Rasti e deshi që, kur u njoftua këto ditë vdekja e Václav Havelit, këtij shtetari të madh të Europës post-komuniste, të isha duke lexuar një artikull të filozofit Slavoj Zhizhek, i cili polemizonte me qëndrimin e të ndjerit ndaj çështjes së ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, qëndrim që Haveli e kishte formuluar gjatë një fjalimi të mbajtur në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve të Kanadasë më 29 prill të vitit 1999, ose gjashtë javë pas fillimit të bombardimeve.
Ndryshe nga shumë qytetarë çekë dhe gjetiu në Europën lindore, madje edhe kolegë të tijtë si kryeministri çek Milosh Zeman që e kish krahasuar konfliktin për Kosovën me një skenë ku “shpellarë gjuajnë me gurë”, Haveli po e shprehte haptazi mbështetjen e vet për NATO-n dhe thoshte se ndihej i ”turpëruar” nga kundërshtimi i kësaj ndërhyrjeje, prej bashkatdhetarëve të vet.
