Që nga momenti kur u bënë të zakonshme komentet e lexuesve anonimë, në faqet e mediave online, komunikimi masiv e humbi natyrën njëdrejtimshe, që e ka pasë karakterizuar dikur: nga teksti te publiku (masa); nga autori te lexuesi – të paktën, sa i përket shkronjës.
Kjo duket, më qartë se kurrë, te mënyra si komentet mund të ndikojnë, dhe në fakt ndikojnë, në pritjen e mesazheve; deri në atë shkallë sa edhe ato vetë të imponohen si mesazhe të komunikimit masiv dhe të trajtohen prej lexuesve si të tilla.
Lexuesi nuk është zhdukur gjë, as është transformuar; por tani, falë teknologjisë Web 2.0, ka mundësi të lexojë edhe veten, ose të shkruajë-lexojë publikisht, duke u çliruar nga fantazma e autoritetit, që i kanosej deri dje nga faqet e tekstit të shkruar.
