojnë gruan, e cila shtrihet përdhe, që të mbrohet më mirë. Kujdestari i parkut nuk di si të veprojë, ndërkohë sekondat kalojnë dhe bëhen minuta, dhe jeta e gruas është në rrezik.
E çuditshmja e lajmit është se, gjatë gjithë kohës që vazhdon sulmi, i shoqi i Violetës vazhdon të shkrepë aparatin, në vend që të ndërhyjë për të shpëtuar të shoqen (që megjithatë shpëtoi paq).

